“Top Story”, çfarë po ndodh me opozitën?

Postuar në 05 Maj, 2014 02:29

Partia Demokratike në opozitë dhe statusi i liderit të saj, ende i diskutuar mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës, ka qenë në qendër të kësaj të enjteje në emisionin “Top Story” në Top Channel.  Analistë dhe anëtarë e ish-anëtarë të asaj që aktualisht është partia më të madhe e opozitës kanë dhënë mendimet e tyre për aktivitetin e saj në Parlament, si dhe për rolin e kryetarit zyrtar të saj.

Vasjari: Bashës iu trashëgua pushteti

Analisti Arian Vasjari, në fjalën e tij, ka vënë në dukje se Basha po bën përpjekje për t’u afirmuar si lider i PD-së, ndonëse ndodhet ende në  disavantazh. “Shikoj një përpjekje të zotit Basha për të treguar një identitet. E shoh këtë në aspektin organizativ. Ka një përpjekje censusi, për caktimin e koordinatorëve, eleminimin e funksioneve të dyfishta, etj”, ka thënë Vasjari.  Ndërsa dizavantazhi, sipas tij, qëndron në aspektin politik, pasi subjekti ndodhet ende nën ndikimin e madh të ish-kryetarit Sali Berisha.  “Në aspektin e kryetarit burokratik, Basha ka nisur të funksionojë. Ndërsa në atë politik, ende jo. Ka ende një ndikim të fortë të ish-kryetarit Sali Berisha”, ka nënvizuar Vasjari, për të shtuar se, Basha erdhi në krye të PD në mënyrë krejt të veçantë.  “Ai ishte beniamini i Sali Berishës. Mund të fajësojmë Berishën që nuk la të zgjidhej kryetari, por jo zotin Basha që pranoi”, ka shtuar analisti.

Lela: Berisha, zëri më i lartë në PD

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe gazetari Alfred Lela, i cili pa ndroje ka thënë: “Nuk ka dyshim se Berisha është zëri më i lartë në PD”.  Megjithatë, Lela ka vënë në dukje se, “ka edhe zëra të tjerë si zoti Imami, zoti Noka ka qenë gjithashtu i zëshëm, zonja Topalli ndonjëherë më shumë se ç’duhet, etj”.  Por thelbi i problemit sipas tij është mungesa e Bashës në Parlament, gjë që bën që politikisht të jetë Berisha kryetari i Partisë Demokratike.  “Berisha po bën atë që duhet të bëjë, të riparojë cenin e kryetarit të saj që është jashtë Parlamentit. Derisa të zgjidhen strukturat, kam përshtypjen se zoti Berisha do vijojë të luajë këtë rol të fortë”, ka nënvizuar Lela.  Të presim e ta shohim, ka sugjeruar më tej gazetari, por duke shprehu përshtypjen se, zëri i zotit Berisha do vijojë të jetë në sfond.

Bojaxhi: Basha, figurë e kontestueshme

Ndërsa eksponenti i PD, Gjergj Bojaxhi ka thënë se kjo parti aktualisht e ka shumë të vështirë të dalë nga identiteti që i ka dhënë ish-kryetari Berisha.  Sipas Bojaxhi, kjo parti në Parlament vijon të funksionojë me mentalitetin e vjetër të ish-kryetarit, duke zgjedhur akuzat në vend të argumenteve.  “Personalisht do të thoja se ish-kreu i PD ka qenë aq i suksesshëm në politikë gjatë 20 viteve, saqë ka krijuar ndikimin në parti, duke bërë që njerëzit që zgjidhen aty t’i përshtaten politikës së tij”, ka deklaruar Bojaxhi.  “Deri tani nuk kemi parë që deputetët të flasin me argumente. Kjo që shohim ne tani është e frikshme, por tregon mënyrën se si ka funksionuar në PD Berisha”, ka thënë ai.  Zoti Bojaxhi ka vlerësuar me nota pozitive zgjedhjet që po bëhen aktualisht në PD, por edhe ato sipas tij e kanë një mangësi.  “Janë zgjedhje që zoti Basha të konsolidojë pushtetin e tij dhe këtu nuk ka asgjë të keqe. Por nga ana tjetër, mënyra se si ai po bën seleksionimin është vetëm një spostim njerëzish, duke afruar ata që ka më shumë pranë vetes”, ka theksuar Bojaxhi.  Sipas tij, nëse merret në shqyrtim figura e zotit Basha, duhet të merret parasysh “vlerësimi ekstra” që atij i ka dhënë PD, ndryshe nga të tjerët.

