Ne, jetimët e rrugës së tretë

Është e enjte mbrëma dhe unë, si shumë nga bashkëqytetarët e mi, jam ulur përpara televizorit duke dëgjuar me ëndje intervistën e shumëpritur të Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Një gjë duhet sqaruar; unë jam shtetas shqiptar i kthyer në atdhe pas pesëmbëdhjetë vjetësh dhe përmbushja e dimensionit civil të qënies time është më shumë se nevojë, është dëshirë e plotësuar më në fund. Debati politik më intereson dhe zët kam apatinë dhe cinizmin shterpë.
Pra, siç thashë dhe më sipër, jam ulur në kolltuk dhe po ndjek fjalë për fjalë këtë intervistë. Më pëlqen stili i qetë i Zotërisë dhe fakti që diskursi i tij ka përmbajtje dhe formë e cila përputhet mirë me pozicionin e tij institucional. Zë të shtruar dhe që rrezaton besim në vetvehte. Karakteristika këto që shumë mirë mund të gjendeshin në përshkrimin e figurës të një prindi në moshë dhe me eksperiencë.
Gjithshka mirë deri këtu. Befas gazetari shqipton dy fjalë, të cilat hapin përpara meje një hapësirë të pafundshme dhe plot interes. Jam jurist dhe mund të them me plot gojën që kam një ndjeshmëri të veçantë për temat dhe çështjet kushtetuese. Ndaj dhe në këtë pikë ndalet vëmendja ime.
“Legal apo konsensual?” Flitet për Presidentin e ardhshëm, i cili do të duhet të zgjidhet vitin që vjen, vit në të cilin skadon dhe mandati i Presidentit aktual. Pra si do të zgjidhet ai, cila do të ish mënyra më e drejtë sipas Z. President? Më mirë një President, i cili të ketë konsensusin e palëve politike apo, siç dhe ka filluar të afirmohet dhe nga eksponentë të maxhorancës aktuale, një President i zgjedhur nëpërmjet zbatimit të përpiktë të procedurës të parashikuar në nenin 87 të Kushtetutës së Shqipërisë?
“Legal...??”, mendimi pezull qëndron mbi hapësirat e kumtesës dhe në çast ndizet një dritë. Nuk dua dhe nuk mundem kurrsesi ta përkthej termin legal në diçka të atillë si e ligjshme apo ta përshtjelloj atë në përmbajtje deri në pikën ku do të fillonim e të flisnim për koncepte si ligjshmëri etj. Etj. Këtu bëhet fjalë për diçka që është një shkallë më lartë se ligji dhe duhet qartësuar mirë që, nëse përdorim një term të tillë, jemi gjithsesi (në një pikëpamje le të themi krejtësisht akademike) duke mbjellur pakëz tollovi. Gjithsesi, e mjaftueshme është të nënvizojmë faktin që jemi duke diskutuar për një çështje, e cila prek thelbin e shtetit të së drejtës; Kushtetutën dhe rrethinat përreth saj . Por gjithsesi, për momentin kjo gjë ka pak rëndësi. Rëndësi kanë emrat dhe ngjarjet që ky term sjell ndërmend.
Për Carl Schmitt-in Legaliteti është arma e helmuar me të cilën goditet pas shpine kundërshtari politik. Po aq domethënëse është periudha historike në të cilën lindi dhe u zhvillua çdo kritikë ndaj këtij koncepti (ata që duan të informohen mund ta bëjnë këtë gjë lirisht). Bertold Brecht, në një prej veprave të tij, këtë fjalë e vë në buzë gangsterësh dhe përmbajtja çuditërisht mbetet po ajo.
Ky koncept pra përfaqëson në imagjinatën e traditës juridike të mirëfilltë perëndimore, diçka tmerrësisht formale, pjesën e së drejtës e cila, e braktisur nga ana substanciale, shndërrohet në një instrument vdekjeprurës për vehtë demokracinë. Me afirmimin e anës formale të së drejtës kërkohet shpesh të fshihen qëllime të errëta dhe fakti që e drejta po kthehet në dorashkë, e cila vesh dorën e dhushme dhe të pakontrollueshme të pushtetit. Të afirmosh me forcë dhe në mënyrë të shurdhët se diçka është legale dhe vlen në mënyrë të patjetërsueshme pikërisht sepse është legale, është të dhunosh në thelb sistemin e shtetit të së drejtës. Ky thelb ndërtohet pikërisht mbi rruvijën që bashkon anën formale me anën materiale të së drejtës; pranimi i saj përçon në një moralizim të së drejtës dhe në një përmbajtje etike të veprimit ndër-institucional.
Nëse vazhdojmë të arsyetojmë në këtë mënyrë e gjejmë vetvehten në brendi të një devijimi të rendit demokratik, siç dhe është demokracia e më të fortit. Grotesku i kësaj status-quo-je mund të shprehet shumë mirë me episodin historik të përshkruar po nga Brecht-i në një nga poezitë e tij të titulluar Legalitat.
Por unë kam nevojë të vazhdoj më tej. Të gjithë duhet të kemi kuptuar tashmë që forca e vërtetë e demokracisë qëndron në mundësimin e dialogut no-matter-what. Pra instrumenti më demokratik në këtë këndvështrim duket të jetë kompromisi. Palët promovojnë secila alternativat-produkt i vizionit të tyre politik për t’u takuar më pas dialektikisht në mes. Dikush lëshon pe dhe tjetri e ndjek përgjatë kësaj rruge. Sa e mundur është kjo gjë në hapësirën e debatit politik shqiptar? Nuk e di! Sa e këshillueshme/ e pranueshme/ e dobishme është kjo gjë për të mirën e demokracisë shqiptare? Kam rezervat e mia dhe druaj se nuk është kështu veç për mua.
Duke iu kthyer intervistës në fjalë, Z. President mbështeti atë që mund ta quajmë rruga e tretë. Presidenti të zgjidhet me votim të drejtpërdrejt nga populli. Bukur! Le të zgjedhë sovrani pra. Në momentin që demokracia gjendet përballë një ngërçi politik ajo çka këshillohet është një rikthim në pikën zero (në një farë mënyre). Sovrani të shprehet i lirë dhe sia fatta la sua volonta’. Por unë kam një akoma një pyetje e cila ka nevojë urgjente për përgjigjje, sepse unë dyshoj, unë vazhdoj të dyshoj. Unë dyshoj sepse besoj tek e vërteta dhe pikërisht ky gjest është një homazh i dlirë kundrejt saj.
Nëse kemi parasysh ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, të cilat shkatërruan çdo mundësi për vendosjen e qëndrueshme të ekuilibrave ndër-institucionalë dhe zbrazjen e institucionit të Presidentit nga shumë prej kompetencave dhe funksioneve të tij të mëparshme, cila do ish dobia e rikthimit në pikën zero? Pra, a nuk rrezikojmë që edhe në këtë rast vullneti i sovranit dhe vota e lirë të jenë pre e po atij mentaliteti të dhunshëm dhe totalitar që kërkon të fshihet pas petkut të asaj çka është Legale.
Ne, jetimët e demokracisë jemi dhe jetimët e rrugës së tretë. Nuk na mbetet veç të shpresojmë në diçka tjetër. Në një zgjidhje, të cilën duk do të jemi në gjendje ta prodhojmë vetë sepse vazhdojmë të jemi peng të së kaluarës. E kaluara jonë ka veshur petkun e së tashmes dhe pëllet shesheve gënjeshtra si të ishin të fundmit homazhe mbi qivurin e një të ardhmeje të sigurt (?!).
Comments
Presidenti duhet te jete

