“Jo racizmit”, një devizë e UEFA-s që pret të provohet si e vërtetë

Një grup qytetarësh dhe organizatash shqiptare kanë shpërndarë një e-mail ku lajmërojnë se i kanë dërguar UEFA-s një letër të hapur me argumente bazuar në rregulloret e futbollit, mbi të cilat gjykohet ndeshja e Beogradit. Kërkohet përmes kësaj letre dënimi i Federatës Serbe të Futbolit, por vihet sidomos në qendër të vëmendjes racizmi, që është moto e futbollit. Është një letër që përmbledh disa argumente referuar neneve të rregullores, kështu që për të interesuarit po e botojmë të plotë:
“Nëpërmjet kësaj letre të hapur, i kërkojmë UEFA-s të hetoj urgjentisht, profesionalisht dhe me paanshmëri ngjarjet e ndodhura gjatë lojës për eliminatoret EURO 2016, Serbi – Shqipëri, më datë 14 tetor 2014, në Beograd, Serbi. Bazuar në faktet e mëposhtme i kërkojmë UEFA-s të marrë një vendim mbi baza profesionale e jo emocionale të njëanshme, dhe të vendosen baza të forta që incidente dhe provokime si ato që iu bënë skuadrës kombëtare të Shqipërisë, të mos ndodhin duke shkelur çdo rregull të futbollit dhe të mos bëhen precedent të rrezikshëm për zhvillimet e këtij sporti në të ardhmen kudo në botë. Duke marrë parasysh ngjarjet, në vijim ju prezantojmë shkeljet flagrante të Rregullores Disiplinore të UEFA-s (2014) nga Federata Serbe e Futbollit:
1. Shkelje flagrante me Rregulloren e UEFA-s dhe veçanërisht me Nenin 14 të saj. Propagandë raciste dhe ndjellëse e urrejtjes që u zhvillua para fillimit të lojës dhe u vijua në mënyrë konstante gjatë lojës, duke vazhduar edhe pas ndërprerjes së lojës në minutën 42:
a) Thirrje të njëpasnjëshme dhe të përsëritura raciste, në kor nga tifozët serbë që ishin duke ndjekur lojën si dhe pankartat e pranishme në stadium: “Vritini, vritini Shqiptarët”, “Kosova është Serbi”, “Vrisni çdo Shqiptar që ata të mos ekzistojnë më”, “Vritini Shqiptarët që Kroatët të mos kenë më vëllezër”, etj;
b) Djegies së flamurit shqiptar nga tifozët e kombëtares së Serbisë në tribunën e stadiumit, të cilët kishin ekskluzivitetin e stadiumit pasi nuk ishte lejuar asnjë tifoz shqiptar, as brenda e as jashtë tij;
c) Djegies së fanellës së kombëtares të Shqipërisë nga tifozët e kombëtares së Serbisë në tribunën e stadiumit;
d) Djegies së flamurit të NATO-s nga tifozët e kombëtares së Serbisë në tribunën e stadiumit;
UEFA duhet t’i përmbahet rigorozisht vlerave që ka promovuar gjithmonë dhe sloganit të saj “Thuaji JO Racizmit!”, duke u shprehur qartë dhe duke marrë masa të rrepta në raste të tilla të shfaqjeve ksenofobe e gjuhe urrejtjeje në fushën e sportit.
2. Shkelje flagrante e Rregullores së UEFA-s dhe veçanërisht të Nenit 16, që trajton detyrimin e organizatorëve vendas për të ruajtur sigurinë dhe rendin në fushë, brenda dhe jashtë stadiumit, përpara, gjatë dhe pas përfundimit të lojës:
a. U shkel në mënyrë eksplicite nga organizatorët Neni 16/a, duke lejuar, futjen e tifozëve në fushën e lojës, ndër të cilët edhe tifoz apo persona më precedent penal të njohur ndërkombëtarisht dhe të dënuar më parë edhe nga vetë autoritetet e UEFA-s;
b. U shkel në mënyrë eksplicite nga organizatorët Neni 16/b duke lejuar hedhjen e objekteve në fushë, duke filluar që në minutën e 10 të lojës me goditjen e portierit te kombëtares shqiptare me sende të forta të hedhura nga stadiumi e duke vijuar më pas, me hedhjen e objekteve në fushë përgjatë gjithë kohëzgjatjes së lojës;
Ky nen u shkel gjithashtu nga organizatorët e lojës duke mos marrë masat e duhura për sigurinë e lojtarëve, duke lejuar që objekte nga qielli të fluturonin mbi fushë, si rasti i avionit të telekomanduar që përmbante simbole shqiptare, e cila u tërhoq poshtë me forcë nga lojtari i skuadrës serbe dhe u nëpërkëmb nga lojtarë të tjerë të kësaj skuadre, duke krijuar provokim dhe premisa për përplasje në fushë. Siguria e lartë e cila para supozohej të ishte brenda dhe jashtë stadiumit nuk duhet të lejonte në asnjë mënyrë fluturimin e asnjë objekti mbi fushë. Për shkak të vendimit të UEFA-s përpara lojës, kishte mungesë të plotë të tifozëve shqiptarë si brenda, ashtu edhe jashtë stadiumit Partizani, i cili ishte rrethuar në rreze shumë të gjerë nga forca të panumërta policore. Ky fakt provon qartazi se banderola me simbolet shqiptare, nuk ka fluturuar në fushë e drejtuar nga shqiptarë, por ka qenë një provokim i qartë për skuadrën kombëtare të Shqipërisë. Theksojmë se fluturimi i banderolës në fushë nuk ishte arsye e pushimit të lojës, pasi ndeshja ishte pushuar pak minuta më parë për shkak të hedhjes së fishekzjarrëve në fushë!