“Gjithashtu, duhet të flasim për legjitimitetin. Nuk duhet të harrojmë se si u bë Rruga e Kombit dhe gjëra të tjera që ishin në përgjegjësinë e zotit Basha. Basha është një figurë që sado aftësi të ketë, është e kontestueshme”, ka pohuar Bojaxhi.  Megjithatë, ka sugjeruar më tej ai, edhe ata që nuk e kanë votuar zotin Basha në krye të PD, duhet ta mbështesin dhe t’i japin një mundësi për të treguar veten.

Rakipllari: Basha, kryetar legjitim

Një mendim ndryshe nga parafolësit ka shprehur gazetari Robert Rakipllari, kryeredaktor i gazetës “Panorama”, sipas të cilit kryetari aktual i PD ka kredencialet e duhura.  “Unë kam një optikë tjetër. Zoti Basha jo më kot u votua nga 80 për qind e anëtarësisë së partisë dhe kjo ndodhi për shkak se ka bërë një betejë elektorale dhe ka mundur atë që sot është kryeministër”, ka deklaruar Rakipllari.  Sipas tij, ky ishte një test i rëndësishëm për Bashën, që e legjitimon atë si kryetar i Partisë Demokratike. “Zoti Basha i mori votat, që ishin një test i publikut. Ai ka vetëm 8 muaj në krye të PD dhe ne do ta gjykojmë hap pas hapi. Basha është i detyruar të bëjë opozitë, ose një lloj bashkëpunimi, me PD-në e ngritur nga ish-kryetari i saj”, ka vlerësuar Rakipllari.

Marku: Basha s’ka legjitimitet politik

Ndërsa për ish-deputetin e PD, Mark Marku, zoti Basha aktualisht ka më tepër një status formal në krye të partisë sesa një status politik, pasi ky i fundit sipas tij mbahet nga ish-kryetari. “Problemi qëndron në faktin se në PD kemi një kryetar që ka legjitimitet formal, sepse është zgjedhur, si dhe një kryetar tjetër që ka një legjitimitet politik. Në politikë mund të kesh një post, por mund të mos kesh një rol”, ka deklaruar Marku.  Ai është shprehur i bindur se, aktualisht është Berisha që ka legjitimitetin politik në PD, pasi e ka transformuar atë sipas identitetit të vetë dhe arrin që përmes aftësive të tij ta kapë partinë.  “Legjitimiteti i një lideri politik nuk është vetëm formal, por edhe informal. Basha nuk e ka fituar postin përmes një legjitimiteti politik, por atij ia ka deleguar Berisha legjitimitetin e vet, duke i lehtësuar zgjedhjet në krye të PD”, ka vijuar Marku.  Ai ka shtuar se, që PD dhe lideri i saj të fitojnë legjitimitet, “duhet që zoti Basha të prezantojë një projekt politik të vetin, një status politik të vetin dhe një program të vetin”. “Aktualisht kemi një arrogancë të pushtetit, për shkak të mungesës së opozitës”, është shprehur më tej ish-deputeti demokrat.

