A është Meta politikani që rezulton në 700 përgjime? Kryeparlamentari reagon në “Top Story”: Përgjegjësi nëse është shkelur ligji

Postuar në 09 Tetor, 2014 16:12

Ndërsa në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut po publikoheshin detaje nga raporti mbi përgjimet e shërbimit sekret, kreu i Kuvendit Ilir Meta (emri i të cilit figuron në listën e të përgjuarve) ka pranuar gjatë intervistës në “Top Story” se zotëron një kopje të raportit. Gjatë bashkëbisedimit, drejtuesi i emisionit Sokol Balla ka publikuar detajin se Meta rezulton të jetë politikani, emri i të cilit figuron 700 herë në përgjime. Vetë kryeparlamentari është shprehur se nëse do të rezultojë se ka shkelje ligji, atëhere secili do të mbajë përgjegjësitë respektive.

“Është kënaqësi për mua në rast se jam  kaq shumë i përgjuar, në çdo formë, direkte apo indirekte, por më duhet të mbaj qëndrim institucional për rastin në fjalë, që do të thotë se na duhet të presim konkluzionet përfundimtare të këtij komisioni, i cili, sipas informacionit që unë kam, ende nuk e ka përfunduar punën e tij për të bërë  verifikime të plota dhe përfundimtare.  Ata kanë bërë një informacion paraprak, të cilin unë  e disponoj, por janë në vazhdim të përpjekjeve për ta çuar deri në fund punën e tyre…Nuk duhet të nisemi me “nëse” dhe “sikur”.  Ne do të presim qetësisht këto rezultate dhe, natyrisht, në qoftë se është shkelur ligji, ata do të përgjigjen për atë shkelje që i ka bërë ligjit” ka deklaruar Meta.

Po ashtu, kreu i Kuvendit ka hedhur poshtë zërat rreth problemeve shëndetësore.

 

Sokol Balla: Në fakt, ne shqiptarët, kur përshëndetemi, në fillim pyesim: si jeni me shëndet? Kjo për ju, në fakt, ka marrë një konotacion tjetër kohët e fundit. Realisht: jeni mirë me shëndet?

Ilir Meta: “Jam më shumë se mirë. Kështu  që të gjithë ata që mund të kenë pasur ndonjë merak të qetësohen.

Sokol Balla – Merak më shumë ka pasur opozita.com e “Aleancës Kuq e Zi”, që ju ka dhënë tetë muaj jetë.

Ilir Meta – Besoj se ky është një keqinformim për ta, nuk është një dëshirë e tyre.

Sokol Balla – Ju mendoni se nuk është dëshirë, thjesht keqinformim.

Ilir Meta – Keqinformim. Për t’ju informuar, mund t’ju them se gjyshi im ka jetuar 110 vjet.

Sokol Balla – Megjithatë, e vërteta është që keni një ndryshim dramatik, do të thosha për mirë, në sensin e humbjes së shumë kilogramëve. Sigurisht, teoritë konspirative me shëndetin e udhëheqësve janë tepër të pëlqyera te shqiptarët. Realisht, çfarë ka ndodhur me Ilir Metën, që tashmë është totalisht i transformuar?

Ilir Meta – Nuk mendoj se ka ndodhur ndonjë gjë e jashtëzakonshme, sepse unë vazhdimisht kam pasur luhatje në peshë në periudha të ndryshme. Pra, e kam tepruar dhe më pas jam përpjekur të normalizohem. Ajo që ka ndodhur është që në këto 2 vjet kam pasur një rënien të vazhdueshme, sistematike dhe mjaft të shëndetshme.

Sokol Balla – Kjo ka rëndësi: mjaft të shëndetshme. Nuk po ju pyes për kurën, por vetëm më shuani një kuriozitet: a është e vërtetë ajo që thuhet se keni humbur mbi 30 kilogramë?

Ilir Meta – Kjo nuk ka asnjë rëndësi. E rëndësishme është që ngre shumë më tepër kilogramë tani sesa kur isha shumë më tepër. (Top Story)

n.k

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.