Problemi është Kushtetuta

Analizat mediatike dhe politike në Shqipëri, në më të shumtën e kohës, ndërtohen mbi spekulime rreth veprimtarisë së shkuar dhe të ardhme të aktorëve të veçantë të politikës. Mungon një analizë e qartë e skemës institucionale ku këta veprojnë dhe, edhe kur kjo përpiqet të bëhet, thjesht nënvizohet se situata po bëhet më keq pa hyrë në detaje që kalojnë nivelin e bisedës së kafeneve. Politika e Tiranës në fakt nuk vuan nga ndonjë "sëmundje" që nuk ka prekur ose nuk prek aktualisht klasën politike edhe të vendeve më të përparuara të perëndimit. Kjo sepse "sëmundjet" e politikës nuk janë dhe aq specifike të një vendi apo të një tjetri, por janë anomali që shfaqen rëndom gjatë jetës sociale të një shoqërie. Ajo që i dallon vendet e zhvilluara është eksperienca shumë shekullore në përplasje me anomalitë politike, e përjetuar me shumë ulje-ngritje, e cila sot është shkrirë në atë bazë institucionale që është rëndom e pranishme në këto vende. Kjo histori përplasjesh i mungon në mënyrë natyrale një vendi që akoma nuk ka mbushur as 100 vjet pavarësi. Nëse shqiptarëve ajo që ka ndodhur në Shqipëri nga 1912 e këtej u duket shumë, atëherë duhet thjesht të hedhin sytë në librat e historisë së vendeve te pasura evropiane.
Megjithatë kjo nuk do të thotë që një vend duhet të kalojë atë proçes të gjatë shekullor transformimi që ka kaluar perëndimi i Evropës për të arritur një stad të afërt demokracie dhe qëndrueshmërie sociale. Shembuj për këtë, duke përfshirë madje edhe vende afrikane, ka plot. Çelësi i suksesit shumë herë ndodh të jetë në dorë të fatit përveç se në dorë të popullatës së vendit. Disa vende të Amerikës Latine për pjesën më të madhe të shekullit të kaluar kanë vuajtur nga probleme të ngjashme me Shqipërinë për të arritur sidomos në dhjetëvjecarin e fundit stabilitetin demokratik. Shembuj janë përveç Brazilit, edhe Argjentina ose Kili por edhe Peru-ja ndërkohë që vende si Venezuela kanë mbetur si ishuj autokratikë.
Për popullatën e një vendi është e rëndësishme të kuptohen disa gjëra bazë që vlejnë për analizën e lojës politike. Të kuptuarit drejt të fenomeneve madje është premisë për ndikimin mbi status quo-në. Përqëndrimi i analizës te aktorët kryesorë aktualë është i kotë, aq më tepër kur bëhet mbi baza morale. Politika, për ata që vërtetë duan ta kuptojnë dhe për ata që e bëjnë, nuk është një vepër letrare rreth moralit shoqëror. Themelor në analizë është fakti që harrohet shpesh se marrëdhënia politikan-sistem nuk është e njëanshme por në dualitet të vazhdueshëm. Të parët ndikojnë të dytët dhe anasjelltas.
Politikanët mund të ndikojnë direkt në ndryshimin e sistemit ku veprojnë por jo pa kosto për ta. Imagjinoni për një moment një njeri që ka vendosur ta bëjë politikën karrierën e tij. Në fillim mund të jetë madje dhe idealist, mund të niset nga qëllime realisht fisnike në ambiciet që ka. Por me kalimin e kohës, i duhet të mësojë se së pari duhet të hysh në lojë. E që të hysh në lojë, duhet të bësh kompromiset e para me ata që janë tashmë brenda në sistem, sepse përndryshe dikush që do i bëjë do ecë më përpara më shpejt. Madje edhe nëqoftëse vihet në krye të një lëvizjeje antikonformiste, do i duhet të kuptojë shpejt që për të arritur një masë kritike mbështetjeje duhet të zgjerojë gamën e interesave që përfaqëson dhe për këtë të bëjë akoma më shumë kompromise se më parë dhe të tradhëtojë disa nga qëndrimet e mëparshme. Por edhe një politikani që është në qeverisje e sipër e që i intereson rizgjedhja, i duhet të shpërblejë, përveç elektoratit edhe aktorët e tjerë që e kanë ndihmuar të vijë aty ku është. Të bësh një fushatë elektorale që të arrish votat e të zgjidhesh kushton lekë e të duhen njerëz. Ky është fakt i jetës. Por edhe ata politikanë që vendosin t’i manipulojnë zgjedhjet përveç rreziqeve afatgjata që marrin përsipër, bëjnë kompromise, sepse manipulimin nuk e bën dot një njeri i vetem. Pra