Ahmadinejad parasheh ringjalljen e Chavezit (!)

Vdekja e presidentit të Venezuelës, Hugo Chavez, ka nxitur eulogji nga e gjithë bota, por disa nga to kanë qenë të çuditshme. Presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinejad, ka parashikuar rikthimin e tij. Dhe, sikur rikthimi në tokë të mos ishte i mjaftueshëm, Ahmadinejad ka thënë se Chavez do të kthehet së bashku me disa njerëz të respektuar. “Nuk kam asnjë dyshim se Chavez do të kthehet së bashku me Jezu Krishtin dhe Mahdi-un, për të krijuar paqe dhe drejtësi në botë”, ka shkruar Ahmadinejad në ueb-faqen e tij personale. (Mahdi është një figurë e nderuar në mesin e myslimanëve shiitë dhe shumë prej tyre besojnë se ai do të rikthehet për të shpëtuar njerëzimin).
Ahmadinejad ka patuar një miqësi të afërt publike me Chavezin. Irani ka shpallur një ditë zie kombëtare për vdekjen e Chavezit, ndërsa mediat në Teheran kanë thënë se ekziston mundësia që Ahmadinejadi të ndjekë ceremoninë e varrimit të tij, më 8 mars. Ahmadinejad ka mbështetur po ashtu deklaratat e nënpresidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, i cili pak para vdekjes së Chavezit ka thënë se “nuk ka asnjë dyshim” që armiqtë e vendit i kanë dhënë kancerin liderit majtist. Në mesazhin e tij ngushëllues, Ahmadinejad ka thënë se Chavez ka qenë “martir”, i cili ka rënë pre e një “sëmundjeje të dyshimtë”. REL
Add new comment