Çmimi Nobel i Paqes për BE nuk ka kaluar pa kritika e habira

Postuar në 13 Tetor, 2012 10:21

Euroskeptiku holandez Geert Wilders citohet nga The Guardian të ketë thënë: "Çmimi Nobel për BE-në, në një kohë kur Brukseli dhe gjithë Evropa po bien në një kolaps të mjerueshëm? Mos do i japin tani një Oskar Van Rompuy-t? (Presidenti i Këshillit Evropian, i cili kryeson samitet e BE)"

Shumë kritikë të tjerë të BE-së reaguan me përbuzje. Kreu i Ukip, Nigel Farage, tha: "Kjo tregon se norvegjezët kanë një ndjenjë të vërtetë humori! BE s’mund të marrë çmimin e paqes, përderisa mund të thuhet me siguri që nuk ka krijuar prosperitet, madje, ka krijuar varfëri dhe papunësi për miliona.. . "

José Manuel Barroso, nga ana tjetër, pasi Bashkimi Evropian fitoi çmimin Nobel për paqen, tha se "ky çmim iu dha krejt 500 milionë qytetarëve të BE-së".

Habia më e madhe për çmimin ngjau në Greqi. Panos Skourletis, zëdhënës i Syriza, partia kryesore e opozitës, tha: "Ky vendim e çvlerëson çmimin, dhe më e rëndësishmja, dëmton institucionin e çmimit Nobel. Unë thjesht nuk mund ta kuptoj se çfarë arsyetimi ka ky çmim kur në shumë pjesë të Evropës, por sidomos në Greqi, ne jemi duke përjetuar atë që është me të vërtetë një situatë lufte në baza ditore, aq më tepër një luftë që nuk është as deklaruar zyrtarisht. Paqja nuk ka lidhje me BE-në"

Jean-Luc Mélenchon, kreu i partisë ekstreme të majtë të Francës, Front de Gauche, e quajti çmimin një shembull të "humorit të zi".

Një paradoks tjetër, duke pasur parasysh se BE i mëshon fort idesë për pajtim, presidenca aktuale gjashtë-mujore mbahet nga Qipro, një vend ku konflikti nuk po zgjidhet as pas dekadash ndërmjetësimi, e mbi të gjtiha po ngrin negociatat e Turqisë për t'u bashkuar me BE-në.

Se kush do të shkojë në Oslo të marrë medaljen e artë dhe të mbajë fjalën në ceremoninë e datës 10 dhjetor, nuk dihet akoma. Një kandidat është ish-kancelari gjerman Helmut Kohl, edhe pse ai është ligsht me shëndet. NE.SU.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.