200 mijë euro për 1 javë vizitë në SHBA, - shkruan shtypi i Prishtinës dhe Thaçi përgjigjet: Po rraskapitemi këtu!

Një pjesë e medias, por edhe e opozitës në Kosovë ka bërë kritika të shumta për ato që ata i quajnë shpenzime të tepruara të një delegacioni të Kosovës që ndodhet këto ditë në Shtetet e Bashkuara.
Ky udhëtim i delegacionit kosovar për në SHBA (i përbërë prej më shumë se 30 vetëve) ka “uzurpuar” ballinat e të gjitha gazetave ditore në Prishtinë. “E zbulojnë Amerikën”; “Liderët e braktisin shtetin e zhvatin buxhetin”; “I love NY”, janë vetëm disa nga titujt kryesorë të gazetave. Ato shkruajnë se qeveritarët kosovarë vetëm për këtë vizitë një javore në SHBA do t’i marrin arkës së shtetit të paktën 200 mijë euro. Dhe kanë bërë disa hesape. Një vizitë e një zyrtari kosovar për 7 ditë jashtë bën koston e jetesës 1 vjeçare për 8 kosovarë! Marrin edhe një shembull: Një muaj më parë një delegacion prej 12 personash i Ministrisë së Ambientit kishte habitur kryebashkiakun e Zagrebit. “Një delegacion kaq i madh prej 12 personash na ka ardhur vetëm nga Kina!”, - citohet të ketë thënë i habitur kreu i Zagrebit.
Vetë Thaçi është pyetur në një intervistë në “Zërin e Amerikës” për akuzat mbi teprimet me shpenzimet, por nuk u kushtoi rëndësi kritikave. Citohet Thaçi: “Janë deklarime qesharake. Janë më tepër të qasjes politike, partiake, elektorale. Kosova duhet të përfaqësohet dinjitetshëm me përfaqësuesit e saj më të lartë. Ne këtu zhvillojmë takime me të gjithë liderët botërorë të spektrit të ndryshëm, mund të them. Prandaj ne kemi edhe prezantim, edhe pjesëmarrje në takimet e ndryshme, edhe bilaterale edhe rajonale, edhe forume të ndryshme botërore e në të njëjtën kohë duhet të punojmë të gjithë me liderët e tjerë edhe për procesin e njohjeve. Dhe mund të them se kanë qenë takime dhe vizita jo të kënaqësisë, por raskapitëse në kuptimin e axhendës”.
Thaçi në VOA:
http://www.zeriamerikes.com/content/intervista-thaci-beograd...
Add new comment