Presidenti duhet te jete konsensual sepse ai perfaqeson unitetin e popullit. Nje president qe zgjidhet me 50%+1 te votave eshte po aq i padobishem sa edhe nje president "legal". Duhet grisur neni 87.

Reflektim i ndjere me

Reflektim i ndjere me pikepyetje akoma me te ndjera, falemnderit autorit...

Në një zgjidhje, të cilën duk

Në një zgjidhje, të cilën duk do të jemi në gjendje ta prodhojmë vetë sepse vazhdojmë të jemi peng të së kaluarës.

Pse nuk qenkemi ne në gjendje ta prodhojmë vetë zgjidhjen, nuk e kuptoj? Kush do të na e prodhojë, alienët apo Greqia, apo Turqia, apo Kina, apo Amerika? E kaluara ka 20 vjet që ka ik dhe ishte si ishte, nuk ka qenë Holokaust.

Me kte menje që paske, ti do të rrish e të presësh zgjidhjen nga qielli. Të rrofshin edukata që paske marrë jashtë e poezitë e Brechtit që paske lexuar.

Shumë fatalist qenke e shumë pak besim paske te kapacitetet e njeriut ti autor.

Ti o hapi ...Qe mund te jesh

Ti o hapi ...Qe mund te jesh Hap ne sensin e hapit qe hedhim , apo hap ne sensin e ecjes perpara (por qe veç i tille nuk mund te jesh nga ato qe shkruan) me dukesh nje nga ata optimistet- nihilist e geloz qe per ato qe lexon e qe kane ndopak vlere mendon:Sa keq ta kisha shkruajtur une kete...!!! Mbase Brecht-it vetem emrin i ke degjuar se te pakten ky qe shkruan duket se e ka lexuar...Tipik njeri i asaj shqiperise qe tenton te banalizoje gjithshka nga maja e nje froni imagjinar....Zbrit ore zbrit e hidh nje hap prej verteti qe te te hapen syte se i ke akoma te mbushur me sklepat e gjumit njezet vjeçar ku te humburit me vule te kane futur....Per te te sqaruar termin optimist-nihilist eshte ai qe ne mes te nje mali me plehra e zhytur ne te deri ne fyt mundohet te marre me vehte edhe ate pak materie te paster qe ka ngelur....Te rrofte optimizmi yt se ata qe ti mbron xhepat ti kane çpuar e po te rrjepin mire e mire e paspak do te te ndukin edhe ate presidentin qe zotrote mendon se do e zgjedhesh vete ....Zgjohu , se presidentin e kane zgjedhur me kohe idhujt e tu!!!

