10% e rradhëve të policisë shqiptare, ndjekës të Fetulah Gylenit? Blushi e tepron me shifrën, thonë krerët. Por s’e mohojnë fenomenin!

Ish kreu i policisë shqiptare, Hysni Burgaj, është kontaktuar nga "Gazeta Shqiptare" në numrin e sotëm, për t’u prononcuar mbi një pohim të Ben Blushit në librin e tij “Hëna e Shqipërisë”, se rreth 10% të uniformave blu në Policinë e Shtetit janë ndjekës të Fetullah Gylenit që kur janë trajnuar në Turqi. Pohimi, në fakt ka kaluar disi i pavërejtur, ndërkohë që në shtyp e televizion janë komentuar “shqetësimet e mëdha” të ngritura nga autori. Burgaj ka sqaruar se, edhe nëse ka në radhët e policisë “gylenxhinj”, shifrat janë pothuajse të papërfillshme. "Ne nuk i kemi bërë asnjëherë këto statistika, por me aq sa unë kam dijeni, 10 për qind janë shumë dhe absolutisht janë shifra shumë të larta. Në dijeninë time, vetëm 0.01 për qind ose 0.02 për qind e policisë mund të ketë arsim islamik ose të jetë ndjekës i kësaj rryme. Por, jam i sigurt se arsimi islamik i efektivëve të policisë, nuk përbën rrezik për shtetin. Nuk ka lidhje mes arsimit islamik të policisë dhe rrezikut që i kanoset shtetit, aq më tepër kur shifra është kaq e vogël", pohon Burgaj. Edhe Bilbil Mema, i cili për shumë vite ka mbajtur postin si drejtor policie, i rikthyer që nga tetori në radhët e uniformave blu si kreu i Drejtorisë së Studimeve Strategjike në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, mendon se janë të tepruara shifrat e Blushit. Por “e bukura” është se asnjëri nga krerët e policisë nuk e kundërshton fenomenin.
a.k
Add new comment