Vdekja morale dhe kokëfortësia e vlerave

Po të vemë re se ç’gjëje e kujt i besojmë ndër ne, del që nuk i besojmë asgjëje e askujt dhe jetojmë në një vakum moral që nuk sheh apo njeh vlera gjëkundi. Është gjë e rrallë të gjesh në Shqipëri njerëz që sinqerisht t’u besojnë politikanëve, sado lart a poshtë në hierarkinë e grupit, pavarësisht nga partitë së cilave u takojnë këta. Është po aq e rrallë në Shqipëri t’u besohet administruesve qendrorë, njerëzve të pasur, personave që lartësohen papritur në shkallën shoqërore apo institucionale. Njerëzit besojnë fort se fuqia dhe paratë e tyre janë bërë në mënyrë të pandershme e mbahen me dallavere; se ngjitja është realizuar me bërryla politike vrastare dhe jo thjesht shtytëse; se tani që ndryshoi koka, ndryshime të tjera të pabesa e të padrejta do ndodhin; se tek ne kështu bëhen gjërat e, sa më maskara e i paskrupullt të jesh, aq më lart ngjitesh në shkallën politike apo financiare.
Por kjo pakënaqësi ndaj krerëve politikë e financiarë nuk është aq e jashtëzakonshme edhe nëpër botë, dhe duket se rritet sa kalon koha. Evropa Perëndimore dhe Amerika kanë arritur në nivele rekord të mosbesimit ndaj politikanëve të vet, korrupsionit, babëzisë dhe mungesës së skrupujve në përpjekjet për të fituar e mbajtur pushtetin; Evropa Lindore ka po atë qëndrim si edhe ne, të hidhur, cinik e pa shpresë, ndaj pjellave të lidershipit të vet dëshpërues post-komunist; vendet arabe të sapondryshuara, nuk shohin dritë në fund të rrugës, dhe krerët që dolën nga revolucionet e shpejta arabe të këtij viti, që tani akuzohen për akte më të papastra sesa ish-diktatorët të cilëve u morën vendet; Greqia përgjegjëson klasën e vet politike për shpërdorimin e parave dhe, më pas, zgjidhjen e borxhit në kurriz të njerëzve që kanë më pak; Italia, ndërkombëtarisht tashmë, njihet si vendi ku korrupsioni dhe shitblerja morale luajnë rolin themelor në votimin parlamentar; India nuk del në zgjedhje sepse njerëzia thonë “ç’ndryshim ka se për kë votojmë - rezultati për ne do jetë po ai”; qytetet amerikane i shtohen protestës që nisi në New York kundër babëzisë së Wall Street-it, korporatave të pangopura, dhe injorimit imoral që më të pasurit u bëjnë përgjegjësive shoqërore ndaj një bote që varfërohet dhe ndërthuret globalisht si kurrë më parë.
