10 vjet nga lumnimi i Nënë Terezës. At Brian: Madhështia e saj, bënte gjëra të vogla me dashuri të madhe

Nesër, më19 tetor mbushen 10 vjet nga lumnimi i Nënë Terezës prej Papa Gjon Palit të Dytë, hapi i fundit ky para shenjtërimit. At Brian Kolodejçak, në Tihuana të Meksikës, i cili punoi me Nënë Terezën gjatë 20 vjetëve të fundit të jetës së saj, është pjesë e përpjekjeve për të bërë të mundur shenjtërimin e Nënë Terezës, e cila megjithëse nuk e ka këtë titull, shihet nga shumë të krishterë si shenjtore. Në një intervistë në Zëri i Amerikës At Brian i është përgjigjur pyetjes së gazetarit se si do të donte Nënë Tereza të mbahej mënd, duke thënë:
“Po të kihet parasysh jeta dhe puna e saj, unë do të thosha se ajo është një mësuese e madhe dhe mishërim i dashurisë. Nënë Tereza me misionin e saj bënte gjëra të thjeshta: ushqente të uriturin, kujdesej për të sëmurin dhe shprehte dashuri për të braktisurin, pikërisht atë dashuri që ajo ndjente se i vinte nga Krishti. Dashurinë që kishte për Krishtin ajo ia transmetonte njerzve më të varfër dhe më në nevojë të botës. Ajo bënte gjëra të vogla me dashuri të madhe...Pra unë mendoj se Nënë Tereza është një shembull i mrekullueshëm se çfarë është dashuria dhe si të jemi të gëzuar në botën e sotme”.
Zh.
Add new comment