Përshëndetje Anonim! Nuk e

Përshëndetje Anonim!

Nuk e njoh fjalën "geloz", ndoshta doje të thoje "xheloz".

Po ti sa bukur mi ditkërke mendimet, mor Anonim. Si mirë mi lexoke frustrimet dhe mosarritjet. Ditkërke bile edhe se çfarë kam e s'kam lexuar e kush mi mbron xhepat edhe kush më rrjep. Ti më njihke me dhëmb e dhëmballë. Bravo, qenke i fortë fare. Ti më bën edhe nderin të më bësh përfaqësues të një pjese të Shqipërisë (me "Sh" të madhe). Më bëre dhe nihilist, por optimist ama dhe të gjitha kto nga një koment i vetëm i imi. I fortë qenke. Pse nuk bëhesh psikanalist, opinonist ose analist? Jo, se ka vend prapë nëpër televizionet Shqiptare.

Nëse je autori e nuk të vjen mirë kur ti kritikojnë shkrimet, atëhere më mirë mos shkruaj në web ku të tjerët mund të lënë komente. Më mirë merr shokët te kafja e bëj muhabet me ata. Nëse nuk je as autori, e dashke shumë fort autorin për shkrimin që ka bërë. Për qejfin tënd këtë shkrim "brilant" do ta shtypim masivisht e do ta bëjmë manifest e do ta shpërndajmë anekënd Shqipërisë.

Tani, le të vijmë te komenti im.

Autori në paragrafin e fundit thotë se, ne si shoqëri nuk jemi në gjendje të prodhojmë zgjidhje sepse jemi peng i së kaluarës.

1. Zgjidhjen e situatës autori e kërkon nga jashtë, meqë ne vetë nuk qenkemi në gjendje ta prodhojmë.

Unë nuk jam dakort që zgjidhjen duhet ta presim nga jashtë. U bë 20 vjet që marrim modele e zgjidhje nga jashtë dhe ja ku jemi, të zënë ngërç. Besoj se ka ardhur koha që të ulim pak bythën e kokën, të vrasim pak mendjen e të gjejmë vetë një zgjidhje për situatën tonë dhe mos ta presim nga jashtë. Vetëm fakti se asnjë nuk mund ti kuptojë më mirë problemet dhe kulturën apo mentalitetin e Shqiptarëve sesa ata vetë, mjafton.

2. Nuk e kam shumë të qartë se për cilën të kaluar e ka fjalën.

Besoj gjithsesi se bën fjalë për diktaturën. Nuk e kuptoj se çfarë na mban peng nga diktatura kur ajo ka 20 vjet që ka vdekur si sistem. Nëse jemi peng diku, jemi pengje të tranzicionit.

Tung Anonim!

I Dashur hap, une shkrimit

I Dashur hap,

une shkrimit dhe mendimit tim i kam vene emer dhe mbiemer dhe me behet qejfi qe e keni lexuar. Persa i perket kritikes tuaj, mendoj se ka nje keqkuptim si rrjedhoje e kendveshtrimit tuaj. Gjithsesi, me duket naive te mendosh qe pranimi dhe njohja e rrethanave do te thote dobesi/plogeshti.

Ne vazhdim, e kaluara nuk ka vdekur dhe nuk vdes thjesht sepse ne e duam nje gje te tille. Une nuk besoj tek mrekullite, ju besoni ne to? Ndryshimit ndodhin ne brendi dhe thellesi dhe ato kane nevoje per aq kohe sa nevojitet.

Ne perfundim, mendoj se mund te beni kritika pa dhene "vleresimet" tuaja mbi personin. Le te flasim per idete dhe jo per njerezit. A nuk mendoni dhe ju se kjo menyre kritike (pra perqendrimi tek personi duke anashkaluar idete) eshte disi e vjeter?

Me respekt

Përshëndetje Z.

Përshëndetje Z. Kukunja,

Faleminderit për sqarimin mbi identitetin e komentuesit "Anonim" i cili nuk paska të bëjë me ju.

Të lutem, a mundeni të na sqaroni paragrafin e fundit dhe sidomos fjalinë ku bëhet fjalë për zgjidhjen dhe në cilat çështje ne kemi mbetur peng tek e kaluara, sepse me të vërtetë mendoj se nuk e paskam kuptuar këtë fjali. Ju bëni fjalë për zgjidhje, por nuk e marr vesh se çfarë është kjo zgjidhje. Pse nuk e prodhojmë dot vetë?

Sa për vlerësimet për personin, mund edhe ti kishit lënë vetë jashtë shkrimit. Sidomos në paragrafin e parë, fjalinë e dytë. Nuk e kuptoj se çfarë lidhje ka me idetë e shkrimit kjo fjali.

Me po aq respekt.

Add new comment