“Të kemi futur në rreth. Do na paguash 100 mijë dollarë, përndryshe do marrësh përsipër pasojat”

Dëshmia e biznesmenit amerikano-shqiptar me inicialet R.H në Gjykatën e Krimeve të Rënda ka zbardhur mesazhin kërcënues të Fatos Skejës, ish-truprojë e familjes së ish-kryeministrit Sali Berisha.
Biznesmeni, i cili identifikohet vetëm me inicialet R.H ka paraqitur para gjykatës mesazhin e plotë telefonik ku pretendon se është kërcënuar nga ish-gardisti Skeja dhe Gojart Loci.
“Të kemi futur në rreth. Do na paguash 100 mijë dollarë, përndryshe do marrësh përsipër pasojat”, thuhej në mesazhin elektronik, raporton “Top-Channel”.
Biznesmeni denoncoi rastin në gusht të vitit të kaluar. Lindur në Kalanë e Dodës dhe me banim në Shtetet e Bashkuara ai paraqiti në polici mesazhin telefonik si provë për kërcënimin e marrë.
Shqiptaro-amerikani ka shpjeguar se autorët e kishin kërcënuar seriozisht me jetë, duke i lënë të kuptojë se ia njihnin mirë familjen dhe e kanë urdhëruar të paguajë paratë.
Megjithëse padia u ngrit që në gusht, kur qeveria Berisha ndodhej ende në pushtet, arrestimi i Fatos Skejës dhe Gojart Locit u bë vetëm në muajin dhjetor.
Ish-gardisti është përfolur edhe për rastin e 21 Janarit 2011, kur u akuzua se i kishte ofruar para familjes së Hekuran Dedës, njëri prej 4 viktimave të tragjedisë, në këmbim të vizitës së ish-kryeministrit Berisha në banesën e tyre.
Add new comment