Aktorët e Prishtinës do të performojnë në Beograd një satirë politike për shtetin e sapolindur të Kosovës

Arti mendohet se do ta zbusë më shumë situatën që filloi si një sherr dramatik në një stadium futbolli. Por këtë herë testi do të zhvillohet në një skenë teatri. Nuk do të ketë flamuj e banderola me stampa fashiste dhe as tifozë ultras me tatuazhe në trup që bëjnë thirrje për “vdekje të shqiptarëve”. Në llozha e plate do të ketë më së shumti dashamirës të artit, dhe në rastin më të keq, spektatorë të përmbajtur. Në kryeqendrën e Serbisë do të ngjitet një shfaqe ku në qendër të tematikës do të jetë shteti i Kosovës. Dhe kjo nuk është pak. Ajo vjen fill pas një ndeshje të papëfunduar futbolli dhe një vizite me deklarata tendencioze te dy kryeministrave. “KultPlus” bën me dije se më datën 8 dhjetor në Teatrin e Beogradit, përkatësisht në “Rex Kulturni Centar”, do të prezantohet shfaqja “Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës”, me tekst të Jeton Neziraj e regji të Blerta Neziraj. Sipas “KultPlus”, pjesa “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës”, është një satirë politike për shtetin e sapolindur të Kosovës, të dërrmuar nga lufta, varfëria, korrupsioni dhe mbrojtja e përhershme e ndërkombëtarëve. Kjo shfaqje e Qendrës Multimedia ka kastën e aktorëve që përbëhet prej: Bajrush Mjakut, Adriana Morina, Anisa Ismaili, Adrian Aziri e Ernest Malazogu. Ndërsa gazeta “Blic” shkruan se në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit “JoakimInterFest”, autori Jeton Neziraj është shpërblyer me “Çmimin Special”, me motivimin “për tekst jashtëzakonisht të guximshëm dhe të pa kompromis”.
L.Veizi
Add new comment