Një ditëlindje që më shtiu në zili

Postuar në 21 Janar, 2015 04:27
Ilir Metaj

Hyjnë shpenguar, qeshin, ngacmohen, pengohen tek karriget, një bërryl ngjeshet padashur në ijen e tjetrit. Po nuk ka problem. Është mes miqsh.

Një buzëqeshje e madhe i drejtohet gjithkujt majtas-djathtas, edhe pse jo domosdoshmërisht njihen të gjithë. Por janë sikur njihen të gjithë. Sepse të gjithë i ka mbledhur aty përmes udhëtimesh, shpesh disa orëshe, thjesht një mik. Një mik i vjetër, një mik në pension, pa asnjë portofol, pa asnjë dhëndër në pushtet, pa asnjë influencë diku, dikur, diçka.

Pra, kanë lënë punët e kanë ardhur veshur pa ndonjë siklet të madh.

Helbete, një mik i tillë që të fton, nuk të detyron të parakalosh për t’u matur e peshuar nga dhjetra sy në një pasarelë të improvizuar në çdo restorant. Jo, miku të ka ftuar për t’u argëtuar së bashku, ashtu për qejf. Dhe ti nuk vihesh fare në siklet nëse nuk ke një kostum të shtrenjtë për një rast si ky, e as je i detyruar të dëgjosh ankesat e gruas se ja, të ka thënë kaq herë që i duhet një fustan firmato për këto raste.

Jo, këta miq e kanë marrë ftesën me sportivitet, vishen aq bukur sa u lejon garderoba që hapet në momentin e fundit dhe, po aq me sportivitet, nxitojnë për të mbërritur të parët në darkë, pa sikletin e përllogaritjes hileqare për të mos u dukur sikur mezi kanë pritur (dava provincialësh pra !) e ndaj, të mos jenë ndër të parët (dava VIP-ash pra!).

Pastaj, oh, pale pastaj. Pastaj vjen më e bukura.

Ngrihen njëri pas tjetrit ca burra të mençur, ca burra të hijshëm, si korifej, e thonë diçka, të menduar që më parë në vija të trasha, por të pashkruar në ndonjë letër.

Me pamjen e madhërishme të një hokatari klasi, ata dëshmojnë me një art-bio të njëjtën gjë: sa shumë i paska marrë malli për njëri-tjetrin, sa shumë e kanë vlerësuar njëri-tjetrin një jetë të tërë, sa shumë u mungon ajo kohë kur kanë qenë bashkë e, sa mirënjohës i janë njëri-tjetrit për atë ç’ka kanë këmbyer me fisnikëri e pa çmim, përvec çmimit të çimentimit dita-ditës të një miqësie si kjo.

Një miqësi si kjo i mban gjallë shpirtrat edhe pas kaq e kaq vitesh, e u jep energji e forcë të udhëtojnë me orë të tëra përmes kontinentit të madh për të kaluar disa orë së bashku, disa orë si atëherë…

Disa orë të bardha për kokat e tyre të zbardhura.

Disa orë ku të qeshurit nuk ka nevojë të stimulohet mbi tualetin e ngrirë të grave, disa orë ku askush nuk ka nevojë të vrasë mendjen se mos nuk zgjodhi fjalën e duhur, disa orë në një shoqëri të çiltër ku ai tjetri është si vetja jote.

Këtë pashë me zili me sytë e mendjes, duke lexuar një reportazh plot dashuri e humor nga një i ftuar në ditëlindjen e 75-të të Pëllumb Kullës. Një atmosferë e freskët humori e sinqeriteti, që më bëri të kisha zili pse nuk isha edhe unë në një festë të tillë, në një tryezë të tillë, absolutisht miqsh të vjetër e të rinj.

Nuk ka ministra në një tryezë të tillë. Sepse, edhe nëse ndonjëri është ministër, askush nuk e mban mend për ato orë. Nuk ka as zonjëza deputete, që vënë në punë gazetarët për t’u zbuluar markat e fustaneve që (kujdes!), janë blerë vetëm për këtë rast.

Fiksojini në fotot tuaja se nuk do të keni shans t’i shihni më, (gjithmonë pyes veten, sa dhoma u duhen për garderobë këtyre deputeteve tona, që nuk vishen dy herë njësoj? A thua është turp të lash rrobat e t’i riveshësh!).

Nuk ka as kameramanë pa fund që presin me orë të tëra të detyruar nga pronarët e televizioneve, të cilët gjithashtu do të parakalojnë së bashku me zonjat e tyre në tapet, për të filmuar një nga një të gjithë të ftuarit. Nuk ka as zotërinj politikanë high-fashion, që harxhojnë kushedi sa kohë para pasqyrës për të kombinuar shamijëzën në xhepin e xhaketës me kravatën dhe çorapet (e ç’ta bëjnë kohën?) .

Nuk ka as konkurencë “zogjsh” e “zogash”.

Unë gjithmonë pyes veten, kujt i intereson gjithë kjo maskaradë? Si dreqin i kemi mbushur mendjen vetes se çdo festë ditëlindjeje duhet kthyer në një teatër të madh publik? Madje, shpesh, festat familjare bëhen vetëm si pretekste për të krijuar këtë teatër, ku fabula është vetëm një: trafik influencash.

E kështu, u kemi hequr fëmijëve shansin të shohin e të edukohen me kulturën e festave mes miqsh, e festave pa protokoll servilizmi, të ditëlindjeve ku të ftuarit gëzojnë vetëm një status, atë të mikut të të zotit të shtëpisë. Dhe ky është status i barabartë e i merituar për të gjithë, ku në krye të tryezës ulet miku më i moshuar, jo ministri apo deputeti.

Fëmijët kanë nevojë të rriten duke shijuar atmosfera të tilla, ku kameramani është një nga të ftuarit ose djali apo vajza e shtëpisë, e ku të gjithë qeshin e qeshin me shpirt. Si rrallë ndodh në festat tona hipokrite, qofshin private apo gala. Të dyja tipet janë njësoj joprivate, janë njësoj të stisura për “public relations”.

Unë e shijova nga larg ditëlindjen e Pëllumb Kullës, që me humorin brilant e të shpenguar që prodhoi edhe në këtë rast, më bëri të kem zili gjithë të ftuarit që ishin atje. Le të kujtojmë çfarë kemi humbur duke mos patur festa të tilla në jetën tonë. Le t’i bëjmë fëmijët, të paktën, t’i shijojnë e ndaj t’i bëjnë pjesë të jetës së tyre (njeriu, jo “zogu”). Kësisoj, ajo do të jetë më e çiltër dhe më e vërtetë se kjo jona, qe mesa duket po bëhet bosh e më bosh (ciuuu-cër).

Eh, Pëllumb Kulla, ç’më shtive në mendime mor i bekuar…

Comments

Submitted by Shkelqyeshem (not verified) on

Ah, vetem me femijet e tyre jo,

atyre do tu mbetet borxhi...

si mund te pranohen sot deshmitare?!

haku i popullit te ze, keshtu thone, Ilir Meta/j

qe ku vajte e zgjodhe kete emer/mbiemer, or i bekuar!!!

Por e ke shkruar shkelqyeshem,

Nder me te vyerat dhurate per ditelindjen atlantikase!

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Per Zone, te mos ishte fotografia dhe ajo "j" ne fund te mbiemrit do mendoja se rroja ne nje univers paralel, po aq absurd sa ky i yni.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.