Duket si një vakum moral botëror, mungesë vlerash dhe humbje e besimit në njerëzit që prijnë, qenie që kanë si ideal të rrisin fuqinë apo pasurinë e vet, dhe jo të përmirësojnë jetën e grupit që përfaqësojnë. Ajo që është dukuri shqiptare dhe që e bën vakumin tonë moral të veçantë e të frikshëm, është se tek ne mosbesimi në vlerat morale ka përpjesëtime masive dhe shfaqet intensivisht në çdo element të jetës së përditshme. Madje, do thoja që kemi krijuar një piedestal kulturor për imoralitetin si rruga më e sigurtë drejt mirëqenies për çdo individ të çfarëdo shtrese. Llumi imoral nuk konsiderohet të jetë vetëm lart ku gjenden gjeneruesit e tij dhe strategët kryehajdutë, por ne jemi të mbytur në të. E vetmja shenjë jete është ajo copë e nënvetëdijes sonë që na thotë se jetojmë me të, varemi prej tij dhe jemi bërë njësh me të, duam a s’duam: Mjeku ku shkohet për hall shihet gjithnjë si hajdut dhe shpesh si i paaftë; punëtori i ndërtimit apo hidrauliku që të vjen për një riparim, si njeri që do krijojë probleme të reja që të të rrjepë; postieri si dikush që nuk të jep postën po qe se nuk i jep diçka nën dorë; mësuesi i fëmijës së parritur, si dikush që duhet t’i bësh dhurata e ndere për trajtim të veçantë, ndërsa profesori universitar si qenie e pamoralshme që jep notë e provim në varësi të ryshfetit që merr; kolegu në punë, si i paaftë, kundërshtar dhe i shitur tek drejtori; nëpunësit e zyrave ngado qofshin, si makina që, veç rrogës, presin dhe kërkojnë para të vogël nga çdo klient; policët e trafikut, si punëtorë që rregullin dhe rendin e mbrojnë veç ndaj kujt nuk i lë lekë në dorë; arkitektët, si qenie që ndërtojnë një bina që mund të të zerë brenda e që interesohen veç të rrisin fitimin; katundari, si hileqar që i mëshon kandarit po qe se nuk e ndjek kur të peshon domatet; shitësit e supermerkatove, si kopilë që të hollojnë detergjentët apo pijet në magazinë para se të t’i shesin; farmacistët, si dallaverexhinj kriminalë që të shesin ilaçe të skaduara me data të falsifikuara; komisionet e provimeve si banda manipuluesish pa limit; OJQ-të si businessmenë që luftojnë veç për të krijuar e rikrijuar rrogat e veta; ambasadorët dhe punonjësit e organizmave të huaja në Shqipëri si shërbyes interesash të këmbyeshme politike që vetëm interesat e njerëzve nuk llogarisin; Po, a është vërtet kjo gjendja e gjithçkaje, apo jemi ne njerëzit e thjeshtë që i shohim të gjithë kaq pis e pa principe morale? Problemi është se kur shumica e njerëzve sheh dhe njeh skenën më sipër si realitet të vetin, ka pak rëndësi nëse është tamam ashtu apo është pak më ndryshe. Jetën tonë e bën ajo që ne ndiejmë dhe përjetojmë, dhe e vetmja e vërtetë që na drejton sjelljet, është tamam ajo që përjetojmë në të përditshmen. Në Shqipëri, ku vlerat janë rastësore e në fikje, jetohet me frikë nga e nesërmja, dhe kush mundet çan përpara pa mëshirë e pa skrupull të fitojë sot e sa mundet. Nesër mund të mos i vijë më radha. Ky është një kopsht zoologjik që ka ngjallur e ngritur në podium darvinizmin social.
A dalim dot nga kjo mynxyrë etike pa u dashur të dalim nga Shqipëria?
Ku ti kërkoj rrënjët e tua moral?! Nietzsche paralajmëron për bukuri se “në dy shekujt e ardhshëm”, duke iu referuar atij të 20të dhe 21të, “moraliteti do të vdesë gradualisht në Europë”, dhe e lidh këtë dukuri fare pa dhimbje me rënien e autoritetit të besimit fetar. Besoj edhe unë se forca morale nuk buron domosdo nga besimi në Zot. Puna është se Europa e Nietzsches, gradualisht, ka ndërtuar e gjetur mekanizma kulturorë e institucionalë që kanë zëvendësuar mjeshtërisht autoritetin moral vendosur nga mbretëria e Atit tonë në qiell, me rregullatorë që funksionojnë në të mirë të shoqërisë dhe individit duke rigjeneruar vlerat