“Kathimerini” shkruan për “të paprekshmit dhe idhujt e dikurshëm që sot janë në burg”. “Do të duhej të ishin edhe të tjerë”, shkruan gazetari Boukalas

Gazeta greke “Kathimerini” i ka kushtuar një shkrim të shkurtër, atyre që i quan “idhuj të rënë”. Bëhet fjalë për figura të njohura politike, mes të cilëve edhe nga ata që dominuan periudhën politike që pasoi Juntën ushtarake të Papadopulos. Dhe që sot ndodhen pas hekurave, me akuza nga më të rëndat, të përlyer në korrupsion të dokumentuar mirë. Akis Tsochatzopoulos, ish-ministër i Mbrojtjes, “një figurë legjendare e lëvizjes socialiste greke që gati sa nuk u bë kryetar i partisë ka kohë që është në burg”, thotë gazetari Pantelis Boukalas. Lista pasohet me një tjetër figurë drejtuese të PASOK-ut, Yiannos Papantoniou, edhe ky në burg. Kalojmë nga e djathta: ish-kreu u Bashkisë së Selanikut, Vassilis Papageorgopoulos, ndodhet në burg, për të ardhur edhe te patrioti Karatzaferis, që është nën akuzë për abuzim. Ecet më tej me një tjetër politikan premtues të së djathtës, Panayiotis Psomiadis, i nxjerrë nga skena dhe për të mbërritur te fshesa thuajse totale ndaj Agimit të Artë. “Do të kishte shumë herë më tepër raste...nëse liritë e pushtetit gjyqësor nuk do të shkeleshin ende nga sistemi politik...”, vijon gazeta. Dhe me këtë rast sugjerohet ky eksperiment: të merren videot e këtyre të sipërcituarave teksa me pompozitet flasin për familjen dhe atdheun, për sakrificat që kanë bërë dhe kontributet, të montohen bashkë dhe t’i vihen një turme njerëzish. “Është e sigurtë se dhoma do të shkundet nga të qeshurat”, vijon Boukalas. Nuk ka sesi që ky shembull të mos na sjellë në Shqipëri, ku të paprekshmit, kanë në karakteristikën, që sot i thonë CV, jo vetëm korrupsion dhe babëzi, por edhe krime. Dhe me gjasë një masë mbi 50% e të gjithë atyre që sot bilbilojnë për demokraci dhe liri, europianizëm dhe të drejta, apo japin edhe vendime në gjykata, me siguri që do të ishin brenda, në ndonjë burg, ndoshta me më pak se 106 dhoma, po të mos ishte për një sistem gjyqësor që thuajse nuk është. Ndoshta, qoftë edhe për këtë Europa, si destinacion, i duhet Shqipërisë më shpejt se kurrë.
http://www.ekathimerini.com/4dcgi/_w_articles_wsite3_1_24/11/2014_544873
s.z
Add new comment