Në vitin 2084

…Ishte fillim Tetori, tashmë kishin kaluar 3 muaj nga marrja e kryesimit të Presidencës së Bashkimit Europian nga ana e Shqipërisë. Gjatë kësaj kohe të shkurtër presidenca shqiptare ish treguar jo pak aktive në përballimin e krizave që shqetësonin Unionin: kështu pas një krize politike që kish përfshirë Brukselin kohët e fundit, një tjetër krizë e rëndë financiare afrohej kërcënueshëm. …E si të mos mjaftonin këto, Komisionit Europian i duhej të përballej edhe me konfliktet e fundit në rajonin e Magrebit, ku prej vitesh ekzistonte një klimë e rëndë mes dy vendeve potencialisht kandidate për anëtarësim ne BE, Tunizisë e Algjerisë, pasi kjo e fundit vazhdonte të shfaqte hapur pretendime territoriale mbi liqenin e Chott el Garsa, totalisht të pabazuara sipas palës tuniziane. Ky rajon vazhdonte të konsiderohej “i nxehtë” nga ekspertët, madje nuk dukej edhe aq e pamundur mundësia që atje të kalohej në një konflikt të armatosur.
Edhe në këtë çështje, BE-ja me anë të presidencës së radhës, të kryesuar nga Ministri i Jashtëm shqiptar, nuk kish nguruar t’u tërhiqte vëmendjen vendeve në konflikt, duke theksuar se aspiratat e tyre për anëtarësim po pësonin një goditje të rëndë dhe se BE-ja nuk mund të pranonte në gjirin e saj vende të paafta për të krijuar raporte të fqinjësisë së mirë.
I tronditur nga deklaratat e prera të presidencës shqiptare, kryeministri algjerian ish nisur menjëherë drejt Tiranës, ku pas përpjekjesh të shumta diplomatike dhe jo vetëm, kish mundur të garantonte mbështetjen e Ministrit shqiptar se aplikimi i Algjerisë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim do të shqyrtohej brenda një kohe të shpejtë, por sigurisht me kushtin e qartë që pala algjeriane të përmbushte detyrimet e caktuara nga Komisioni.
Por jo çdo gjë shkonte fjollë për presidencën shqiptare… Vetëm pak ditë më parë policia kufitare kish sprapsur nga ujërat territoriale shqiptare një gomone të tejmbushur me refugjatë afrikanë, të nisur nga rajoni i Benghazit të Libisë. Ai që më vonë u quajt “Incidenti i Piqerasit”, rrezikonte t’i kushtonte shtrenjtë Tiranës zyrtare, pas paralajmërimeve të shpeshta nga UNHCR-ja (Komisioni i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët) se Shqipëria ishte duke shkelur të drejtat themelore të njeriut. Qindra refugjatë afrikanë, mes të cilëve edhe gra shtatzëna e fëmijë të mitur, ishin “braktisur” në mes të detit, ishin lënë në mëshirë të fatit prej policëve kufitarë që operonin në zonën e ndërmjetme mes Piqerasit e Lukovës.
Por këto paralajmërime i dukeshin të tepruara Ministrit të Brendshëm shqiptar, pasi ai pretendonte se Shqipëria nuk mund të kthehej në vend-strehimin e refugjatëve që dyndeshin nga të katër anët drejt portave të Europës. “Lipset një politikë e përbashkët e Bashkimit Europian”, vlerësonte Ministri në lidhje me çështjen e emigrantëve, “Shqipëria nuk mund të përballojë e vetme barrën e të gjithë emigracionit klandestin”.
E vërteta ish se në Shqipëri po afronin zgjedhjet e përgjithshme dhe çështja e emigracionit zinte një peshë të konsiderueshme në diskursin politik të kohës.
Në vend numri i emigrantëve ish rritur me hapa galopante, të ardhurit nga vende të botës së tretë që vërshonin drejt “tokës së premtuar” ishin shtuar ndjeshëm. Në qytetet e mëdha si Tirana, Durrësi, Shkodra etj, ishin formuar prej kohësh lagje të veçanta të komuniteteve të ndryshme që jetonin në Shqipëri, ku China-Town në kryeqytet ish bërë e famshme për qindra-mijëra kinezët që organizonin atje çdo aspekt të jetës së tyre të përditshme. Po ashtu kish edhe zona tipike egjiptiane, marokene etj.
Në fakt emigrantët në Shqipëri mund të ndaheshin në grupe të ndryshme: veç atyre që konsideroheshin të dëshpëruar e nuk shihnin asnjë shpresë jetese në vendet e tyre (kryesisht me prejardhje nga vende veçanërisht të varfra të kontinentit afrikan si Burkina Faso apo Gaboni), mund të veçoheshin edhe azilantët politikë, të cilët vlen për t'u theksuar se vinin edhe nga vende të mëdha perëndimore (dikur flamur-mbajtëse të lirive të njeriut). Në këtë grup të fundit, vihej rè një përqindje interesante e atyre që fitonin azilin politik, pasi pretendonin se përndiqeshin në vendet e tyre për shkak të prirjeve seksuale (në mediat vendase bëri bujë ardhja e qindra homoseksualëve italianë, të cilët prej vitesh luftonin për të drejtat e tyre me Kishën Katolike të Romës). Me këtë fakt, turizmi seksual po i sillte vendit fitime të majme. Agjensitë turistike organizonin paketa të veçanta për çiftet homoseksuale që vendosnin të martoheshin e më tej eventualisht të kalonin muajin e mjaltit në vendin e shqiponjave.
