Tatëpjeta e Republikës Parlamentare

Postuar në 12 Shkurt, 2015 10:20

Teza themelore që po parashtroj në këtë artikull, është se Shqipëria ndodhet në një udhëtim të pasigurt, nën peshën e një krize të thellë ekonomike, të një sistemi që nuk prodhon para për shkak të pamjaftueshmërisë ekonomike me një drejtim qeverisës të privuar në një masë të madhe, por jo të plotë, nga filozofia liberale, një veprimtarie prodhuese legjislative e administrative që ecën përkundër frymës së Kushtetutës dhe parlamentarizmit, një varfërie në rritje nga qendra drejt periferisë, me një shtet të dobët në tërësi dhe agresiv në shtypjen e lirive ndaj grupimeve lehtësisht të kontrollueshme. Veçanërisht, ekonomia në tatëpjetë, në një vend me brez të ri të papunë, mund të gjenerojë shpërthimin e trazirave sociale e armiqësive politike drejt cenimit të sigurisë shtetërore e nacionale. Për rrjedhojë, në qoftë se drejtuesit politikë nuk ndalen për të zbritur në tavolinën e një pakti të madh shpëtimi, vendi mund të rrokulliset në drejtim të paditur dhe demokracia e republika do të rrezikohen.
Dyzimi i qartë strukturor, programor, trajtimi domenial i detyrës së lartë publike, një veprim administrativ i pastandardizuar, një politikë ekonomike dritëshkurtër, mungesa e një kulture shpjeguese ndaj sjelljeve dikasteriale e shpërndarjes së fondeve publike, e shoqëruar me tejkalim të dhunës, rënia e një pjese të qeverisë aktuale nën ndikimin dhe frymëzimin e një grupi krahinor politik, të mbarsur me urrejtje të prejardhur nga kasta nepotike e regjimit të terrorit dhe, në fund, injoranca dhe zbrazëtia e kulturës liberale në qeverisje përballë mungesës totale të një opozite efektive, kanë zhbalancuar funksionimin e demokracisë shqiptare, kanë dëmtuar forcën goditëse ndaj krimit të organizuar, zaptuesve të pronave të mëdha publike, plazheve dhe ujërave. Tatëpjeta e Shqipërisë nuk është ndalur, për shkak se operacioni i së keqes ka filluar nga ekstremitetet, duke e lënë zemrën dhe trurin e qenies shqiptare të lëngojë pa terapinë dhe ndërhyrjen e duhur kirurgjikale e sistematike. Mbi të gjitha mbi qenien tonë shtetërore, dy operatorët e “përzgjedhur me një milion vota”, përveçse nuk dinë dhe nuk duan të mësojnë, janë edhe në një rivalitet për epërsi dhe zaptim, mbi trupin e pazhvilluar intelektual të domenit qeveritar. Bëhet fjalë për një qeverisje që vepron në sipërfaqe, që depërton vetëm në jetën e parregullt të njerëzve të thjeshtë, që arrin të kontrollojë dhe presojë klasën e mesme, duke e dhunuar e vjelë deri në kockë, por nuk guxon as ta shikojë në sy malin e krimit të organizuar, që bredh lirisht rrugëve duke terrorizuar në heshtje biznesin dhe as të depërtojë në zemrën e mekanizmit të hajnisë së fondeve, duke u bërë një me të, tashmë pa droje. Metodikisht e impostuar mbrapsht në veprimin administrativ, kjo qeverisje nuk e ka larguar aspak dhunën e të fortëve nga rrugët shqiptare, nuk e ka menduar se kontrolli i territorit është shumë më tepër sesa patrulla e Policisë Rrugore dhe eliminimi i disa parcelave të kanabisit: është eliminimi i bandave të armatosura dhe skanimi i plotë i çdo perimetri të errët të shoqërisë kriminale e financiare të vendit, rihapja e proceseve të famshme të korrupsionit të arkivuar, krijimi i një qeverie të përgjegjshme ndaj ligjit dhe publikut, mbrojtja e lirisë së shtypit përmes shpërbashkimit të interesave të tij me biznesin.
