Çfarë përfshinte Taksimi i Ndershëm?

Enti Rregullator i Energjisë citohet që të ketë deklaruar sot se heqja e fashës prej 300kwh për energjinë elektrike, prek 76.3% të konusmatorëve familjarë. Këtë shifër “ResPublica” e ka përmendur që në momentin kur u hodh ideja e heqjes së fashës nga ministri i Financave, Shkëlqim Cani(http://respublica.al/artikuj/2014/10/11/djalli-fshihet-ne-de...). Ja se çfarë ka deklaruar ERE sot sipas mediave: “Heqja e fashës 300 kwh e energjisë prek 2.1mln shqiptarë që do të thotë në total janë 1.100.000 kontrata të energjisë elektrike. Ndërkohë që 65% e totalit të kontratave janë te konsumatorëve familjarë. Në total janë 715 mijë kontrata të konsumatorëve familjarë dhe 76.3% e familjarëve konsumojnë deri në 300 kwh/muaj. Në total, janë 545 mijë familje që konsumojnë deri 300 kwh”. Teksa ERE deklaron se heqja e fashës PREK 545 mijë familje, do të duhet të pranojmë, se çdo kuptim i kësaj fjale, sipas gjuhës shqipe, do të thotë se çmimi rritet. Ose për të qenë më korrekt: sasia e lekëve që kjo kategori do të paguajë në fund të muajit, për të njëjtin konsum, është më e madhe. Ka rëndësi ky formulim, pasi si ministri i Financave ashtu edhe kryeministri, refuzojnë që të pranojnë se rritja e çmimit të energjisë po ndodh. Në thelb qëndrime të tilla ngjajnë me gjysmë të vërtetat që nuk i beson asnjë. “Ne nuk do të rrisim çmimin e energjisë, si instrument reforme! Ne nuk do të rrisim çmimin e energjisë elektrike. Le të hidhen përpjetë ata që e predikojnë këtë gjë, sa të duan. Ne do të heqim fashën mbrojtëse, pas së cilës fshihen hajdutët e energjisë elektrike. Do të marrim përsipër ne, gjithçka që nga heqja e kësaj fashe do të shkojë në xhepin e çdo të pamunduri, e çdo pensionisti në radhë të parë”, tha kryeministri në seancën e fundit plenare. Edhe sikur të pranojmë se qeveria nuk do të rrisë çmimin, jemi të gjithë koshientë se ne do të paguajmë më shumë lekë për energjinë. Ndaj edhe sikur të mos biem dakord për marrëveshjen e fjalëve, është xhepi ai që na rregullon marrëveshjen praktike. Është e vërtetë se situata në sektorin e energjetikës është e trashëguar, por është po kaq e vërtetë se politikisht i takon qeverisë që të shpallë këtë emergjencë dhe të marrë përgjegjësitë, duke u thënë qytetarëve se kjo punë nuk kalohet pa rritur çmimin. Fundja, a nuk do t’u merren sërish qytetarëve paratë për të kompensuar pensionistët dhe shtresat në nevojë, duke ndjekur në vija të trasha parimin e Robin Hudit?
Mirëpo me këtë pohim zbulohet një problem politik që i bën jehonë situatës elektorale. Dhe ky problem është hartimi i programeve dhe hedhja e premtimeve vetëm sa për të marrë votën. Ish-opozita socialiste duket se është ndeshur me një realitet krejt tjetër në qeverisjen e vendit, përderisa në mënyrë konstante, prej dy vitesh, po detyrohet t’u qëndrojë larg premtimeve të veta. Kështu rritja e akcizës, rritja e tërthortë e çmimit të karburanteve, janë masa që çojnë në rritjen e kostos së jetesës në Shqipëri dhe për këtë nuk na duhet pohimi i kryeministrit për ta ndjerë apo për ta kuptuar. Edhe regjistrimi i numrave IMEI kishte nga pas qëllime taksimi, çka është sërish në këtë frymë. Ulja e kostos është premtim elektoral i PS-së dhe aspak pretendim apo tekë e qytetarëve dhe në këto kushte çdo nismë si kjo që po ndërmerret, do të pranohej më lehtë, nëse premtimi tjetër, ai i punësimit masiv, do të kishte hyrë në shina. Këtu do kujtuar edhe debati që u bë gjatë diskutimeve të vitit të kaluar për paketën fiskale. Qeveria vetë kishte tre variante për aplikimin e atij që e quante taksim i ndershëm, por që sot, me zërin edhe të prodhuesve dhe bizensemenëve shqiptarë, kërkohet të hiqet. Për më tepër që ndjekja e një politike fiskale të privilegjuar për biznesin fason, për të cilët loboi dhe kushtëzoi LSI-ja, e përforcon problemin në fjalë. Në fjalën e tij me rastin e rishikimit të buxhetit, ministri i Financave, Shkëlqim Cani, premtoi se “paskëtaj, të tjera lajme të mira do të vijnë”. Të shpresojmë!
Më poshtë po japim të plotë premtimin e PS-së për atë që quhet taksim i ndershëm, i cili përballet me një realitet dyvjeçar të qeverisjes së saj:
“TAKSIM I NDERSHËM
ANGAZHIMI YNË Taksim i ndershëm progresiv që ul taksat për 95% të shqiptarëve
ZOTIMET TONA:
Zëvendësim i taksës së sheshtë me taksimin e ndershëm.
Vendosje e drejtësisë sociale përmes taksimit progresiv për të ardhurat personale.
Zbatim i parimit kush fiton më pak do të paguajë me pak – kush fiton më shumë do të paguajë me shumë.
Tatim mbi fitimin në dy nivele për biznesin: një nivel për biznesin e madh dhe një nivel më i ulët se ai ekzistues për biznesin e vogël.
Politikë e re fiskale, e cila mbështetet kryesisht në uljen e kostos së jetesës për shumicën e popullsisë.
Heqje apo përgjysmim i tatimit mbi vlerën e shtuar për ushqimet jetike të shportës.
Heqje e tatimit mbi vlerën e shtuar për barnat dhe shërbimet mjekësore.
Reduktim i ndjeshëm i tatimit mbi vlerën e shtuar për furnizimin me energji elektrike të konsumatorëve familjarë.
Rishikim në mënyrë të plotë i të gjithë sistemit të tarifave.
Tarifa transparente dhe brenda mundësive të përballimit të kostos së shërbimit që ofrohet.
Politika fiskale të përputhëshme me modelin e ri ekonomik dhe kontribuese në lehtësimin e gjendjes kritike ku ndodhet ekonomia e vendit.
Politika tatimore që synojnë lehtësimin e menjëhershëm të barrës ekonomike të familjeve me të ardhura të ulëta e të mesme.
Taksim i ndershëm si kontribut për më shumë investime publike, më shumë vende pune dhe më shumë kërkesë konsumatore.
Ndryshim radikal në shpenzimet publike dhe në përdorimin e parave e pasurisë publike, duke siguruar sukses në zbatimin e politikës fiskale”.
s.z
Comments
ca jane keto idiot? kjo prek
<p>ca jane keto idiot? kjo prek cdokend, sepse dhe une qe harxhoj 600 kw tani do paguaj 24 mij lek me shume per 300 kw e par</p>
Add new comment