Ç'po ndodh me rrogat e administratës?!

Nëse në biznese të ndryshme dëgjohet se ka një muaj, dy muaj apo tre muaj pa u bërë pagesat, të njëjtin “fat” i ka ndjekur në këtë fillim viti dhe punonjësit e administratës. Në fund të vitit ata morën shpërblimin prej 9 mijë lekësh, por paga deri ditën e djeshme nuk u ka kaluar ende. Janë rreth 90 mijë punonjës të ndërmarrjeve shtetërore, listë e cila përfshin punonjës të administratës, mësues, mjekë, infermierë, profesorë, punonjës të institucioneve të arsimit të lartë, që akoma nuk e kanë marrë pagën e muajit dhjetor. Arsyeja zyrtare sipas Ministrisë së Financave është "mos hyrja ende në fuqi e buxhetit të këtij viti". Një urdhër i dalë nga Ministri i Financave, Ridvan Bode (thuhet se ka dalë para dy ditësh, por data në urdhër është 3 janar) duket se nuk ka kuptim, duke ju ofruar një lugë bosh për t'i mbajtur me shpresën e pagesës. Në urdhrin e tij thuhet se “Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit nëpërmjet sistemit të thesarit të kryejë pagesat e shërbimit të borxhit, pagesat për shpenzime emergjente spitalore me funksion jetësor (blerje, oksigjen, gjak, ushqim, etj), pagat e punonjësve të qeverisjes së përgjithshme dhe sigurimet shëndetësore dhe shoqërore, transfertat në institucionet e sigurimeve shoqërore për pagesat e pensioneve, pagesat e paaftësisë, ndihmës ekonomike, papunësisë si pagesat për ushqim dhe medikamente për të gjitha njësitë e qeverisjes së përgjithshme që ofrojnë një shërbim të këtij lloji”. Por prej 3 janarit, asnjë pagë nuk është dhënë. Udhëzimi me sa duket është bërë vetëm sa për të fituar kohë dhe për të shtyrë sa më shumë të jetë e mundur pagesat deri në gjetjen e një zgjidhje, si me emetim të bonove, apo me shpresën e privatizimeve të HEC-eve, apo mbledhjen e të ardhurave nga biznesi. (E.Shehu)
Add new comment