Simbioza me baballarët e komunizmit dhe korrupsionit, premtimi për këshillim më “pleqtë e aksionit revolucionar 1967-1990”, përbërja diletante e kabinetit, mungesa e dëshirës për të realizuar një konsensus të gjerë me klasën e mesme të pa parti, prania e kulimave rinorë të “idealizmës” së paarrirë në administrim, paaftësia intelektuale për të lexuar frymën e Kushtetutës e zakonin konstitucional shqiptar të ndërtimit të balancuar kulturalisht të shtetit nga fillesa, cektësia dhe frazeologjia mjerane e programit elektoral, paaftësia për të kuptuar radhën e korrigjimeve dhe metodologjinë e punës sipas fushave të veprimit governativ, ngurrimi për të shpallur një program të ri qeveritar në momentin kur erdhi në pushtet, duhej ta shkundnin më herët mendimin përparimtar të shoqërisë shqiptare. Në fakt, kjo nuk ndodhi dhe nuk mund të ndodhte, për shkak të mënyrës se si funksionojnë gjërat në këtë vend, mënyrës se si është “edukuar” të funksionojë kjo shoqëri jo atdhetare, e frikës, e padijes dhe e hajdutërisë masive. Pavarësisht mënyrës së dhunshme të ndërhyrjes elektorale, së paku në periferinë shqiptare të Veriut, kemi shpresuar se lideri i bipolarizmit majtist do të impostohej në kohë dhe në vendin që e vendosi shpresa e popullit të dëshpëruar, duke nxjerrë jashtë gjysmën e keqe të tij, gradualisht, përmes kombinacioneve transformative në të mirë të vendit. E menduam si liderin politik, që do të dinte të ndante përparësitë dhe emergjencat e një shoqërie në nevojë ringjalljeje, që nuk do të njohë më segregacionin krahinor dhe persekutimin e heshtur për shkaqe kulturore, nga ambiciet personale dhe nga frymëzimi i tifozëve të përjetshëm të partisë së tij dhe hakmarrësit ordinerë brenda saj. Kryeministri i Shqipërisë i dekadës së dytë të shekullit XXI duhej që ta kishte kuptuar rolin e liderit shpëtimtar, atij që do të krijojë një Shqipëri për të gjithë, në një shoqëri që do të njohë vetveten, do t’i japë shpresë rinisë, do të shkatërrojë lidhjen e politikës me krimin regjional dhe nacional, do të korrigjojë sistemin përmes reformës; liderin që lë pas të kaluarën komuniste dhe kriminale të social-komunistëve shqiptarë të tranzicionit, që do të ndiqte planin për shndërrimin e Shqipërisë një vend dinjitoz, me pushtet të balancuar, pa dhunë dhe me hapësirë ekonomike që prosperon në legalitet dhe liri. Pas 17 muajsh jemi sërish një shoqëri e zhgënjyer, sepse përballë kemi serish një qeveri të parcelizuar, që bën propagandë, shfaqje estetike, investime të kushtueshme dekori dhe, ndryshe nga mandati pararendës, edhe dhunë ndaj lirisë. Ai që guxoi i pari në Tiranën e kuqe (ne në Shkodër kishim në fakt heronjtë tonë më të hershëm, dhe na vinte mirë kur e shihnim pas nesh, duke marrë frymëzimin e gêmit tand shkodran, jo konformist) të vitit 1990, të godiste në shenjë diktatorin, si askush prej “liderëve të pilotuar të dhjetorit 90”, sot po zhgënjen gjithkënd me padijen, mungesën e vullnetit, urrejtjen e frikën që ia ka mbërthyer mendimin. Po zhgënjen me dyfaqësinë joeuropiane të veprimit administrativ dhe vlerësimit ndaj qytetarëve, intelektualëve dhe shoqërinë civile, që nuk e konsideron të Ordës së tij të Artë. Ky mendim i çorganizuar i shfaqet qartazi në publik në imazhin e sjelljes, dhe mbi të gjitha me projeksionin maksimal të një radikalizmi të korruptuar, të një qasjeje majtiste me frymëzim punist, që ka kapluar sjelljen e tij të çorganizuar politike dhe komunikative. E them këtë, sepse ajo çfarë kuptojmë nga vëzhgimi ynë i heshtur, është se sjellja, veprimi politik, konceptimi i pushtetit, politikat ekonomike, veprimi administrativ, kontrolli i territorit nga krimi, mbrojtja e pastërtisë së kabinetit ministror nga korrupsioni, nepotizmi, paaftësia, klientelizmi partiak, dhe krijimi i trupës elitë të Ushtrisë dhe Policisë që mbron qytetarin dhe shtetin, janë në një drejtim të përkundërt, mund të themi plotësisht, me premtimin e tij të madh, ditën e inaugurimit në postin më të lartë: krijimin e një Shqipërie për të gjithë, kërkesë themelore e procesit integrues e europianizues. Nga ana tjetër, ato janë në të njëjtën linjë me shakanë e tij të sadhe të replikës së parë. Produkt