Nazarko: Basha, kryetar i trashëguar

Në të njëjtën linjë ka qenë edhe qëndrimi i analistit Shpëtim Nazarko, i cili ka mbështetur atë që tha shumica e parafolësve, se Basha është një kryetar i trashëguar.  “Basha është trashëgimtar. Pse? Sepse erdhi me duar në xhepa dhe i mori të gjitha”, është shprehur Nazarko, i cili e ka akuzuar PD se gjatë qeverisjes ka vepruar si një parti komuniste.  Megjithatë, ai ka qenë i mendimit se historia me Berishën në krye të PD është e mbyllur. “Sepse edhe po u kthye ai, PD nuk ka ku shkon. Sot të gjithë ata janë batakçinj. Berisha është në një pozitë më të keqe tani sesa kur ishte në pushtet”, ka thënë Nazarko.

Incidenti i Mesila Dodës

Në kohën kur në sallën zhvillohen debate të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës, para Kuvendit ish të përndjekurit njoftuan nisjen e një greve për të kërkuar nga klasa politike dëmshpërblimet e tyre. Deputetja e Partisë Demokratike Mesila Doda tentoi të mbështeste protestën e tyre, por u refuzua nga ish të përndjekurit, një shtresë që në 23 vite është klasifikuar si votuese e së djathtës dhe e PD-së.  Incidenti në vetvete mund të shihet edhe si një pasqyrë e gjendjes së sotme të PD-së, kur thuajse po mbushet viti nga 23 qershori. Një parti opozitare që për shumë analistë është ende në kërkim të vetvetes.

Për Robert Rakipllarin aksionet e opozitës duhet të kenë moraliteti, të jenë aksione që kalojnë elektoratin besnik dhe shkojnë tek pjesa gri e votuesve. “Kjo është e vështirë të ndodhë sot me opozitën sepse duhet ekipi i ri i opozitës, që sot nuk e kemi. Do të duhet ekipi i ri i kryetarit të ri të PD. Kemi një opozitë shumë të zëshme, kemi deputetë që reagojnë për gjithcka, por publiku nuk duhet ta perceptojë reagimin ndaj qeverisë si reagimin e të përmbysurve që kanë ikur”, deklaroi Rakipllari.

Akuzat ndaj ushtrisë për trafik droge

Duke komentuar akuzat ndaj ushtrisë, Rakipllari tha: “Sa për akuzat e trafikut ndaj ushtrisë, unë personalisht i besoj deklaratës së Visho Ajazit dhe personalisht nuk do të përfshija ushtrinë në këto akuza”.  Për ish-deputetin demokrat dhe ish-anëtarin e PD-së, Mark Marku, akuzat ndaj ushtrisë janë një këmbanë alarmi për nevojën për të patur një opozitë reale, ndërsa kritikoi edhe aksionin e qeverisë për të mbyllur aeroportin e Gjadrit.  “Rasti i drogës është rasti që tregon që kemi nevojë për një opozitë reale me një projekt dhe besueshmëri. Unë personalisht nuk e besoj. Është një propagandë. Por pashë një javë më vonë, që qeveria vendosi betona në pistën e Gjadrit, aty ku kishte akuza se janë ndaluar avionë. Nëse vërtetë avionët shkojnë atje, nuk ke pse betonon një aeroport të shtetit për të ndaluar mushkonjat që opozitës i duken si avionë.

Reformimi i opozitës

Marku vazhdoi duke kritikuar opozitën, e cila sipas tij nuk mund të kthehet në legjitimitet duke kritikuar të gabimet që deri dje i bënte vetë.  “Kjo opozitë është totalisht e korruptuar. Për këtë arsye duhet ekip i ri, sepse nuk mund të kthehet në legjitimitet një opozitë që para një viti ka bërë të njëjtat gjëra që po bëjnë këta sot, apo që do të bëjnë nesër. Ndryshimi formal duhet të shndërrohet në ndryshim thelbësor. Opozita duhet të ketë fytyrën e pastër, fytyrën e re në mënyrë që të kemi një opozitë referenciale ku të gjitha përpjekjet e qeverisë të mbështeten për të krijuar një barrierë. Opozita nuk ka kurajon për t’u përballur me të shkuarën e vet, për të hequr të korruptuarit dhe për të shmangur të paaftët. Nuk mund të shkojë tek ish të përndjekurit opozita e sotme kur një vit më parë, dy muaj para zgjedhjeve ka sjellë dy emra, dy ish-prokurorë të regjimit komunist për t’i votuar, dhe i votoi për në Gjykatën Kushtetuese”, tha ish-deputeti demokrat.