brenda saj, edhe pa pasur frikë nga Zoti a nga Dita e Gjykimit. Por ne ende nuk kemi mekanizma të tillë. Perëndi, sa larg ndihet Immanuel Kant dhe ligji i përjetshëm moral në Shqipëri: “Dy gjëra më mbushin me admirim e mahnitje”, thoshte Kant, “qiejt plot yje mbi mua, dhe ligji moral brenda meje”. Pa dyshim që është e drejtë të jesh skeptike ndaj ekzistencës së ligjit moral të Kantit në botën reale, pavarësisht nga shekulli qëdiskutojmë. Në kryet e një filozofi ky ligj bën vaki rritej i shëndetshëm dikur, e ndoshta edhe sot. Sa për realitetin, ai i ka ngjarë e ngjan gjithnjë, më shumë sesa duhet, cirkut imoral njerëzor që ndërton Nietzsche. Dhe cirku pa skrupuj i Nietzsches lulëzon paq në Shqipërinë e dekadave të fundit. Sipas tij njeriu i së ardhmes duhet të jetë egoist, pra “të besojë se qeniet e tjera duhet t’i nënshtrohen dhe të sakrifikohen për të”. Ai që ndihet keq për kë ngelet pas, në cepat e shoqërisë, dhe do ta ndihmojë, është një qenie e sëmurë nga morali kristian, një qenie e dobët e pa të ardhme, sipas Nietzsches. I forti, fitimtar ndaj tufës së nënshtruar, udhëheqësit predatorë gjithnjë në proces grabitjeje e shkatërrimi të tjetrit dhe fitoreje mbi të, përleshja e përhershme për dominim ndaj kujt nuk ka shkathtësinë dhe mjetet e duhura të dalë sipër, janë sipas tij, jo veç gjendja natyrore, por edhe gjendja optimale e shoqërisë.
Jonathan Glover në librin e vet “Njerëzimi: një histori morale e shekullit të 20-të” jep disa burime shoqërore që logjikisht i vlejnë njeriut “të dobët” të erës niçeane (unë do thoja më shumë, të erës së një kapitalizmi të papritur, të pakontrolluar e rrënues si ai që ka nisur në Shqipëri), për t’u mbrojtur nga kriza e vlerave. Së pari ai radhit “interesin e vetë njerëzve për të pasur vlera morale”; më pas, “presionin shoqëror” për pasjen e vlerave morale; dhe, së fundi, “resurset/burimet morale” të njeriut vetë.
Unë vetë kam besuar gjithnjë në rrugën e parë, pra në faktin që njerëzit janë natyrshëm të interesuar në veprimin e sjelljes morale. Mbi këtë bazë, kam menduar e predikuar, se nëse një shqiptar merr një diplomë apo Master që jepet formalisht dhe nuk i takon, atëherë të jetë i sigurtë se nesër do t’i bjerë fëmijës apo mbesës së tij radha të humbasë një diplomë që e meriton, sepse një tjetër i paaftë apo i pandershëm, do ta marrë atë në vend të saj; nëse një profesor mjekësie kalon pa meritë ose ndihmon në punësimin e padrejtë të një studenti mjekësie, të rrijë i qetë se në një ndër ditët që vijnë, një hall i papritur do t’i çojë njeriun e zemrës në klinikën ku një mjek i futur aty, po pa meritë, mund t’i marrë jetën nga padija ose neglizhenca; një familje që vjen e zbret në Tiranë, dhe rrëmben e mbron me forcë violente e të paligjshme tokat që i takojnë dikujt tjetër, do shohë pjesëtarët e vet të ndëshkohen po nga violenca dhe paligjshmëria e dikujt tjetër… Unë besoj thellë në shprehjen “Ç’të mbjellësh, do korrësh” apo “ç’të bësh, do gjesh”, dhe këtë, pa asnjë motivim fetar. Jeta ma ka vërtetuar aq herë. Pra, ne si shoqëri jemi të interesuar t’i përmbahemi një kodi etik në gjithë jetën tonë. Çështja është se, sado besim të kem unë në këtë sistem, funksioni i tij mund të shfaqet në një periudhë disa-dekadëshe apo më tej, pra duhen mekanizma të tjerë që të venë në funksionim interesin e menjëhershëm të individit dhe shoqërisë. Përndryshe shqiptari thotë, unë dua të zgjidh problemin tim sot me çfarëdo mënyre, dhe aq më bën se çfarë ndodh nesër. Hallin e kupton vetëm kur të bie mbi krye, jo paraprakisht. Ose të jep shembullin e dikujt që ka shkelur rregullisht mbi vlerat, dhe i ka dalë vetëm mirë, pra del që në fakt “nuk ka interes” në sjelljen morale, sepse ajo sjellje, tërthorazi, e ndëshkon e s’i fut bukë në torbë.