i gjithë këtij kaplimi është klima e heshtjes, frikës, indiferentizmit të imponuar, manipulimit propagandistik, fushatave revolucionare propagandistike, si kjo e fundit që po ndërmerret ndaj barinjve të Kishës së martirizuar Katolike, që po injektohet në shoqëri edhe më tej. Është e vështirë të përcaktohet sot me saktësi çfarë ndodh në pushtetin tënd të sotëm, zoti Kryeministër dhe me të asocuarit e tu të padëshiruar dhe të detyruar, por një gjë është e sigurt: ai pushtet ka arritur të imponojë mbi shoqëri, përmes forcës së kartonit të numrave që zotëron karteli bipolar i federalizuar i socialistëve, disa kolona të vijimësisë së pushtetit me frymëzim komunist dhe nepotik, për një afat të gjatë. Këto kolona janë të përbëra nga:
1. Administrata që ka ndërruar kahun politik, sërish në dem të ekspertizës dhe risjelljes në Shqipëri të burimeve të kualifikuara të brezit të shqiptarëve të emigracionit;
2.Ligji mbi ndarjen e re administrative, që në perspektivë do ta zhvendosë edhe në bazë pushtetin drejt pasardhësve të pushtetmbajtësve 70-vjeçarë komunistë të shoqërisë, do të krijojë premisat edhe për një përjetësim të pushtetit qendror në të njëjtat duar të ish-zonës së parë operative, duke zhbalancuar krahinarisht sërish Shqipërinë dhe duke mbarsur me vete mundësinë e shpërthimeve sociale të pamenaxhueshme, ditët kur shteti duhet të jetë më i fortë se kurrë;
3. Akumulimi në prapaskenë i kapitaleve për të mbështetur proceset elektorale të së nesërmes, mbajtjen dhe kontrollin e pushteteve: mungesa e transparencës për akuzat mbi tenderat në një numër dikasteresh; trafiku i zbuluar nga organizmat ndërkombëtarë, si shprehje e qartë se Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme, së paku nuk kontrollon tërësisht territorin; heshtja e shtypit; frika nga kartelet e mëdha, me të cilët është bashkëpunuar nga senjorët e politikës për të ardhur në pushtet, nga periferitë drejt qendrës etj..
4. Ndryshimi i legjislacioneve organike, përkundrejt frymës edhe të kësaj Kushtetute të gjymtuar, që po prishin balancat e pushteteve. Përpjekja për heqjen e kompetencave të Presidentit të Republikës, në tërësi dhe posaçërisht kompetencat e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, janë një atentat ndaj republikës parlamentare, i ndëshkueshëm nga ligji, të cilin opozita e përgjumur duhet ta kalojë në proces “impeachment”.
5. Ngurrimi deri edhe heshtja për të korrigjuar: a. Ligjin mbi partitë politike, për t’i shndërruar ato nga subjekte të së drejtës private, në subjekte të demokratizuar të së drejtës publike;
b. Ligjin elektoral drejt sistemit maxhoritar, një emëror me një raund dhe me prag më të lartë. Kontrolli i financimeve partiake dhe vendosja e rregullave mbi financat partiake dhe financimin e fushatave;
c. Implementimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese; d.Vendimin e madh për ndryshimin e Kushtetutës, për rrjedhojë edhe reformimin e sistemit të Drejtësisë, duke aplikuar një nga skemat që njerëzit më të ditur të së drejtës kushtetuese kanë sugjeruar prej disa kohësh;
e. Kodi i sjelljes dhe komunikimit pozitë-opozitë, duke i kthyer në ligje, zakonet më të konsoliduara konstitucionale të demokracisë më të vjetër parlamentare;
f. Zbatimi i ligjit mbi Policinë e Shtetit, depolitizimi, pavarësimi i plotë i këtij organizmi nga Ministria e Brendshme dhe rishpërndarja e përbërjes, bazuar në një balancë profesionale dhe krahinore.
Këto, i nderuar Kryeministër, përbëjnë reforma thelbësore, që deri më tash mungojnë. Ato që ju konsideroni reforma në diskursin politik të përditshëm, nuk janë gjë tjetër, veçse një tërësi masash administrative, që variojnë nga të domosdoshme dhe pjesë e detyrimit veprues të administratës, deri në të panevojshme, të tepruara dhe shkelëse të lirive.