c. U shkel në mënyrë eksplicite nga organizatorët Neni 16/c, duke lejuar hedhjen e fishekzjarrëve në fushë, të cilat u bënë veçanërisht shkak për ndërprerjen e lojës në minutën 42;
d. U shkel në mënyrë eksplicite nga organizatorët Neni 16/d, duke lejuar përdorimin e laserëve për t’i shqetësuar apo verbuar lojtarët në fushë, si dhe duke përdorur avion elektrik të telekomanduar mbi fushën e lojës;
e. U shkel në mënyrë eksplicite nga organizatorët Neni 16/e, duke lejuar praninë e pankartave raciste dhe ndjellëse të urrejtjes të cilat ishin ngritur nga tifozët në stadium, si dhe djegien e simboleve kombëtare të Shqipërisë dhe djegien e flamurit të NATO-s në tribunën e stadiumit;
f. U shkel në mënyrë eksplicite nga organizatorët Neni 16/f, duke shkaktuar dëme të jashtëzakonshme dhe duke vënë në rrezik të thellë jetën e lojtarëve të skuadrës kombëtare shqiptare. Tifozët të cilët janë futur në fushë, por edhe punonjës të cilët duhet të garantonin sigurinë, kanë sulmuar dhunshëm në mënyrë të frikshme lojtarët e kombëtares shqiptare edhe në fushë edhe në tunelin për t’u futur në dhomat e zhveshjes. (PËR SHKAK TË KËSAJ DHUNE FIZIKE DHE PSIKOLOGJIKE LOJTARËT E SKUADRËS SHQIPTARE NUK MUND TË ISHIN MË NË GJENDJE FIZIKE PËR TË VIJUAR LOJËN!)
g. U shkel në mënyrë eksplicite Neni 16/g, duke ndërprerë, tallur, fishkëllyer në kor dhe duke i kthyer kurrizin fushës ndërkohë që këndohej himni shqiptar. Kjo sjellje është e paprecedent dhe shkelje e çdo rregulli të futbollit, të marrëdhënieve ndërkombëtare e mbi të gjitha të etikës njerëzore. Çdo shkelje e mësipërme është e provuar me foto dhe filmime ndërkombëtare.
Në këto kushte:
Të shqetësuar thellësisht pas dhunës së jashtëzakonshme fizike dhe psikologjike të ushtruar ndaj lojtarëve të skuadrës shqiptare, të cilët ndonëse mbajtën një qëndrim shembullor gjatë gjithë zhvillimit të lojës, u keqtrajtuan dukshëm fizikisht duke bërë të pamundur që në të tilla kushte fizike dhe psikike ata të mund të vijonin lojën;
Të zhgënjyer thellësisht për paaftësinë e Federatës Serbe të Futbollit për të krijuar standardet minimale për sigurinë fizike të lojtarëve të Kombëtares shqiptare nga tifozë të dhunshëm, si dhe nga punonjës të cilët duhet të garantonin sigurinë e tyre, duke vënë në rrezik të jashtëzakonshëm jetën e lojtarëve në fushë dhe të tifozëve;
Të tronditur thellësisht pas veprave raciste dhe ksenofobe (përfshirë edhe dhunimin e simboleve kombëtare e ndërkombëtare) të cilat dëmtojnë rëndë imazhin dhe kulturën e sportit në nivel botëror:
Kërkojmë të merren urgjentisht masa të rrepta kundrejt Federatës Serbe të Futbollit, dhe të merret një vendim profesional, bazuar mbi legjislacionin përkatës dhe në moton bazë të UEFA-s “Thuaji JO racizmit” duke dënuar në mënyrë maksimale këtë ngjarje të frikshme që përveçse dhunoi skuadrën kombëtare shqiptare në çdo aspekt, tronditi të gjithë botën e qytetëruar dhe futbollin në përgjithësi”.
Comments
"No to Racism" eshte thjesht
<p>"No to Racism" eshte thjesht hipokrizi.</p>
No to Racism mbase do vlente
<p>No to Racism mbase do vlente nqs psh do ishim te zinj (populli i Obames), se ballkanas kunder ballkanasve nuk duket ndonje fare racizmi ne opinionin publik. V<span style="font-size: 1.2em; line-height: 1.7em;">endimi evropian do te niset nga interesat sportive, ekonomike, politike, lobimi me influent etj.</span><span style="font-size: 1.2em; line-height: 1.7em;"> </span></p>
Add new comment