Çmimet e çuditshme të Ministrisë së Kulturës për letërsinë e vitit 2013

Postuar në 09 Dhjetor, 2014 08:04

Në një korridor të ish-Lidhjes së Shkrimtarëve, aty ku nuk para i hedh më sytë njeri, u dhanë çmimet letrare të Ministrisë së Kulturës. Ndodh që kur jepen çmime të rëndësishme, tundet ministria, edhe kryeministria madje. Se qëllon që e krahasojnë për nga rëndësia si një minifilial të Nobelit, e kjo nuk është pak. Po në këtë rast nuk të jepej kjo ide. Në një atmosferë kronikale për televizionet, ku kishte ca aparate regjistrimi, por fare pak të ftuar shkrimtarë, a thua se këto çmime jepeshin në erë, ministria dha dy diploma, duke pretenduar se kishte ngritur një juri që kishte punuar në heshtje, larg fokusit të interesit të gazetarëve, madje dhe larg ndërhyrjeve. Çudi e madhe... 
Një vit më parë po kjo ministri, me Mirela Kumbaron në krye deklaroi shkrirjen e dhënies së çmimeve sipas metodës së vjetër. Dhe mbase ka bërë mirë. Ç’u duhen çmimet shkrimtarëve në fund të fundit. Dhe kështu erdhëm një vit më pas, kur krejt papritur u lajmëruam se Ministria shpallte fituesit. Si kështu...???
Dy ishin çmimet e shpallura nga Ministria e Kulturës për vitin 2013: I pari si çmimi i “Veprës më të mirë letrare për vitin 2013” me vlerën 500 000 Lekë. I dyti çmimi i “Veprës më të mirë të përkthyer për vitin 2013” me vlerë 300 000 Lekë.
Ministria pretendonte se juria e përbërë nga Brikena Çabej, Saverina Pasho, Rita Petro, Ridvan Dibra, Ben Andoni, emra të njohur të botës akademike, të botimeve, të gazetarisë dhe të botës së përkthimit, e ka nisur procesin e shqyrtimit të veprave që në fillim të muajit qershor të vitit 2014. Por askush nuk ka qenë në dijeni të Jurisë, të emrave dhe as të librave të marrë në shqyrtim. Ku kanë punuar këta?
Kësaj pyetjeje nuk i dha përgjigje as vetë Kumbaro, e cila u shpreh: “As unë nuk e di se ku kanë punuar”. Ndoshta në bodrum, them unë. Po nga kush kanë pasur frikë. Pyetja për momentin mbetet pa përgjigje.
Dhe se çfarë thonë zyrtarët mediokër të ministrisë më pas, as që mund të merren parasysh. Megjithatë, pa dashur të merrem me Jurinë në fjalë, një pjesë e emrave që e përbënin atë janë vërtetë krijues të nderuar. Mund të them se në tërësi aktiviteti është zhvilluar në hije dhe aspak transparent. Për përkthimin më të mirë u laureua Guiljem Deda, me “Orlando i çmendur”, poemë (në dy vëllime) nga Ludovico Ariosto. Deri këtu ishin dakord të gjithë zërat. Ndërsa në letërsinë shqipe u katapultuan në mënyrë të pabesueshme, një emër krejt i panjohur si Thanas Medi me një roman të titulluar “Fjala e fundit e Sokrat Bubës”. Kush është ky...?
Megjithatë për këtë të fundit do flasim më pas, sepse nëse rezulton ajo që thanë nën zë disa kritikë, por që po përgatiten të shkruajnë rreth “gjeniut” të vitit 2013, vepra në fjalë as që duhej marrë parasysh, e jo t’i jepej çmim. Po kujt i mbetet faji, jurisë apo ministres që pretendonte se nuk e dinte se çfarë bëhej me çmimet për shkak të “pavarësisë absolute” që i kishte dhënë jurisë në fjalë. 
Edhe për këtë do të flasim pak më vonë.

Leonard Veizi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.