Çfarë do të ndodhë sot në mesnatë?

Postuar në 17 Tetor, 2012 12:21

Gjykata e Tiranës urdhëroi sot shpërndarjen e grevës së urisë së ish-të përndjekurve politikë, e cila po zhvillohet prej 26 ditësh. Mungojnë detajet për këtë vendim dhe është e paqartë se kur është bërë padia e policisë dhe cili gjyqtar e mori vendimin. Por nga ajo që lexohet në media dhe nga prononcimet pa fund në kronika televizive kuptohet që "sipas vendimit të Gjykatës greva duhet të shpërndahet brenda orës 24 të mbrëmjes së sotme".

"Gjykata e Tiranës i ka dhënë të drejtë kërkesës së policisë për të shpallur grevën të paligjshme dhe për të urdhëruar shpërndarjen e saj. Policia e kishte motivuar kërkesën e saj me “akte që sjellin rrezikshmëri për jetën”, të ndodhura në mjediset e grevës duke ju referuar rasteve të grevistëve që i vunë flakën vetes si dhe me faktin se protesta po zhvillohet pa leje" - thuhet në kronikën e VOA News mbi ngjarjen.

Mesnata është afati i fundit i përcaktuar nga gjykata për shpërndarjen e grevës, dmth deri në mesnatën e sotme policia duhet të ndërhyjë. Cili do jetë reagimi i grevistëve? Një prej tyre Fatmir Lamaj citohet në News 24: “Në kuadrin e zotërimit të të gjithë pushteteve në Shqipëri dhe nënshtrimit të cdo institucioni ndaj kryepushtetarit Sali Berisha, edhe gjykata e cila nuk i ka shpëtuar dot influencave politike, mori një vendim tejet të gabuar në kundërshtim me cdo të drejtë të qytetarëve për të protestuar”. Pak minuta pasi bëri këtë deklaratë, televizionet e lajmeve nxorën titrat që z.Lamaj ka shfaqur probleme në zemër dhe është transferuar menjëherë në spital.

Koordinatori i grevës Skënder Tufa në disa prononcime televizive gjatë ditës së sotme, pyetjes "Cfarë do bëni nëse ndërhyhet në menatë?" i përgjigjej: "Shteti është shtet, por grevistët mund të nxirren prej aty vetëm zvarrë, nëse policia do ndërhyjë". Gjatë ditës, ish-të përndjekurit u shprehën në media se në rast se do të lëvizen me forcë, ata do të rinisin protestën e urisë në një tjetër mjedis. Disa deklarime për t'u vetëflijuar publikisht duken e zhduken nga ora në orë nëpër faqe të ndryshme online, por të shoqëruara me apele - (edhe të vetë grevistëve që e ndërmorën këtë akt disa ditë më parë) - për të mos marrë vendime ekstreme. (Re.Pu.)

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.