“Il Tempo”: Romë, zbulohet celula e shqiptarëve, rekrutonte xhihadistë. Nisin hetimet italiane për antiterrorizmin

Një celulë rekrutimi me shqiptarë nga të gjitha trevat shqipfolëse është zbuluar në Itali. Lajmin e raporton e përditshmja “Il Tempo”, sipas së cilës, autoritetet italiane janë vënë në lëvizje për të neutralizuar sa më shpejt të gjithë anëtarët e saj. Sipas gazetës, celula me bazë në Romë rekrutonte shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, për t’i dërguar të luftonin në Siri. Pjesëtarët e celulës janë shqiptarë me banim në Itali, të cilët shfrytëzonin lidhjet me vendet e origjinës. Grupimi i shkollës Salafi kishte degë edhe në Milano, Siena dhe Luka. Autoritetet italiane po i mbajnë prej kohësh nën vëzhgim personat e dyshuar, të cilët konsiderohen veçanërisht të rrezikshëm për shkak të aktivitetit të tyre, edhe pse nuk bëhet me dije nëse kanë planifikuar apo jo ndonjë sulm të mundshëm terrorist në Itali. Në Romë, mendohet se celula ka bazën në lagjen Çentoçele, në lindje të kryeqytetit italian. Sipas burimeve italiane nga agjencia antiterroriste, vështirësia më e madhe është lokalizimi i xhamive dhe objekteve ku këta individë mblidhen. Në fakt, për të mos rënë në sy, ata mblidhen në lokale të ndryshme të Romës sepse xhamitë dhe qendrat e kulturës islame janë nën shënjestër të agjencive të sigurisë në vend. Dyshohet se deri tani, falë punës që kanë bërë në Itali, celula e shqiptarëve ka arritur të nisë 59 vetë për të luftuar për Shtetin Islamik në Irak dhe Siri.
l.v
http://www.iltempo.it/cronache/2015/01/19/a-roma-la-cellula-degli-jihadisti-albanesi-1.1369391
Add new comment