Agimi i Artë: Nuk vijmë në Himarë për të ikur; dhe një fjalim patetik

Postuar në 12 Gusht, 2013 10:31

Përvjetorët e vdekjes së Aristotel Gumës në Himarë po shndërrohen në sebep për shpërthime nacionaliste nga ana e ekstremistëve grekë të Agimit të Artë. Fillimisht ata nxorrën jashtë kishës, priftin e Shën Spiridhonit, i cili nuk pranoi që të kryente ritet e tyre e më pas sulmuan grupin e xhirimit të Top Channel, duke mos lejuar të filmonin ceremoninë. Por ditë pas ceremonisë së zhvilluar në përkujtim të 3-vjetorit të vdekjes së Aristotel Gumës, zbardhen edhe deklaratat antishqiptare të së dielës. Pranë varrit të Gumës, Kristoforos Tsankas i Agimit të Artë mbajti këtë fjalim, sa patetik aq dhe të stërnjohur për gjuhën e dy shekujve më parë:

“Po them dy fjalë në emër të komandantit tonë, Nikos Mihaloliakos, të kryesisë dhe në veçanti të të ngarkuarit për çështjet e helenizmit, Kristo Papa, i cili nuk mund të ndodhet këtu, pasi regjimi i jashtëligjshëm i Tiranës e ka shpallur atë ‘non grata’ për shkak të aktivitetit të tij patriotik. Por mendja e tij ndodhet këtu me ne. Poeti ynë kombëtar, Dhionisis Solomos ka shkruar: ‘Mos vallë kam gjë tjetër në mendjen time veç lirisë dhe gjuhës?’ Pikërisht këtë kishte në mendje edhe Aristotel Guma. Liri dhe gjuhë, ndaj dhe ra si hero. Vdekja e tij tragjike tregoi se me të vërtetë ai u tregua grek dhe vrasësit e tij tiranë. Eshtë fati i grave të Himarës të lindin heronj. Dhe është fati i kësaj toke që të mbajë në gjirin e saj trima. Si njerëz na vjen keq për vdekjen e tij. Si grekë ne mbajmë në zemrat tona kujtimin e tij, sepse vdekja e tij tregoi madhështinë e burrit. Kriminelët që i hoqën jetën, nuk mund t’i përdhosin emrin, i cili do të mbetet i përjetshëm. Ai humbi jetën për të fituar përjetësinë. Zonja dhe zotërinj, Agimi i Artë nuk vjen në Himarë për të ikur. Bëjmë nderime mbi varrin e tij dhe premtojmë se do të vazhdojmë luftën, deri në momentin e çlirimit. Rroftë Kombi!”, tha Tsankas.

Një pikëpyetje ngrihet ndërkaq: Megjithëse është praktikë e tejkaluar dhe “anti-integrim”, A nuk duhet që edhe këta që flasin për “regjime të jashtëligjshme të Tiranës”, ama vijnë sa herë u teket në këtë “regjim”, të shpallen non grata?

 

a.k

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.