Zgjedhjet e parakohshme në Maqedoni

Postuar në 07 Mars, 2014 03:36
Fitim Dika

Zgjedhjet e parakohshme u aprovuan me 117 vota pro nga 120 deputetët e Maqedonisë. Gjatë këtyre 5 vjetëve në Maqedoni ka pasur 5 herë zgjedhje dhe përveç shpenzimeve të zgjedhjeve, nuk kanë sjellë asnjë zgjidhje të problemeve reale. Papunësia lulëzon, projektet megalomane nuk stopohen, Marrëveshja e Ohrit është vyshkur në zyrat qeveritare, dhe ajo që është më me rëndësi, euro-integrimet nuk kanë asnjë fije shprese.

Partitë maqedonase, SDSM dhe VMRO, nuk sjellin sihariqin në këto zgjedhje, pasi asnjëra nuk është e gatshme të pranojë ndryshimin e emrit karshi integrimeve, ndërsa partitë shqiptare nuk kanë projekte ekonomike, por vetëm projektet mbi ndryshimin e tablave rrugore dhe vulave shtetërore. Që ta kuptoni më mirë shterpësinë e situatës politike në Maqedoni, është njëlloj si në Shqipëri akoma të udhëhiqnin Fatos Nano me Sali Berishën.

Le të bëjmë një rezyme të situates

Gjatë këtyre 5 vjeçarëve, në Maqedoni nuk ka pasur cytje për zgjidhjen e problemeve, por vetëm kërkesa për zgjedhje të parakohshme. Njëherë, SDSM-ja, kërkontë zgjedhje të parakohshme, më pas VMRO-ja, dhe së fundi të gjitha partitë. Partia e Ali Ahmetit, në fillim kishte mendimin se në Maqedoni nuk ka nevojë për zgjedhje të shpeshta, por për zgjidhjen e kontekstit të emrit. Së fundi ndryshoi qëndrim edhe BDI-ja, dhe shkaku ishte për mos gjetjen e presidentit konsensual. Çudi, partia që mbështeti propozim ligjin që kryetari i Maqedonisë të zgjidhet me 40% të votuesve, tani del për një president konsensual.  Këtu ska diçka serioze, ama me këtë veprim, ku BDI-ja u bë “shkak” për zgjedhje të parakohshme, nuk ka asnjë shpresë se mund të përshpejtohen euro-integrimet dhe as që do ia arrijë qëllimin, që presidenti të jetë konsensual. Atwherw pse zgjedhje tw parakohshme?

Pra BDI-ja në këtë rast, nuk zgjedh problemet, por rikalkulon deputetët e saj të ardhshëm. Në këtë rast, partia më e madhe shqiptare e shtyn kohën për të mos zgjedhur problemet, pasi ka luksin e saj, nga një opozitë e dobët në vend.

Opozita shqiptare

Pikë së pari, dy partitë shqiptare, RDK dhe PDSH, edhepse në opozitë dhe pretenduese se janë të djathta, ata më së shumti janë  konfrontuar mes veti sesa me BDI-në, pra kjo na bën me dije, se nesër më shumw gjasa ka qw të shohim ndonjë koalicion mes njërës nga partive opozitare me BDI-në sesa mes RDK-së dhe PDSH-së.

PDSH-ja shpall armik secilin shqiptar që nuk voton PDSH-së, ndërsa  edhe RDK-ja ndodhet pranë shuarjes pas humbjeve të saj në zgjedhjet lokale, ndërsa ajo që është më e dhimbshme dhe e vërtetë, as PDSH-ja dhe as RDK-ja nuk janë parti të reja që do mund të sjellnin “rilindjen” në vend. Menduh Thaçi dhe Rufi Osmani kanë problemin e të qenurit të ri, po aq sa çmund të ketë Aliu, dhe më shumë se liberal janë neodiktatorë, ku çdonjëri që mund të kritikojë ata, shpallen si armiq të popullit. Pikërisht kjo e fundit, ka mundësuar ngadalësimin e demokracizimit të këtyre anëve, pasi të gjithë kanë një lloj frike për të kritikuar hapur politikat në vend.

Me këtë rast, unë përsëri mendoj se një ndryshim “mafiash” në Maqedoni, do ishte më se e pëlqyer në këto momente, por jam poashtu i bindur se Rufi Osmani, aq më pak Menduh Thaçi, nuk do ishin politika e re që do ta dëshironte çdo shqiptar. Mjaftojmë të rikujtojmë se që të dy këta udhëheqës kanë premtuar largimin në rast të humbjes, dhe që të dy nuk e kanë bërë.

E gjithë kjo, tregon se situata në Maqedoni do mbesë e njejtë siç është, ku partitë shqiptare me vetëdije apo pavetëdije, ju sherbejnë partive maqedonase. Ndërsa si sukses të tyre, do jenë padyshim një vendosje e një table të re rrugore, ku do shkruhej edhe shqip, ama jo që nesër do mund të shpresonim që shqiptarët do ishin shtetformues në vend. Për këtë faj, gishti i gabimit është i qartë se kujt duhet t’i drejtohet – partive politike shqiptare.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.