“Kush e kërkoi kokën e Fullanit?” Hipotezat për arrestimin e ish-Guvernatorit në “Opinion”

Postuar në 11 Shtator, 2014 15:51

Emisioni “Opinion” ka patur sot si temë qendore çështjen e Bankës së Shqipërisë me theks të veçantë te Ardian Fullani dhe fati i tij penal dhe politik, nëse mund të shprehemi kështu. “Kush e kërkoi kokën e Fullanit”, shtronte pyetjen emisioni në fjalë, përgjigjen e të cilës janë përpjekur ta japin Aleksandër Frangaj, Andrea Stefani, Artur Zheji, Artan Hoxha, Ylli Rakipi dhe Fatos Lubonja. Së pari duhet nënvizuar se një pikë ku është rënë dakord nga të gjithë ka qenë masa e arrestit dhe masa e sigurisë, që janë konsideruar si të pavenda dhe të tepruara. Së dyti të ftuarit kanë rënë dakord se aktakuza e prokurorisë është e pandërtuar mirë dhe madje ajo, sipas Çlirim Gjatës, që ka qenë në lidhje me emisionin, nuk përfaqëson dot një bazë për procedim penal, por e shumta për shkelje adminstrative. Është dhënë një argument qendror për këtë që është deklarata e kryeministrit Edi Rama, i cili ka pranuiar se në Shqipëri ka stabilitet financiar. Për Gjatën ky pohim i njeh Fullanit përmbushjen e detyrës kryesore. Pse atëherë u arrestua Ardian Fullani? Në këtë pikë të gjithë kanë dalë me hipoteza, të ndërthurura me akuza. Ylli Rakipi, në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të “Ora –News” ka deklaruar se e gjithë politika ka bërë presion që media të mos flasë për dorëhqejen e Ardian Fullanit. Nga e majta në të djathtë. Madje ka premtuar se do të botojë mesazhet. Pra ka patur një dakordësi të politikës për të mbrojtur Guvernatorin. “Respublica” e ka nënvizuar këtë fakt që ditën e arrestimit dhe ende aktualisht rubrika “Zululand” ka në titull të vetin pikërisht këtë heshtje mediatike, sidomos të televizioneve. Nga ana tjetër një hipotezë është hedhur nga Andrea Stefani, që ka deklaruar se mund të kemi të bëjmë me një iniciativë të Prokurorisë, e cila ka tentuar të rindërtojë imazhin e vet. Por kjo do të kërkonte mosndërhyrjen e politikës, çka sipas Lubonjës as që mund të mendohet në këtë vend. Një hipotezë është hedhur nga Frangaj, sipas të cilit, procedimi i shpejtë, dhënia e masës së sigurisë pa u thirrur asnjëherë Fullani dhe sidomos mosarrestimi i disa personave, me pozicione kyçe në sigurinë e Bankës, flasin për një prapaskenë që synon kapjen e bankës. Duhet thënë se në BSH aktualisht punojnë në funksione drejtorësh familjarë të zyrtarëve shumë të lartë të qeverisë. Një hipotezë e tretë është hedhur nga Lubonja që e sheh këtë lojë të kurdisur nga grupet e biznesit, pranë politikës, që i gjetën rastin Fullanit për të dhënë goditje në funksion të “larjes së hesapeve” për borxhe të ndryshme apo edhe për influencë. Një gjë që ka rënë në sy është fakti se Ylli Rakipi dhe Aleksandër Frangaj, si më të informuarit, nuk kanë dashur të flasin me emra konkretë. E sigurtë është se një pjesë e njerëzve kanë nisur të shohin prapaskenën e çështjes “Fullani”, ku ky i fundit tanimë po merr profilin e viktimës së një loje politike që siç u shpreh Lubonja, pasqyron ndryshimin e pushtetit. Por cila është kjo lojë? “Prokuroria ka kërkuar me kërcënim ndaj policisë që Fullani të arrestohet në zyrë”, ka deklaruar Frangaj, sipas të cilit “Fullani u çua në kafaz për të liruar vendin”. Por ky vend i liruar natyrisht që do të ketë si paradhënie konsensusin për emrin e ri, i cili në thelb është pjesë e një këmbimi për interesa të tjera. Vetëm sot Ylli Manjani do të theksonte që emri i ri nuk duhet të përdoret për koncesione politike,  çka do të thotë se një gjë e tillë po ndodh.

s.z 

Comments

Submitted by Anonim (not verified) on

<p>Te gjithe miq te Fullanit,te gjtihe qelbesira,me vjen neveri ti shoh jo me dhe ti degjoj,ptuuuu!</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.