Shkishërimi i kujt?

Akti i ndërmarrë nga Kuria Arqipeshkvore Metropolitane e Shkodrës, më 14 Shtator, më saktë dekreti nr. 96/2012 i lëshuar prej saj u transmetua gjerësisht në media si "dekreti i shkishërimit", nëpërmjet të cilit Kisha Katolike Shqiptare në përgjigje të shtimit të rasteve të vrasjeve me motiv gjakmarrjen, shpalli se do të shkishëronte secilin prej atyre që kryenin atë veprim. Pati bujën e zakonshme mediatike, ku më së shumti u debatua mbi raportet midis laikes dhe fetares, por pa marrë vëmëndjen e zakonshme përsa i përket thelbit të secilës prej tyre, e aq më pak asaj fetares.
Pra le të merremi me dekretin. Së pari, dekretet sipas përkufizimit ligjor janë akte që disiplinojnë procedurat brenda një kornize ligjore të paravendosur. Korniza ligjore e dekretit të Kurisë Arqipeshkvnore të Shkodrës është Kodi i së Drejtës Kanonike, i ripunuar për herë të fundit nën kujdesin e Papa Gjon Palit të II-të në mesin e viteve '80; vetë dekreti, në këtë rast veçse risjell në mendjen e klerikëve nën autoritetin e arqipeshkvnisë, ligjet kanonike mbi çështjen e vrasjes dhe dënimet që pasojnë atë. Një tjetër saktësim i nevojshëm për t’u bërë në rastin tonë është se dekreti nuk trajton në veçanti vrasjen në rrethanat e së drejtës kanunore, por vrasjen në çdo aspekt të saj, duke përfshirë këtu dhe bashkëpunëtorët. Kjo pjesë e fundit është tepër e rëndësishme, por do e trajtojmë më poshtë. Gjithashtu e drejta kanunore përmendet veçse në preambulën e dekretit si akt administrativ dhe jo në pjesën ekzekutive të tij. Po kështu shkishërimi, si masë e mbështetur në të Drejtën Kanonike, mund të revokohet në kushte të cilat nuk janë lënë pa u përfshirë në dekret. Një nga kushtet është dhe ai, sipas të cilit vrasësi dhe/ose bashkëpunëtori duhet të kryejë sipas masës së paraparë prej ligjit. Më së shumti këtu Kuria i referohet Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, por e ka lënë pa specifikuar. Një gjë të tillë duhet ta kishte bërë, edhe fuqishëm madje, përderisa nuk ka lënë pa përmendur në brendësi të dekretit Kodin Kanunor dhe Kodin Kanonik. Në thelb, dekreti synon të forcojë rolin e strukturave kishtare për dënimin sipas Kodit Kanonik të shkelësve të dispozitave të tij. Dënimi i gjakmarrjes sipas këtij kodi është i pashmangshëm. Dekreti është rrjedhojë e kodit kanonik, dhe për pasojë dënimi i gjakmarrjes nuk është vullnet i Kurisë e aq më pak risi në Kodin Kanonik, megjithë përshëndetjen e Vatikanit. Gjithashtu gjakmarrja, më mirë të themi vrasja, pasi e tillë është pa zbukurimet metaforike, pasi gjaku që derdhet më së shumti rrjedh poshtë në tokë e nuk e prek njeri me dorë, kjo të paktën që prej pajisjes me armë zjarri të vrasësve në tërë harkun e historisë, nuk duhet parë vetëm si subjekt i Kodit Kanonik. Për besimtarët e vërtetë, të çfarëdolloj feje, vrasja është e ndaluar, dhe vendos njeriun kundër Zotit, apo Allahut, çfarëdo qoftë. Zoti, që në të tëra besimet më të përhapura në Shqipëri është i njëjtë, dhe profetët e tij janë Moisiu, Jezusi dhe Muhameti, secili në segmente të ndryshme kohore, kur krijoi njeriun nuk i dha as Adamit e as Evës fuqi të shuanin pasardhësit, dhe përderisa këtë fuqi Adami e Eva nuk e kishin as nuk e kanë trashëguar, kështuqë askush sot nuk mund të përdorë atë fuqi të cilën nuk ia ka dhënë kush, e aq më pak Zoti, si krijues i tij. Përveç marrjes së fuqive pa të drejtë, vrasësi zëvëndëson dhe Zotin, pasi është Zoti ai që ka fuqinë e shuarjes së jetëve mbi Tokë, e që një gjë të tillë pritet ta bëjë herët a vonë sipas feve të ndryshme. Pra, pa iu futur interpretimeve të gjata të Kodit Kanonik, kjo është arsyeja se pse vrasja në çfarëdolloj rrethane është e papajtueshme me besimin tek Zoti. Ky është një interpretim i ngjashëm me atë që bën Xhon Loku në Traktatin e Dytë mbi Qeverisjen, e që jo pa qëllim iu referova.