Perspektiva e qeverisjes aktuale, vlerësuar nga shtyllat themelore të liberalizmit perëndimor, është e paqartë, për shkak se fryma konstitucionale e veprimit governativ është deformuar në drejtim të forcimit të arbitraritetit të ekzekutivit ndaj institucioneve të pavarura. Sjellja ekzekutive operon njëanshmërisht në pikëpamje të interesave nacionalë e gjithëpërfshirës, në vakumin e mungesës së një opozite parlamentare me ekspertizë dhe program të qartë.
Qeverisja e sotme, duke u marrë makutërisht me forcimin e bazës ekonomike, ligjore, mediatike, financiare etj., të pushtetit aktual, me shpresën e përjetësimit të binarëve të një kaste të mbështetur në një rreth krejtësisht të përcaktuar njerëzish dhe familjesh të mirënjohura në listën e pushtetit që ndërtoi Shqipërinë e vitit 1945 e më pas, po risistemon një Clique. Ajo po harron se Shqipëria është një vend me ekonomi të dobët dhe pa rezerva, dhe shoqëria është duke akumuluar energji negative që mund të shpërthejnë papritmas, nga momenti në moment, sa herë që natyra dhe sëmundjet globale godasin këtë vend të vogël me shtet të dështuar në përhershmëri; qeverisja e sotme, në vend që t’u thërrasë binarëve ndërtimorë të gjithëpërfshirjes kulturore trepolare në qeveri dhe administratën e lartë, t’i drejtohet respektimit të balancës krahinore të vendit, provokon dhe dhunon grupimet kulturore dhe institucionet gjegjëse, në thelb njëlloj sikurse bënte diktatori më 1945 dhe 1967: është koha për maturi në heshtje në ruajtjen e balancave dhe ekuilibrave brendashqiptarë, duke ndikuar në forcimin e njësisë sonë sociale dhe jo vazhdimin e divergjencave, jo nxitjes së urrejtjes në një shoqëri kaq të paditur si e jona. Një qeveri e përgjegjshme nuk provokon deri aty ku nuk shkon, por di të gjejë balancën mes laicitetit dhe respektimit, në përmasën e lejuar nga ky laicitet, të komuniteteve kulturore e krahinore, balancon interesa, respekton komponentët përbërës të Shqipërisë, duke i bërë njëlloj pjesë të demokracisë dhe perspektivës europiane. A e ka të qartë udhëheqësia bipolare e ekzekutivit se rendi i balancave në vend është tronditur nga shkëputjet sistematike të kastës, nga hallet e një populli që në periferi vuan, dhe që për mbajtjen nën fre të shpërthimeve nuk mjafton më vota e marrë nga të fortët krahinorë dhe centralë? Sistemi aktual i qeverisjes po vjen e bëhet gjithnjë e më i mbyllur, më i paaftë për rishikim serioz të politikave. Për rrjedhojë, në qoftë se kjo gjë nuk do të kuptohet, ky sistem do të falimentojë vetveten, do t’i humbë një shans Shqipërisë dhe do të destabilizojë shtetin. Ata që e njohin historinë e këtij vendi, jo në Europë, për gati 80 vjet, e dinë që ai është qeverisur përhershmërisht përmes klikave. Ju erdhët në pushtet me parullën për të shkatërruar qeverisjen e bazuar mbi klikën e kotësisë