AK: Bojkot parlamentit të Berishës!

Sekretari i Marrëdhënieve me Publikun në Aleancën Kuqezi, Rezar Balla, reagoi sot rreth miratimit nga deputetët e mazhorancës të ndarjes së mandateve sipas skemës së vitit 2009.
“Sot u bëmë dëshmitarë për të disatën herë që pushteti i Sali Berishës kur vjen puna për votën që e mban në pushtet, nuk llogarit institucionet kushtetuese, madje nuk llogarit as pasojat që mund të vijnë nga kjo formë e të qeverisurit “kush është më i forti, fiton ai që ka kartonat”. Aleanca Kuq e Zi prej kohësh e ka dhënë alarmin se zgjedhjet e 23 qershorit 2013 janë në rrezik, pasi Sali Berisha e ka treguar jo me fjalë, por me vepra që di t’i shkatërrojë proceset zgjedhore në perfeksion, dhe këtë e ka treguar që prej vitit 1996 dhe deri në proceset më të fundit zgjedhore”, deklaroi Balla.
“Zëvendësimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me sallën e Kuvendit për shpërndarjen e mandateve ishte një mesazh i qartë i mazhorancës, e cila është e gatshme të përdhosë çdo institucion kushtetues me qëllimin e vetëm për të mbajtur pushtetin,” u shpreh Balla.
Sekretari i Marrëdhënieve me Publikun në AK, në emër të Aleancës Kuqezi, bëri apelin për forcat opozitare: “Në këto kushte Aleanca Kuqezi ka një apel të qartë për forcat opozitare. Ata duhet të braktisin përfundimisht institucionet në të cilët vendimmarrja e tyre është e pamundur. Ata duhet të braktisin përfundimisht sallën e parlamentit që ka marrë vendimet më antidemokratike të një sistemi pluralist. Forcat opozitarë duhet të braktisin sa më parë çdo vendimmarrje që cenon demokracinë jo vetëm të zgjedhjeve të 23 qershorit, por që trondisin rendin kushtetues të Republikës së Shqipërisë”.
Re.Pu.
Add new comment