Është sistemi qeverisës në Perëndim më i miri që mund të ekzistojë?

Postuar në 10 Gusht, 2012 11:57

Njëzet vjet më parë, Francis Fukuyama shkruante se kishim arritur në “fundin e historisë”, dhe me këtë donte të thosh se sistemi qeverisës i demokracisë liberale kish provuar të ish “forma finale dhe më e mirë e qeverisjes në këtë botë”. Kjo tezë e tij është vënë në diskutim qsyh në krye të herës, por tani duket sikur ka ca arsye më shumë për ta parë me dyshim. Kriza ekonomike, luftrat e gabuara që janë bërë vitet e fundit, të cilat u paraprinë dhe u shoqëruan nga një “erosion of the rule of law” (humbje terreni e shtetit ligjor) në SHBA, kanë bërë të ngrihen pikëpyetje lidhur me cilësinë e sistemit qeverisës në perëndim. Kjo e fundit thuhet në një studim a sprovë të gazetës online Spiegel International (kush lexon anglisht, mund ta lexojë hyrjen shpjeguese dhe pjesën e parë në linkun: http://www.spiegel.de/international/world/good-governance-series-which-goverment-is-best-a-845170.html).

Në një shkrim të para dy viteve, kur në SHBA palët s’po merreshin vesh mbi miratimin e buxhetit në Kongres, gazetari Thomas Friedman vinte në lojë sistemin aspak eficient të qeverisjes në SHBA dhe e ballafaqonte me eficiencën e Kinës ku, sipas tij, gjërat po ecnin për mrekulli; dhe Kina nuk ishte, e nuk është, demokraci liberale. Ndërsa gazetarët e Spiegel-it nënvizojnë se si në SHBA është shumë e vështirë të miratohet një ligj që bie ndesh me dëshirat e lobby-t të rritësve të patateve; ose shtrojnë pyetjet: si është e mundur që mbi 50% e spanjollëve që janë nën 25 vjeç janë të papunë? Pse hendeku mes të pasurve e të varfërve është sot më i madh se kurrë? Pse u dashka më shumë kohë për të zëvendësuar një urë të vjetër hekurudhore në Pittsburgh, se sa për të ngritur nga fillimi ndërtesën më të lartë të botës në Dubai?

Dhe e mbyllin në mënyrë ironike me frazën që ka thënë në një moment gazmor ish-Presidenti i Francës: Si mund të qeverisësh një vend si Franca me 246 lloje djathi? Por po të ish sot, do duhej t’i përgjigjej një pyetjeje tjetër: Si është bërë e mundur që në harkun e një kohe të shkurtër 20 milionë brazilianë të varfër e 300 milionë kinezë gjithashtu të varfër janë shndërruar në klasë e mesme?

Re.Pu.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.