“Tribuna”: Tejkalimi i krizës në Kosovë, postet lëkundin Bllokun. “Zëri”: Tërhiqet Mustafa, synon Presidencën

Pasi Isa Mustafa, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës kërkoi nga partnerët e koalicionit paszgjedhor të bllokut LVAN që të reflektojnë karshi situatës së krijuar në vend, i nominuari për kryeministër nga ky Bllok, Ramush Haradinaj, ka mbledhur anëtarësinë e gjerë dhe kryetarët e degëve të AAK-së. Gazeta “Tribuna” shkruan se pas takimit ata kanë kërkuar nga partnerët e koalicionit që të respektojnë marrëveshjen e arritur më 10 qershor në mes të LDK-së, AAK-së dhe NISMA-s, e përkrahur më vonë edhe nga Vetëvendosje, për krijimin e institucioneve të reja. Po ashtu, AAK i ka dhënë mbështetje Ramush Haradinajt, për të vazhduar ndërtimin e institucioneve të reja në bazë të marrëveshjes së lidhur mes koalicionit LAN.
Ndërsa gazeta “Zëri” shkruan se Lideri LDK-së, Isa Mustafa, përfundimisht ka hequr dorë nga ambiciet për t’u ulur në “kolltukun” e kryeparlamentarit, duke u fokusuar që në bashkëpunim me partitë e Bllokut fillimisht ta formojnë Qeverinë e më pas të zgjidhet edhe president i vendit. Sipas “Zërit” një vendim të tillë Mustafa e ka marrë, pasi që, tanimë, është bindur se Kushtetuesja ia ka pamundësuar këtij koalicioni ta zgjedhë kryetarin e Kuvendit, duke e njohur PDK-në si grupin më të madh parlamentar dhe të cilës i takon edhe kryetari i Kuvendit.
L.V
http://www.gazetatribuna.com/?FaqeID=2&LajmID=87995
http://www.zeri.info/aktuale/4987/terhiqet-mustafa-synon-presidencen/
Add new comment