Agimi i Artë me ide të perënduara për Vorioepirin

Partia neonaziste greke “Agimi i Artë” pas skandalit të para disa ditëve kur anëtarët e saj sulmuan tregjet e emigrantëve, tani rishfaqet edhe si anti-shqiptare. Sipas Gazetës Shqiptare ajo i ka kërkuar zyrtarisht llogari Ministrisë greke të Punëve të Jashtme, për faktin që ish-konsulli grek në Korçë, tashmë i është nënshtruar një hetimi administrativ pas përdorimit prej tij të termave “Epiri i Veriut” etj, në qytetin e Korçës.
Rasti i diplomatit Theodore Economou-Kamarinos zë fill në vitin 2011 kur ai u tërhoq nga detyra e Konsullit të Greqisë në Korçë, për shkak se iu drejtua vllehëve me fjalët “gjyshërit tuaj ishin grekë”, “këtu u bënë betejat e lavdishme greke dhe populli grek ka qenë gjithmonë i pranishëm” dhe se “ky rajon është ai që ne e quajmë Vorio-Epir”.
Çështja ka kaluar për hetim administrativ dhe z.Kamarinos akuzohet nga Prokuroria greke për shkelje, me arsyetimin se “shkatërroi vlerat e vendit”.
Por, siç raporton Gazeta Shqiptare, Partia neonaziste “Agimi i Artë”, nëpërmjet deputetit të saj, Kristos Pappas, kërkon ta mbrojë atë nga ndjekja ligjore duke i dërguar me 5 shtator një letër zyrtare Ministrisë së Jashtme greke ku shkruhet:
“Cilat janë arsyet që imponojnë Ministrinë e Jashtme greke për të ndjekur politikën e “fsh-ikullimit” dhe “servilizmit”, duke ndëshkuar diplomatët që luftojnë për realizimin e ligjeve kombëtare? Pse ajo synon të revokojë çdo formë të persekutimit të pajustifikuar kundër këtij diplomati?”
Me sa duket, paaftësinë e politikës greke për të nxjerrë vendin nga kriza, ekstremistët nacionalistë e kanë më kollaj ta mbulojnë duke e orientuar stresin drejt "armikut të jashtëm e të brendshëm".
K.C.
Add new comment