Pra le të kalojmë tek Shteti. Autoriteti shtetëror është, ose më saktë duhet të jetë, një autoritet i ngritur nga vetë njerëzit për të mbrojtur interesat e tyre e për të përdorur dhe forcën për këtë qëllim. Edhe vetë Shtetit nuk i njihet e drejta e marrjes së jetës së njeriut, dhe dhuna e përmendur pak më parë duhet të ketë një karakter parandalues, pengues dhe kufizues për elementët brenda shoqërisë që tentojnë ta dëmtojnë këtë të fundit. Dekreti, për ata që nuk kanë pasur rast apo dëshirë dhe rast së bashku, për të lexuar pjesën e Kodit Kanonik mbi marrjen e jetës së njëriut, përmend edhe bashkëpunimin në vrasje. Sipas Kodit në fjalë edhe vetë shteti është subjekt i këtij penaliteti. Kjo duhet kuptuar më gjerë sesa mund të arrihet të bëhet në mënyrë të menjëhershme. Në vendin tonë ku shteti, më së shumti është proaktivisht i dorëzuar përpara fenomenit të vrasjes, dhe që veprimi i tij ka më tepër karakter dënues, sesa parandalues, pasveprues, sesa paraveprues, në aspektin kanonik konsiderohet plotësisht si bashkëpunues në fenomenin e vrasjes. Ky lloj bashkëpunimi konsiderohet i vlefshëm në të tëra rastet sipas kodit kanonik por aspak sipas Kodit Penal në fuqi. Megjithëse, ka patur raste kur elementë të veçantë të shtetit, në bashkëpunim apo individualisht, në vullneëtin e tyre të plotë kanë përmbushur dhe kërkesat e Kodit Penal në këtë aspekt. Për ta thënë më qartë dekreti, gjithnjë sipas Kodit Kanonik shkishëron dhe shtetin. Në një këndvështrim më pak të kodifikuar, kur një vrasje ndodh shteti, ashtu si dhe vrasësi, apo shkrepësi i pushkës, bie në kundërshtim me Zotin. Si të tillë vrasësi e Shteti, nuk kanë vend në kishë, apo xhami, apo çfarëdo objekti kulti. Veçse me një ndryshim, Shteti, ndryshe nga vrasësi, sipas Kodit Kanonik, mund ta fitojë më parë "ri-kishërimin". Pra ndryshe nga pozita e tyre përpara Zotit, përpara Kodit Kanonik ata mund të integrohen serish në katekizmin e përbashkët. Kjo përsa i përket vrasjes si akt. Përsa i përket dënimit dhe shlyerjes së tij, Kodi Kanonik, Shteti dhe vrasësi, kudo, por sidomos në vendin tonë, vendosen në kushte bashkëpunimi tepër fitimprurëse. Nga ana e tij, vrasësi vret, dhe përmbush detyrimin e tij kriminal apo kanunor, këtu tek ne më së shumti nuk mund të bëhet dallim qoftë edhe nën interpretimin rigoroz të Kodit Kanunor; Shteti bashkëpunon, duke lejuar por edhe duke mos dënuar mjaftueshëm, dhe kjo fillon nga xhepat policeskë tek çantat gjyqësore e më tej, dhe Shteti simbolikisht dënon duke përmbushur detyrimin e tij; nga kjo e fundit nis edhe përmbushja e misionit kanonik, duke i hapur rrugën për re-integrim vrasësit e Shtetit bashkë. Të dobëtit e të fortët bashkë, veçse të parit nga këta të dy ka më tepër mundësi t'i pritet rruga nga ndonjë sivëlla. Kështu lëviz pambarimisht dhe rrota e mundimit, ku më tepër e ku më pak.
Së treti, e në vijim nga më sipër le ti rikthehemi dekretuesëve, e duhet përmendur që këtu i janë shtuar listës së fundmi dhe klerikët e Komunitetit Mysliman Shqiptar, e pse jo, me përshëndetje mund ta bëjnë, nëse nuk e kanë bërë akoma dhe homologët e Komunitetit Ortodoks. Mbështetja e këtyre dekreteve s'ka se si të mos ndodhë paralelisht e njëkohësisht nga të treja këto komunitete. Në fakt, fuqia dekretuese e tyre është e pamohueshme dhe mos ndodhtë ndryshe, e ketu duhet lënë mënjanë ironitë. Por, fuqia dekretuese, së bashku me atë rishikuese e përmirësuese të teksteve të shenjta e atyre të shenjtëruara nuk duhet kurrsesi të tejkalojë qëllimin e saj, pra atë të afrimit të njeriut me Zotin, e jo me Kodet. Ky i fundit nuk duhet kthyer asnjëherë qëllim në vetvete, pavarësisht se vetvetiu kthehet në rrjedhojë. Ndryshe do të ishte një lloj fundamentalizmi i çuditshëm. Nëse klerikët e të gjitha feve në Shqipëri kanë autoritetin për të kërkuar zbatimin e të drejtës kanonike, me qëllim purifikimin shpirtëror të besimtarëve, duke i kërcënuar edhe shkishërimin e tyre, së pari duhet të kenë guximin protestant për të "shkishëruar" Shtetin, si mbështetës i pashmangshëm, i paanashkalueshëm, e shpesh herë i padëshirueshëm i shkelësve të së drejtës kanonike. Shteti është njëkohësisht polici që nuk ndalon, prokurori që nuk tregon, gjykatësi që nuk dënon, por edhe drejtuesi rastësor i tyre që në çdo rast bën vizita kortezie për raste festive.
Gjithsesi, le ta marrim "dekretin e shkishërimit" si një hap energjik të autoriteteve fetare shqiptare në dobi të parandalimit të fenomenit të vrasjes e të vendosim në provë vendosmërinë e tyre për "shkishërim" të vrasësve e bashkëpunëtorëve në vrasje duke parë çdo të ndodhë së pari, bash në ditën e Kurban Bajramit e duke vijuar më tej me ditën e Krishtlindjes.
Comments
E drejte
<p>E drejte</p>
Add new comment