në parim politikani që të zgjidhet lufton të arrijë fillimisht një koalicion sa më të madh mbështetës aktorësh me peshë vendimmarrëse në sistem që i mundësojnë zgjedhjen, dhe pastaj përpiqet të shpalosë axhendën e tij personale politike brenda kufijve që i lejon llogaria e mbajtjes së aq mbështetjeje sa duhet për mbajtjen e pushtetit. Më shumë nuk mund të bëjë. Përndryshe dikush tjetër do ofrohet, do riorganizojë mbështetjen dhe do ta mundë në të ardhmen. Gjatë qeverisjes është pastaj e pashmangshme që i duhet të përzgjedhë shpesh midis kompromiseve e premtimeve të mëdha që ka bërë për të mbledhur mbështetje, se cilat do lërë dhe cilat do zbatojë. Inkonsistenca në premtime e politikanëve është veçori e lojës politike dhe shfaqet kudo nëpër botë, prandaj nuk ka të bëjë me ndonjë individ në veçanti në tregun politik qoftë ky edhe shqiptar. Është e rëndësishme të kuptohet ironia e faktit se status quo-ja aktuale e sistemit politik të një vendi përzgjedh në një farë mënyre edhe se cilët individë mund të kenë shansin ta ndryshojnë atë. Prandaj një status quo politike ka vetinë të përforcojë vetveten në mungesë të një ndryshimi në rregulla loje ose të një traume që bën të mundur ristartimin e sistemit. Se kush janë aktorët me peshë vendimmarrëse që formojnë koalicionin fitues për një politikan varet nga vendi dhe situata në fjalë, por ata janë më pas deçisivë për të kuptuar sistemin politik që ekziston në një vend, sepse diktojnë në masë të madhe shpërndarjen e të mirave publike pasi politikani merr pushtetin.
Në vendet me demokraci të konsoliduar popullariteti midis zgjedhësve është shifra më e rëndësishme për politikanin, por edhe mbështetja që mund t’i vijë nga grupe interesi të industrisë dhe financës së vendit janë të rëndësishme. Kurse në vende me demokraci gjysmake si Shqipëria, mbështetja publike është e rëndësishme deri në pikën që shmang kërcënimin e revoltës popullore, ndërkohë që favore e miqësira të tjera kanë përparësi për politikën e përditshme. Në demokracitë liberale në perëndim me një traditë shumë të madhe historike aktorët kryesorë janë votuesit, të cilëve vërtetë pashmangshmërisht u kalojnë ca gjëra poshtë hundës, por pa shkelur disa ekuilibra socialë tashmë të mishëruar në traditën politike. Për politikanët që i shkelin këto ekuilibra lind vetvetiu në sistem kundërshtia nëpërmjet protestës popullore dhe shtohen masivisht konkurrentët politike që do përpiqen të krijojnë koalicione të reja fituese.
Është pikërisht ky kundërveprim automatik në sistem që i bën ato demokraci të funksionojnë. Ky mekanizëm mungon në vende si Shqipëria prandaj, të paktën parimisht, mbetet vetëm një rrugë tjetër e mundshme e “rregullimit” të sistemit. Është një rrugë e shkelur shpesh në shumë vende dhe mund të përkufizohet me shprehjen: t’i lidhesh duart politikanit. Për ta ilustruar, mund të përmendet institucioni i Bankës Qendrore ashtu siç funksionon sot në shumicën e vendeve të botës. Përpara se bankat qëndrore në botë të ishin (kryesisht) të pavarura nga politika dhe të drejtoheshin nga teknicienë, ndodhte fenomeni i njohur i monetizimit të borxheve qeveritare. Politikanët bënin shumë premtime për të ardhur në pushtet, pastaj shpenzonin shumë duke marrë borxhe për të mbajtur veten në pushtet, dhe kur kasaforta ishte bosh, i thoshin bankës qëndrore të financonte harxhimet duke shtypur kartmonedha, gjë e cila kur bëhej masivisht, çonte në hiperinflacion dhe shkatërrim ekonomik. Pikërisht për të shmangur këtë fenomen, ekzekutivit iu lidhën duart duke i pajisur bankat qëndrore me statute që sigurojnë pavarësinë institucionale nga ekzekutivi dhe duke vendosur si kriter për guvernator përgjithësisht teknicienë të politikës monetare. Për të arritur një lidhje të ngjashme duarsh për lojën politike në Shqipëri që do të shmangte efektet negative të gjithanshme të politikës në jetën sociale dhe ekonomike të vendit duhet ndërhyrë në kushtetutë si