Rruga e dytë, presioni shoqëror, është një mënyrë që vetë Glover e dyshon si veti funksionale universale. Ai vetë thotë se rregullat konvencionale morale që ngre një shoqëri si forma sanksionimi kulturor të vlerave të veta, funksionojnë në demokraci të zhvilluara, por jo në situata diktaturash apo qeverisjesh të korruptuara, ku modelet e vendosura lart në sistem janë të tilla që deformojnë vlerat dhe kushtëzojnë rigjenerimin e po atij sistemi imoral që përcillet deri në bazën e shoqërisë. Kështu njerëzit, duke ndjekur modele imorale që diktohen nga lart, mbrojnë qenien e vet, dhe pasqyrojnë po atë luftë për ekzistencë bërë imoralisht në hallkat më të larta politike, që ashtu edhe përcaktojnë institucionet dhe funksionimin e ligjeve të një vendi. Për fat të keq, shqiptari i është ekspozuar dhe nënshtruar tamam kësaj mungese vlerash në sistemin udhëheqës, të cilin edhe e riprodhon në kulturën e vet. Logjikisht, kjo mungesë vlerash, as nuk krijon dot një presion social që shtyn kah vlerat. Edhe ndryshimi i mundshëm në këtë rrugë të dytë, jo vetëm kërkon ndryshimin e mënyrës se si një shoqëri qeveriset dhe organizohet institucionalisht, por më pas kërkon edhe pasqyrimin e këtyre ndryshimeve në kodin e vet kulturor të cilit i bindet individi e grupi. Kjo mund të ndodhë, por, duke parë gjendjen e klasës politike ekzistuese (që kur shfaqet si morale është kështu veç për konformizëm ose për interesa të tjera imorale që kënaqen më pas: vër re psh. imazhin në dukje moral që desh të ndërtojë për veten Ilir Meta në rastin e vdekjes së Ramiz Alisë), si dhe të asaj potenciale, do ta konsideroja një mrekulli po të ndodhte.
Rruga e tretë, është kryesorja ku unë kam varur në fakt shpresat për ndryshime që nuk do duhet të marrin qindra vjet. Glover i quan këto “burime morale njerëzore”. Shkenca ka kohë që flet për kod moral të qenies njerëzore që psikologjikisht është me ne dhe, sado që ta deformojmë shoqërisht, është brenda nesh e na shtyn në drejtimin e njohjes dhe rikrijimit të vlerave morale. Të gjitha qeniet njerëzore, pavarësisht nga aktet e dhunës, luftërave, mizorisë apo egoizmit që vërehen, psikologjikisht reagojnë pro vlerës dhe kundër shkeljes së dinjitetit njerëzor. Përgjigjeja jonë psikologjike ndaj një akti barbar, rrahjes së dikujt apo dëmtimit moral e fizik të një qenieje njerëzore, rrëmbimit të asaj që i takon tjetërkujt, është natyrshëm negative. Në të kundërt, ne natyrshëm admirojmë një sjellje dinjitoze, respektuese, një akt dashamir, shprehjen e dashurisë për tjetrin, ndihmën ndaj atij në nevojë, edhe kur këto akte nuk lidhen drejtpërdrejt me ne. Përgjithësisht e thellësisht, njeriu identifikohet me bëmat e mira dhe u largohet të këqiave, e së paku dëshiron të jetë i tillë edhe kur nuk është. Sado e plogësht qoftë kjo shtytje psikologjike në raport me dalldinë shoqërore negative në komunitetin tonë, unë besoj se ka individë mes nesh qe i kanë të pasura këto të ashtuquajtura “burime njerëzore”. Besoj se, edhe ata që i kanë të fjetura, me motivime të caktuara nga jashtë, qoftë edhe nga efektet sporadike të dy rrugëve të para, mund t’i rizgjojnë dhe aktivojnë rezervat e veta morale njerëzore. Shkurt, unë besoj se nëpërmjet bashkëveprimit të të tre faktorëve më lart, dhe, pse jo, edhe vlerave kushtëzuar nga gjallërimi i besimit fetar, që në Shqipëri ndjek një trajektore të pazakontë (sado pro a kundër tij qofsha unë si individ), mund të shpresojmë e mëtojmë të gjithë për një ringjallje të vlerave tek individi dhe grupi të cilit i takojmë.
