“Deutsche Welle”: Politika e BE ndaj refugjatëve: Secili në punën e vet, sistemi ka marrë fund

“Deutsche Welle” shkruan se kontrabandistët kanë zbuluar vazhdimisht mënyra të reja, për të sjellë njerëz në Evropë ndërsa BE është i pafuqishëm dhe i përçarë në reagimin e tij. Në vitin 2014 më shumë se 276.000 persona kanë hyrë ilegalisht në Europë. 140 përqind më shumë se një vit më parë, këto janë shifrat e Komisionit Europian. Dhe shumica më e madhe e këtyre njerëzve ka ardhur nga deti Mesdhe. Metoda e fundit e kontrabandistëve është dëshmuar sa mizore, aq edhe fitimëprurëse. Ata blejnë anije mallrash të dala nga përdorimi, fusin në to qindra refugjatë, i marrin secilit prej tyre disa mijëra euro dhe rrugës kapiteni braktis anijen dhe e çon atë me sistem komandues me autopilot drejt Italisë. Sipas “Deutsche Welle” një politikë e koordinuar dhe gjithëpërfshirëse europiane për refugjatët nuk ekziston. Sistemi Dublin, sipas të cilit një refugjat duhet të kërkojë azil në vendin në të cilin ai shkel për herë të parë tokën evuopiane, ekziston vetëm në letër. Vendi më i rëndësishëm i mbërritjes Italia i shmang mysafirët e paftuar në mënyrën e vet: Ajo i lë zakonisht refugjatët që të udhëtojnë drejt veriut, për shembull në Gjermani. Kontrolle kufitare ndërmjet vendeve të zonës Shengen, në të cilën bëjnë pjesë shumica e vendeve të BE-së, nuk ka më. Dieter Romann, President i Policisë Federale, u shpreh në fillim të javës në gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung: "Nëqoftëse hyrjet ilegale të personave pa të drejtë hyrjeje bëhen momentalisht vetëm në shtetet e sigurta fqinje të RFGJ-së, kjo nuk flet patjetër për një sistem funksional të Shengenit dhe Dublinit." Nga kapja e një personi në Itali dhe mbërritja e tij në Gjermani shpesh nuk kalojnë më shumë se tri ditë. Kjo ishte një kritikë shumë e hapur e një shefi të një autoriteti gjerman të sigurisë. Vazhdimisht kërkohet që BE duhet t'i shpërndajë në mënyrë të drejtë refugjatët, kryesisht në përputhje me numrin e popullsinë dhe fuqinë ekonomike të vendeve të saj anëtare. Por shumica e vendeve, që do të merrnin pastaj më shumë njerëz, hezitojnë. “Deutsche Welle” del në përfundimin se sistemi i vjetër ka marrë fund, por i riu nuk duket gjëkundi.
l.v
http://www.dw.de/politika-e-be-ndaj-refugjat%C3%ABve-secili-n%C3%AB-pun%C3%ABn-e-vet/a-18192401
Add new comment