21 janari, Sali Berisha i përmbahet qëndrimit se bëhej fjalë për një puç

Postuar në 22 Janar, 2015 13:57

Një ditë pas ceremonive të ndryshme për 21 janarin, ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, ka dhënë një intervistë posaçërisht për këtë temë. Ai ka folur në televicionin “ABC News” dhe në thelb i është përmbajtur të njëjtit qëndrim që ka përcjellë menjëherë pas ngjarjes, pra në vitin 2011. Ndonëse me një gjuhë tjetër. Për Berishën, demonstrata e 21 janarit ishte marrëveshje për të marrë pushtetin dhe kjo sipas tij nuk lejon që drejtësia të bëhet. “E konsideroj absolutisht të domosdoshme e jetike drejtësinë. Por problemi është se drejtësia s’mund të bëhet, sepse kreu i këtij akti është Edi Rama, i cili i solli njerëzit, siç kanë dëshmuar vetë familjarët e tyre, për të rrëzuar një qeveri me dhunë. Se i implikuar në të është ish-kreu i shtetit, i cili kishte bërë marrëveshje t’i zgjatej mandati apo prokurorja e përgjithshme që kërkonte me çdo kusht që të dominonte Edi Rama. Kush e bllokoi hetimin? Hetimi nisi dhe me specialistë ndërkombëtarë. Po s’pranohej të thirrej Edi Rama, nuk shkonte Edi Rama për të deponuar...Çfarë ndodhi para kryeministrisë? U hodhën mijëra gurë, dinamit, plumba në dritare, u dërrmuan forcat e rendit dhe policia. Sa e shkeli Garda ligjin? Garda ka një ligj. Pse se ndryshuan ligjin këta zotërinjtë? Thanë do e ndryshojnë, ligji është i tyre s’është i yni, rastësi që atë ligj se kemi bërë ne, e ka bërë PS. Pra të gjitha këto janë thjesht një hipokrizi, është një nekropolitikë primitive e neveritshme. A filloi kjo dhunë dhe kjo revoltë për bllokun e Ilir Metës? A u detyruan ata vetë të thoshin se e kishin montuar videon për Sali Berishën, se nuk është e vërtetë. A është Ilir Meta sot shumë më i rëndësishëm se ç’ishte në atë kohë në qeverinë e Edi Ramës? Ilir Meta sot është numri “dy” i Shqipërisë, në protokoll më i rëndësishëm se Edi Rama…”, tha Berisha. Deklaratat e tij vijnë në një kohë që ministri i Brendshëm dhe PS-ja kanë dalë me akuzën se është prokuroria që nuk zhvillon hetime.
s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.