Comments
ne fakt eshte nje veshtrim
<p>ne fakt eshte nje veshtrim shume kritik ndaj atij morali imoral qe ka zene rrenje ne shoqerine tone postenveriste.Ndoshta duket si herezi,por enverizmi ishte i moralshem ne ate destinimin e tij izolues.Them destinimin(ose destino-n)pasi ne njefare menyre rregjimi u veteizolua,ndersa nga jashte pati trysni te forta izoluese.I referohem nje libri me titull"Il declino del capitalismo"te Emanuele Severino,te shkruar pas renies se socializmit real.Tre faktore kryesore rrezuan soc.real;kapitalizmi,demokracia dhe kisha katolike.Tani keto tre faktore jane ne perplasje midis tyre;keto do shenojne ndoshta fundin e kapitalizmit,qe ne vetvete kakarakter autodestruktiv.Une qe nga titulli i kesaj trajtese u terhoqa ta lexoj,pasikam ne duar duke lexuar tamam ateliber qe ka shkruar Niçe(qysh Ni-etzsch-e ne shqip ben vetem nje ç te thjeshte?)mbi paragjykimet morale,tamam Aurora...Niçe thote qe njeriu i lire eshte i privuar nga morali.Pra,nese Niçe sheh mire,do te thote qe liria e ka nje absurd.Jemi aq te lire sa te zhvishemiprejmoralit,apojemiaqte pamoralshem per hir te perfitimit?Kapitalizmi eshte ego-ja e perfitimit;nuk ka sesi (para)gjykimet morale te pengojne nje individ apo nje mase individesh per ti nxjerre nje proçesi te thjeshte pune fitimin maksimal.Marksi e godet kete veti spekulative qe ne fillim,duke denoncuar karakterin imoral te parase.Ndoshta u shtyva gjate,por ne komunitetin progresist te mendimtareve te rinj,njesoj si ne ate te te vjeterve,po forcohet ideja se siocializmi(apo komunizmi)nuk eshte utopi,por mundesi reale.</p>
Jemi aq te "varfer " ne
<p> Jemi aq te "varfer " ne (Shtet) sa njerezit midis nje Diktature nga me egrat dhe nje Shteti Rrugacesh, kane kthyer koken me nostalgji nga Dikatatura. Jemi aq te varfer ne (Kulture) sa midis mungeses se Shkrimtareve te Kohes i Bejme elozhe dhe Filma Dokumentar Autoreve vepra e te cileve eshte pershkruar tej-mbane nga nje fill i kuq Komunist.(I.K).Jemi aq te varfer (ne Mend ) sa midis tokave greke dhe atyre tonave, punojme ate greke.Jemi aq te varfer (Ne Dinjitet ) sa rrugeve te Evropes nxjerrim vajzat dhe grate shqiptare.</p><p>Do ishte njelloj si Gjermania te kthente koken nga "Lavdia Hitleriane" duke perfshire industrialist,shkenctare,artiste,shkrimtare, dhe krimet pafund.</p>
Add new comment