Çështja “Feka”/Ministrja Kodheli thotë se iu dha certifikata e sigurisë pavarësisht shkeljeve. Deputeti Strazimiri: “ShIU është mbushur me sigurimsa. Do ngremë komision Hetimor”

Në parlament është debatuar sot për çështjen e majorit Sokol Feka, i vdekur në Spanjë ku mendohej se po transportonte drogë me një helikopter. Opozita kishte kërkuar interpelancë me ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, e cila ka shpjeguar ngjarjen, duke u ndalur në historikun e punës së majorit Feka. Sipas Kodhelit majori në fjalë ka qenë problematik, ndaj tij janë marrë masa administrative për largim nga puna, e sërish sipas saj, ai është dekoruar tre herë dhe ka marrë certifikatën e sigurisë. Kërkuesi i interpelancës, deputeti demokrat Gent Strazimiri, e ka vënë theksin te mungesa e punës informative nga strukturat e sigurisë së Ministrisë së Mbrojtjes, sidomos shërbimit informativ të ushtrisë. Shkak sipas tij është spastrimi që është bërë. Strazimiri ka lexuar një listë në të cilën disa drejtues të ShIU-t janë zëvendësuar me ish-operativë të Sigurimit të Shtetit. Në këtë listë përfshihet edhe zv.drejtori i Përgjithshëm, drejtori i Kundërzbulimit apo edhe drejtoresha e Analizës. Në fund Strazimiri ka kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor “për të hetuar veprimtarinë e zonjës”, së cilës i bëri thirrje që “të paktën të mos e nxjerrë Shqipërinë nga NATO”.
s.z
Add new comment