dhe, në fakt, rigrupuat, po financoni makutërisht dhe po konsolidoni klikën e pasardhësve të diktaturës. Por një vend kandidat për anëtarësim në BE, anëtar i NATO-s, nuk mund të vazhdojë të jetojë si i tillë. Për më tepër një vend i rrënuar ekonomikisht, pa rezerva të vendosura në eficencë rentabël, nuk mund ta gjejë shpresën e shpëtimit dhe rimëkëmbjes te vjelja e tatimeve dhe e taksave doganore të pangjashme, që i dhunojnë frymën lirisë ekonomike, shkatërrojnë klasën e mesme, varfërojnë edhe më tutje shtresat e margjinalizuara të shoqërisë. Ju ndalët liberalizimin e tregtisë, trembët investimet, ndërkohë që nuk patët ndonjë gjë për të privatizuar, se jua kishin fshirë. Ekonomia e mjerë e Shqipërisë nuk prodhon para. Rezervat janë të vdekura ose jashtë vendosjes në eficencë publike. Për rrjedhojë, mungesa e parave për t’i dhënë frymëmarrje ekonomisë, do të çojë në polarizimin e mëtejshëm të shoqërisë dhe akumulimin e tensioneve, nga të cilat mund të dilni vetëm duke hapur rubinetet e emigracionit, siç bëri qeverisja e korruptuar kosovare me ndihmën e Serbisë. Duhet ta keni të qartë se vendi mund të gjejë shpëtimin vetëm përmes një pompimi financiar të ekonomisë, që nuk ka për t’i ardhur asnjëherë nga Brukseli dhe Washington-i, sikurse i ka ardhur përherë fqinjit tonë jugor, pa u bërë shtet serioz, me qeveri serioze liberale, jo komuniste, demokraci parlamentare funksionale, një ekzekutiv që do të ndërmarrë reformat e sipërshënuara dhe nuk do ushtrojë dhunë ndaj publikut dhe qytetarëve. Pa kuptuar këtë, Kryeministri aktual mund të ketë kuptuar çdo gjë që lidhet me iluzionin e mbajtjes së përdhunshme të pushtetit, por nuk ka kuptuar atë që liderët e vërtetë, që mbesin dhe kujtohen për të mirë në histori, e kanë pasur alfën e veprimit të tyre politik: vërtetësinë e sjelljes, përkushtimin ndaj publikut, ekspertizën dhe konsulencën teknike e shkencore dhe korrigjimin ekonomik të bazuar. Mirëpo, për ta përthithur këtë, duhet të mbështetesh në filozofinë liberale, në rrethin liberal të shoqërisë dhe në bijtë e këtij vendi që janë shkolluar në Perëndim, të cilët, Ju, i nderuar Kryeministër, njëlloj si të tjerët, i keni lënë rrugëve të botës, ndërkohë që Shqipëria e të ardhmes ka më shumë nevojë se kurrë. Opsionet që shtrohen para jush, në qoftë se do të gjykoni për përgjegjësi dhe për të mirën e përbashkët publike, janë:
a. Rikompozim qeverie me ndryshim programor dhe sjellje administrative bazuar në legjislacion konsensual;
b. Rikompozim i maxhorancës për zgjerimin e reformave themeltare;
c. Qeveri teknike me planifikim ndryshimin e ligjit mbi partitë dhe ligjit zgjedhor dhe, në fund:
d. Zgjedhje të lira, të menjëhershme për rikonfirmim maxhorance. Përndryshe, vijimi i mëtejshëm i kësaj rruge do e çojë republikën parlamentare në një ditë të vështirë.
"Panorama"