baza e institucionalizmit shqiptar. Kushtetuta e Shqipërisë në formën e miratuar në 1998 është një kushtetutë moderne, e cila do pranohej në parim nga shumë popuj të përparuar të perëndimit. Por pikërisht këtu është problemi i kësaj kushtetute: gjatë formulimit nuk u mor parasysh mungesa e thellë e traditës demokratike në Shqipëri duke humbur kështu një shans ndoshta unikal në historinë shqiptare për t’i vënë vërtetë gjërat në shinën e duhur duke kompensuar këtë mungesë me rregulla direkte më radikale për imponimin më të drejtpërdrejtë të demokracisë. Iu dha politikanëve shqiptarë një kushtetutë e rëndomtë europiane me shpresën se pasi ta lexonin ata do kthenin rrugë nga tradita nga e cila vinin dhe do silleshin si perëndimorë. Natyrisht që kjo shpresë nuk do të materializohej. Për të dhënë një analogji ndoshta të çuditshmet, por jo pa vend, çdo inxhinier e di se për të rritur temperaturën në një ambjent të mbyllur në mënyrë permanente deri te një vlerë e caktuar, duhet që për ca kohë kjo vlerë të tejkalohet. Në Shqipëri u synua direkt vlera përfundimtare e dëshiruar e sistemit dhe kështu rezultantja në fund mbeti shumë poshtë dëshirës. Stabilizimi drejt një sistemi demokratik më anë të imponimit direkt të rregullave strikte prodemokratike është bërë me sukses në shumë vende të botës. Shembull tërësisht i arrirë mbetet Gjermania perëndimore e pas Luftës së cilës, pjesërisht nga ndikimi amerikan ju imponua një kushtetutë e “ashpër” demokratike për të shmangur ndikimin e sistemit të sapo rrëzuar nazist në të cilin ishte rritur brezi të cilit i binte paradoksalisht detyra të krijonte një shtet të ri demokratik. Në Shqipëri fatkeqësisht edhe ajo kushtetutë e 98-ës, e papërshtatshme për shkak të nënvlerësimit të traditës historike shqiptare, u dëmtua rëndë me ndryshimet e 2007 ku u dobësua në mënyrë direkte institucioni i presidentit, pra indirekt pushteti gjyqësor. Është e kotë të ripërsëritet se ky qe një gabim i madh taktik elektoral i opozitës, sepse i sinjalizoi hapur popullatës, që te ne nuk ka ndonjë qasje të re ndaj pushtetit, duke trembur nga votimi kështu një pjesë të mirë të atij elektorati që është i pavendosur dhe duke shtuar masën e të zhgënjyerve nga politika në tërësi. Nuk është çudi, duke parë sistemin elektoral shqiptar, të jenë trembur aq votues pro, sa duheshin për t’i marrë mazhorancës edhe nja 4-5 deputetë, siç nuk është çudi që laitmotivi mediatik që përdoret kundër opozitës sot është: ata nuk janë më të mirë.
Megjithatë le të kthehemi te thelbi i çështjes, pra kushtetuta. Të dizenjosh një sërë rregullash që zgjidhin përfundimisht problemet afatgjata politike të Shqipërisë nuk është e vështirë. Shembuj të kufizimeve të nevojshme të ankoruara ne kushtetutat përkatëse nga vende me demokraci tashmë të konsoliduar ka plotë, nga Kosta Rika e Brazili te Korea e Jugut, për të mos përmendur vende si ShBA. Një set amendimesh mund të përfshinte rregullat e mëposhtëme :
1.Një shtetas i Republikës mund të mandatohet vetëm dy herë si kryeministër i Shqipërisë.
2.Drejtuesit e pushtetit lokal mund të zgjidhen maksimalisht tri herë në postet përkatëse.
3.Deputetët mund të zgjidhen deri tri herë të njëpasnjëshme nëpër legjislatura dhe pastaj duhet
të bëjnë një legjislaturë pushim nqs duan të rizgjidhen. Deputetët nuk gëzojnë imunitet ndaj gjyqësorit.
4.Presidenti i Republikës zgjidhet nga populli dhe kur duhet të zëvendësohen kohortat përkatëse të Gjykatës Kushtetuese apo të Lartë, ajo bëhet me formulën: emrat i propozon Presidenti, gjysma e tyre emërohen direkt pa diskutim në parlament kurse gjysmën e tyre parlamenti ka të drejtë t’i kthejë mbrapsht. Parlamenti voton se cila gjysmë emërohet direkt dhe cilët mund të rikthehen për ripropozim.
5.Këto rregulla loje ndryshohen vetëm me referendum popullor.
Nëqoftëse rregulla të ngjashme formulohen qartë pa tinëzime ligjore nëpër nën-nene, nuk ka pse të mos shfaqin efektin e duhur.
