290 milionë dollarë më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se të ardhurat e 8-mujorit në buxhetin e shtetit arritën në nivelin 2.36 miliardë dollarë, ose 65% e parashikimit vjetor, ndërkohë që ka kaluar 67% e vitit. Të ardhurat janë rritur 14.1% (rreth 290 milionë dollarë) në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Dhe kjo rritje nuk shpiegohet dot vetëm me rritjen ekonomike, sepse, sipas vlerësimit të FMN-së, rritja e Produktit të Brendshëm Bruto këtë vit është rreth 2.1%.
Në rritjen e të ardhurave, taksat që u ndryshuan këtë vit (tatimi mbi fitimin, mbi pagat, dhe biznesin e vogël, si dhe akcizat e taksat nacionale e mbi pronën) kanë kontribuar vetëm me një rritje 82 milionë dollarë (ato u rritën 11.2% krahasuar me një vit më parë). Pjesa tjetër e rritjes ka ardhur nga mbledhja e rritur e TVSH-së, taksave të sigurimeve shoqërore e shëndetsore etj., përqindjet e të cilave pothuaj nuk u ndryshuan këtë vit.
Në krahun e shpenzimeve, bie në sy niveli i ulët i investimeve publike (vetëm 265 milionë dollarë) që përbën 39% të shumës së buxhetuar për këtë vit, ndërkohë që ka kaluar 2/3 e vitit.
E.Zaloshnja
Add new comment