Çfarë ka ndryshuar në deklarimin e pasurive për ambasadorët (sa janë pasuruar)?

Ambasadorët shqiptarë në të gjithë botën në sajë të karrierës së tyre të gjatë profesionale kanë një pasuri jo të vogël. Si kanë ndryshuar pronat, llogaritë bankare dhe detyrimet e kredinë në këto 2 vitet e fundit?
Deklaratat janë bërë nga ambasadorët në vitet 2014 dhe 2013. Duhet të mbahet parasysh që deklarimi bëhet për të ardhurat dhe shpenzimet e vitit paraardhës. Nga ky grup ambasadorësh bie në sy pasuria e Artur Kukos, i cili ka blerë një shtëpi në Bruksel për afro 300 mijë euro, pas një kredie prej 180 mijë eurosh që ai ka marrë në një bankë jashtë Shqipërisë.
Dy ambasadorë kanë punësuar bashkëshortet e tyre në ambasadë, (praktikë e njohur për të kursyer shtetin) konkretisht Behar Bejko ambasador në Emiratet e Bashkuara Arabe, bashkëshortja e cilit është ngarkuar për financën e ambasadës me një rrogë prej 3240 dollarë në vit. Ambasadori tjetër është në Turqi dhe ka caktuar bashkëshorten me kohë të pjesshme si staf teknik pranë ambasadës me pagë mujore 270 euro.
Por, ka edhe raste të llojit si ai i Mira Hoxhës në ambasadën e Hungarisë, e cila ka blerë një apartament 190 mijë euro pas një kredie të madhe. Ajo paguhet 2068 euro në muaj. Ambasadori ynë në Greqi, Dashnor Dervishi ka blerë një shtëpi në gjirin e Lalzit në bashkëpronësi me gruan, gjysma e vlerës e së cilës është 22 mijë euro.
Nga ky grup diplomatësh, më i pasuri duket përfaqësuesi në Portugali, Edmond Trako bashkëshortja e të cilit ka në bashkëpronësi si trashëgimi 3 apartamente banimi në Selanik të Greqisë. Po kështu, ajo ka dy dyqane në Selanik me sipërfaqe totale 250 metra katrorë. Gjithashtu Trakot kanë dy apartamente të tjera në Kallamarja të Selanikut. Të gjitha këto pasuri me qira gjenerojnë 18 mijë euro. /Gazeta Shqiptare/
Add new comment