Siç mund të kuptohet shpejt, 1, 2 dhe 3 shërbejnë për të bërë profesionin e qeveritarit më pak tërheqës dhe nxitjen e profesionit të politikanit si të tillë dhe të karrierës së shërbyesit civil në rangje të larta. Ndryshimi i 4 shërben për balancimin e ndikimit të legjislativit ndaj gjyqësorit me anë të presidentit. Ky lloj balancimi është tmerrësisht i nevojshëm në Shqipëri dhe mënyra më e mirë e mundshme e bërjes së saj është me një president të zgjedhur nga populli. Një president që thjesht zgjidhet nga populli pa kompetenca shtesë në lidhje me gjyqësorin është një propozim bosh. Është e rëndësishme të kuptohet se ka një ndryshim thelbësor në sjelljen e kryeministrave dhe drejtuesve lokalë, nëqoftëse këta e dinë se automatikisht nuk janë të përjetshëm nga rasti kur mendojnë se do jenë të përjetshëm, por në fakt më pas del që nuk janë të tillë. Pritshmëritë rreth vendit të punës ndikojnë direkt në sjelljen aktuale pavarësisht rezultatit final të rizgjedhjes. Vetëm vendosja e disa rregullave të ngjashme loje mund të kompensojë defiçitin historik demokratik të vendit dhe të shmangë alternativën tjetër të demokratizimit nëpërmjet dhimbjes së gjatë me dekada të tëra të eksperiencave të dështuara të njëpasnjëshme.
Suksesi i kësaj të dytës është në fakt edhe çështje fati. Shembull janë disa vende në Evropën Lindore por edhe vetë Rusia të cilat edhe pse aq afër me demokracitë liberale perëndimore për kaq shumë shekuj, kanë mbetur ishuj autokratikë. Një pyetje legjitime është: kush do kishte një autoritet aq të madh sa të ndihmonte në vendosjen e rregullave radikale beninje pro demokracisë në Shqipëri? Vërtetë që në Gjermaninë e pas Luftës ishin amerikanët, por jo çdo vend i suksesshëm i është dashur ndihma nga jashtë. Ideja që kanë shumë shqiptarë se me integrimin në BE më vonë, gjithçka do rregullohet nga një autoritet qëndror në Bruksel është iluzion. Elitat që luftojnë për realizimin e projektit europian parapëlqejnë një federatë shumë të deçentralizuar, ku secili vend do ketë, përveç disa gjërave, akoma shumë gjëra në dorë. Rol real për të luajtur ka shoqëria civile e një vendi e cila e organizuar me platformë masash politike por me synime apolitike përpiqet të influencojë politikbërjen me aktivizëm dhe jo konstatime mediatike. Konstatimet mediatike nuk kanë vlerë në një vend si Shqipëria. Shoqëria civile me gjithë problemet ekziston akoma në Shqipëri. Fakti që nuk ka treguar akoma shenja me të forta aktivizmi shpjegohet me një farë hutimi dhe me mungesën e traditës e cila nuk e lejon të ketë më shumë aspirata se vetë koha kur janë rritur individët e saj. Së fundmi, vështirë se ka ndonjë politikan që mund të gjejë një argument logjik bindës kundër rregullave loje si ato të parashtruara më lart. Për më tepër, një politikan me një formim normal, që nuk vuan nga ndonjë anomali psikologjike e lidhur me karrigen e kryeministrit, e di mirë, se qeverisja në botëkuptimin e shekullit ku jetojmë nuk është profesion, por është politika profesion. E di, se një ditë ia vlen të dalësh në pension, i nderuar dhe të shohësh i qetë atë që ke lënë për gjithë shoqërinë dhe jo thjesht për familjen tënde. Ashtu siç e kupton që të rinjtë do jenë domosdoshmërisht një ditë më të zotë dhe më përparimtarë se ty. Këto janë thjesht fakte të jetës. Brezi i politikanëve të promovuar që në kohën e diktaturës kanë parë më shumë se duhet një model që nuk ka të bëjë me këto vlera. Por të paktën të rinjtë në lojë duhet ta kenë të lehtë të kujtojnë shembujt e historisë botërore dhe të harrojnë përfundimisht kompleksin se shqiptarët nuk munden në krahasim me të tjerët. Në 1797, Washingtoni pa u mbështetur në ndonjë traditë paraardhëse, pasi bëri një mandat të dytë si president i ShBA-ve, refuzoi mandatin e tretë, vuri në jetë institucionin e mandatit të kufizuar presidencial dhe doli në pension të gëzonte larg stresit ditët e mbetura të pleqërise. Dhe atij, pa e përmendur asnjëherë nëpër podiume kongresesh, vërtet që prapa i erdhi historia.
Comments
Pershendetje Jetlir urime
<p>Pershendetje Jetlir </p><p>urime per shkrimin tuaj, me pleqeu shume, tamam realiteti shqiptar, </p><p>e goditur mbyllja e shkrimit</p><p>me respekt </p><p>mendi</p><p> </p>
Add new comment