20 vjet, Berluskonizmi më radikal e abuziv se fashizmi. A mund të shërohet Italia?

Postuar në 31 Korrik, 2013 05:51

U deshën 20 vjet për ta sjellë Berluskonin para gjyqit për mashtrim financiar. Gjykata e Kasacionit do të marrë vendim (sot në darkë ose nesër në mëngjes) nëse duhet të lërë në fuqi ose të pezullojë dënimin e dhënë nga Gjykata e Apelit të Milanos me 4 vjet burg e 5 vjet ndalim kandidimi për poste publike të Berluskonit. Akuza: mashtrim fiskal.

Arnaldo Capezzuto tek gazeta Il Fatto Quotidiano e konsideron Berluskonizmin më abuzues e radikal se fashizmin. “Një diktaturë e bardhë” e quan ai, ku “çdo tekë ose ekstravagancë e tij u shndërrua në një element të  "normalitetit". Veset e tij private dhe mungesa e virtyteve publike ka modeluar sjelljet dhe qëndrimet e italianëve. Një përpunim i përditshëm që ka modifikuar gjenetikisht një popull: nga qytetarë në telespektatorë-fansa-të nënshtruar të zhveshur nga dinjiteti, bonsensi dhe etika njerëzore.”

Indro Montanelli pat profetizuar se sëmundja e berluskonizmit do të çrrënjoset, kur Italianët të zhvillonin antitrupa, por duket se për fat të keq kjo nuk ndodhi. Sëmundja është bërë kronike. Aq sa Italia duket si e papërgatitur për ta parë në burg.

“Duke parë skizofreninë e këtyre orëve, çmendurinë e mediave, ankthin kolektiv të pritjes, psiko-dramën që të konsumon me debate, diskutime, analiza, fatkeqësisht duket se ky vend kurrë nuk do të shpëtojë nga Berluskonizmi dhe kulti i tij regresiv” shkruan Capezzuto.

k.c.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.