“Panorama”: Pasuritë e zyrtarëve, shmanget Nishani

Në kryeartikullin e saj të sotëm gazeta “Panorama” zbardh detaje nga nisma e maxhorances për heqjen e së drejtës së Presidentit për të propozuar kreun e ILDKP. Përmes një nisme të depozituar në Kuvend e që është përfshirë në kalendarin trijavor të Kuvendit, gjashtë deputetë nga PS dhe LSI të Komisionit të Ligjeve kërkojnë disa rregullime në ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”.
Propozimi më i rëndësishëm në ligj që prek marrëdhëniet mes institucionit të Presidentit dhe Kuvendit është neni 11 i tij, pika 2, e cila e përjashton kreun e shtetit nga propozimi i kandidaturave për kreun e ILDKPsë. Ligji aktual, në nenin 11 , pika 2 shprehet: “Inspektori i Përgjithshëm zgjidhet nga Kuvendi, me propozimin e Presidentit, ndërmjet dy kandidaturave, për një mandat 5-vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje”. Me propozimin e ri, i njëjti nen ndryshohet në: “Inspektori i Përgjithshëm zgjidhet me shumicën e gjithë anëtarëve të Kuvendit për një periudhë prej 7 vjetësh, me të drejtë rizgjedhje”.
Add new comment