Adem Demaçi bën bilancin e vitit 2014: Në Kosovë, më shumë luftuan për pushtet sesa për shtet. Parashikimi për vitin 2015: Do të jetë dramatik

Vitin 2014 e ka quajtur më të pasuksesshmin për shtetin e Kosovës. I shquar si veprimtar për çështjen kombëtare, Adem Demaçi, në një intervistë të dhënë për “Epoka e Re” ka thënë se papjekurinë e shtetit të Kosovës e ka dëshmuar më së miri ngërçi politik. “Ky ka qenë viti më i pasuksesshëm për Kosovën. Dashtë Zoti e mos na u përsërit më! Më shumë u bë luftë për pushtet sesa për shtet. Ajo që përjetuam për këta gjashtë muajt paraprakë tregoi se nuk jemi pjekur ende. Kështu që, fatkeqësisht kjo tregon papjekurinë tonë. Prandaj, kjo duhet të jetë pika kryesore që duhet të na brengosë të gjithëve”, ka thënë Demaçi në intervistën për “Epokën e re”. Për simbolin e rezistencës kombëtare, Adem Demaçi, ngjarja më e keqe ka qenë lufta e turpshme që u bë për pushtet, kurse si ngjarjen më të mirë e ka cilësuar arnimin e qeverisë së re. Sipas Demaçit, nëse nuk ndodh diçka e papritur, koalicioni qeverisës PDK - LDK do të qëndrojë gjatë në pushtet. “Megjithatë, shqiptarëve nuk u dihet sepse janë të gatshëm të befasojnë për të mirë dhe për të keq. Por, kjo qeveri nuk do të shkojë aq shpejt siç kanë dëshirë disa që u mbeti merak të vinin në pushtet në mënyrë të padrejtë dhe me dallavere”, ka deklaruar ai, duke shtuar se ata që mundohen ta rrezojnë qeverinë, nuk kanë shanse ta destabilizojnë, ta vonojnë prapë Kosovën dhe të veprojnë në kundërshtim me interesat e saj. Demaçi ka parashikuar se viti 2015 do të jetë dramatik për Kosovën sepse do të sjellë probleme dhe vështirësi.
l.v
Add new comment