Për analistin Arjan Vasjari: “PD do ta ketë të vështirë ringritjen e saj sepse ka humbur ish të përndjekurit dhe pronarët. Opozita jo thjesht vuan nga ajo që s’po ambientohet me humbjen. PD duke qenë e orientuar në sjelljen e Berishës ka gabuar, gaboi në nëntor me cështjen e armëve kimike, cështje jashtëzakonisht e rëndë, por gaboi edhe në rastin e trafikut të drogës, sepse edhe nëse ka, nuk mund të akuzosh gjithë Forcat e Armatosura. Pyetja që duhet të shtrohet është a do të ketë kapacitete zoti Basha të shkëputet nga modeli i Berishës që më 23 qershor u penalizua? Kjo është pyetja më e rëndësishme që duhet bërë. Unë deri më tani e shoh të vështirë dhe kjo do të shihet në testin e parë, që janë zgjedhjet e vendore”.

Pjesë e opozitës dhe një kritik i madh i saj, Gjergj Bojaxhi shtoi: “Opozita e sotme do të ketë të vështirë ringritjen sepse nuk ka pranuar ende përgjegjësinë dhe nuk ka zhvilluar ende një analizë të gabimeve të 8 viteve qeverisjeje. PD nuk ka parametrat se si bëhen zgjedhjet dhe unë nuk po e shaj sot për këtë gjë. Ne i shohim dhe i dimë se kë njerëz ka partia dhe kë ka përdorur për 8 vjet dhe është absurde që të pretendosh që po afrojmë brezin e ri, kur po heqim një që ka qenë ministër dhe po vendosim një ish-drejtor që ka bërë të njëjtën gjë si ish-ministri, ose mos më keq”.

Për Mark Markun Partia Demokratike vazhdon të drejtohet nga Berisha. Ai tha se Basha ngjan më shumë me një kancelar të PD-së. “Nuk ka bërë fjalimin hyrës në politikë. Ai ka hyrë dhe direkt është vënë të administrojë”, tha ai.  Por për Rakipllarin “Basha është një lider normal. Nuk është një lider historik dhe ka të gjitha parametrat për të qenë një lider normal”.  Gjergji Bojaxhi deklaroi se lidhja që ka me Berishën, e pengon kryetarin e ri të PD-së që të pranojë problemet e së shkuarës. “Programin e tij, parimet e tij dhe problemet kryesore që ka ky vend sipas tij, ky kryetar duhet t’i kishte thënë që sapo u zgjodh. Arsyet që nuk janë thënë ende është sepse në mënyrë indirekte do t’i duhet të pranojë problemet e të shkuarës. Por kjo pengohet për shkak të lidhjes Basha-Berisha”, tha ai.

/ Top Channel/

Comments

Submitted by Mesila s'ka per... (not verified) on

Mos e ngaterrojme Mesila Doden

dhe askend prej moshave te reja,

aq me pak kur ata i perkasin drejte per drejte shtresave te munduara nag diktatura,

pra s'ka shkak t'i ngaterrome keta me Berishen dhe pinjollet qe iu afruan se Djathtes per sebep te pluralizmit.

Me siguri kane qene provokatore, ata qe iu kundervune Mesiles, ose se paku te painformuar.

Mesila Doda nuk mund te perballet me pergjegjesi qe i krojoi prej ushtrimit te pushtetit Sali berisha apo te tjeret

perqark tij...

Mesila e plote te tjere, hyjne tek ata qe e kane vuajtur diktaturen, teksa s'mund te thuhet kjo per Berishen etj.

Nese keta ish te burgosur politike nuk u rebeluan ndaj Berishes, kjo tregon se e kane humbur te drejten per ta

pare fajin e PD-se tek Mesila.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.