Comments

Submitted by Labi Vlore (not verified) on

hahahahahahahahahahahahahahaha.z.Gurakuqi,Shqiptaret ju kane lene takim per qeveri teknike,ne vitin 2029-te.Deri ne ate vit,te leme te majten te shpalose filozofine e saj politike.

Submitted by Epiroti (not verified) on

Me pelqen tej mase ky shkrim, Romeo dikur ne debatin per LIIB  V Paskal Milo nuk kishte edhe aq njohuri por ne kete shkrim flet dhe pershkruan realisht kulturen, egoizmin dhe jeten perverse ne Shqiperine e sotme apo post ''demokratike'' qe e ka kapluar injoranca dhe krimi. Te lumte Prof Romeo.

Submitted by Nelo Cipini (not verified) on

Romeo jo se nuk ka njohuri por nuk del dot nga llogorja. Mjere faktet ne dore te tij. Ky nuk la kuisling pa kallaisur , ju prisni te beje histori...

Submitted by Romeo...pa Zhul... (not verified) on

Romeo,

ke perkrahjen e tere atyre qe shohin me syte e tyre,

mendojne me ide te qyteterimit europian

dhe ndjejne me zemer te paster shqiptare...

Nese Shtresa e Sotme politike do pranonte kete version katarsisi, them se nuk do duhej te akuzohej sic me shume te drejte,

keni artikuluar juve ne kete promemorie.

Jo vetem Edi Ramen dhe Pothuaj-Gjysmen e tij Meta, e ke kunder (meqe keta ndodhen aktualisht ne pushtet), por me siguri

ke kunder edhe Berishen, gje qe do duhej qe edhe Shuplakasit Kunder Tij, do duhej te te mbeshtesnin.

Gurakuq: me siguri ti e ndjen se ke kunder edhe gjoja Eliten e Djeshme, dhe jo me pak ate te Sotmen e Tiranes, po pra,

edhe Ismail Kadarene e ke kunder, dhe nuk besoj se eshte i nevojshem aresyetimi publik:

Emri dhe Lavdia e Tij, nuk tha, asnjehere, ne asnje kohe, ndaj asnje kabineti qeveritar te ketyre 70 vjeteve te tij dhe te Shqiperise Shteterore, asnje kritike thelbesore ndaj praktikave te tilla deiktatoriale apo autoritariste...

Ti flet per Shqiperi normale, Gurakuq, por ai eshte i shqetesuar vetem per Letersine Normale, sic e quan ai per qef te vete,

dhe. menjane, por njeherazi me politikanet qe gjoja i neglizhon, edhe ai edhe ata nxjerrin gjuhen dhe kam frike se

te therrasin ose do te perqeshin si "Romeo...pa Zhuljete", se Shqiperia eshte Prona e Dashur Vetem e Tyre...

jo e shqiptareve....

Submitted by Tarabosh Liqeni (not verified) on

Fatkeqesi per shqiptaret qe nuk paten kurre ne drejtim 'burra shteti'.  Aq e pamundur na duket neve sot  emerimi i 'nje burri shteti' ne drejtimin e qeverise, sa gati gati  fillojme  te  besojme se jemi te denuar nga  AI,  Zoti i plotfuqishem, qe te kemi kete fat fatal. Historia ne meson se udheheqesit shqiptare jane artikuluar  nga krimineli te aventurieri per te perfunduar te psikopati.  Ky eshte fati i yne, skemi çte bejme! Sa me kriminel, sa me aventurier dhe sa me psikopat, aq me shume i duartrokitur!  Mos harroni, ' duartrokitesit' i duan keto udheheqesa! Dhe sipas ketij kendveshtrimi, megjithse artikulli i Z.Gurakuqi eshte me shume vlere dhe shpalose te verteten, ne fund te fundit mbetet pa zgjidhje dhe behet utopik. Ky eshte mendimi i im deshperues.

Submitted by haloefect (not verified) on

Beji yzmet UET (folese se PD).  Kombinatit te gjetjes se ushtareve te PD.  Popoganda  ee UET behet edhe mbi studentet. Psh ne kohen e Saliut ,ju thuhej studenteve te juridikut se nje individ mund ti jape impuls levizes aq shume shoqerise sa nuk mund ta bejne edhe shume njererz bashke qe nuk kane tiparet e liderit suprem"-  (kuptohet ishte fjala  doni me per belulin). Sherbetore te fshehte te Saliut.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.