Por së fundmi ish përhapur dyshimi se me këtë çështje shumë emigrantë abuzonin, pasi dihej se Shqipëria ishte një ndër 3-4 vendet e vetme të BE që lejonin me ligj martesat brenda seksit. E duke ditur këtë gjë, shumë refugjatë “shtireshin” si homoseksualë të përndjekur e në këtë mënyrë përfitonin shpejt e lehtësisht azilin politik në vendin tonë.
Popullsia vendase kish ditur t’i shfrytëzonte në interes të saj shumë raste që kishin të bënin me refugjatët dhe legalizimin e qëndrimit të tyre në Shqipëri. Shpesh në media ish përfolur për korrupsion me lejet e qëndrimit të emigrantëve, jo pak herë kishin përfunduar në pranga punonjës të Qendrës së Emigracionit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë (zyrat e së cilës ishin vendosur diku pranë Mulletit, zonë kjo periferike e kryeqytetit e njohur për dendësinë e popullatës së huaj që banonte atje). Përflitej se emigrantëve u kërkoheshin shuma të majme të hollash në këmbim të lejeve të qëndrimit në vendin tonë (njëkohësisht të vlefshme në të gjithë BE-në). Madje një rast kish hapur shumë diskutime: Bëhej fjalë për një refugjat nga Zambia, i cili kish mundur të fuste në kurth një vajzë nga Burreli, pasi kjo e fundit i kish kërkuar plot 10 mijë euro për t’u martuar me të (këto ishin raste të njohura pasi shumë refugjatë e shihnin si një mundësi të mirë për të marrë nënshtetësinë "shqiptare-europiane", ndërkohë që popullsia vendase nxirrte përfitime jo të vogla nga këto martesa fiktive). Historia në fjalë u mbyll me arrestin e vajzës nga Burreli, ndërkohë që refugjatit zambian iu akordua menjëherë titulli “pioner i anti-korrupsionit” – për merita të veçanta në sportin e preferuar kombëtar të spiunimit e sigurisht përfitoi një leje të përhershme qëndrimi në Repub. e Shqipërisë.
Por jo të gjithë refugjatët kishin këtë fat. Vlen të përmendet se një pjesë e konsiderueshme e tyre detyroheshin të paguanin këto shuma të majme, si e vetmja mundësi për të qendruar në vendin tonë, si e vetmja shpresë për të mos u kthyer mbrapsht në terrin prej nga ku vinin… Shumë prej tyre binin prè e paragjykimeve, shpesh-herë raciale. Kjo ish një temë që kish zënë një vend të rëndësishëm në emisionet televizive ku sa vinte e më shpesh shtrohej pyetja: “A janë shqiptarët racistë? A ekziston në vendin tonë një frymë intolerance ndaj të huajve?”. Një pjesë e të pyeturve përgjigjej prerazi se shqiptarët nuk janë racistë, por thjesht nuk duan që vendi i tyre të tejmbushet me emigrantë të vërshuar nga të katër anët e botës. Një pjesë tjetër e mbështeste analizën e saj te ndihma që emigrantët e huaj i jepnin ekonomisë vendase, duke theksuar se ata pranonin të kryenin ato profesione që shqiptarët tash prej kohësh i kishin braktisur (nën moton e njohur "nuk bëjmë më punë jevgjish" - si punëtor krahu, murator, bojaxhi etj) dhe për rrjedhojë kontributi i tyre ishte i pamohueshëm. Ndërkohë që një pjesë e vogël analistësh (të cilët përfliteshin si të blerë nga agjenturat e huaja anti-shqiptare) nuk nguronin t’u kujtonin shqiptarëve se vetëm disa dekada më parë afrikanët e ditëve të sotme, zambianët e zimbabvianët që dyndeshin me çdo mënyrë drejt botës së zhviluar, ishim vetë ne shqiptarët, delet e zeza të Europës, që me anijet e gomonet e tejmbushura “pushtonim” brigjet fqinje e bash me to edhe faqet e para të gazetave perëndimore…
Mirëpo Shqipëria tashmë ish një vend i madh. ...Një shtet federal që bashkonte nën një flamur 5 rajone me autonomi të njohur në kushtetutë (Shqipëria, Kosova, Mali i KuqeZinjtë, Çamëria si edhe rajoni i shqiptarëve në lindje të Shqipërisë e jug të Kosovës, që dikur kish qenë pjesë e një shteti fantazmë, të formuar rishtazi pas shpërbërjes së Jugosllavisë). Kryeqytet sigurisht ishte Tirana, qendra e kombit dhe e të gjithë shqiptarëve. Më në fund shqiptarët kishin kombin e tyre të bashkuar. Një dhe të vetëm. Tashmë ata mund të ishin krenarë për të. Tashmë ata ishin më se të barabartë me europianët e tjerë. Ah sa të largëta dukeshin tani kohët kur pasaportat e kuqe griseshin në kufinjtë e ndonjë fqinji tinëzar…! Sa i largët tash kujtimi i vizave dhe radhëve të stërmundimshme! Sa i vakët kujtimi i anijeve e gomoneve të tejmbushura…!
Të tjera sfida e prisnin kombin…
Comments
Mali i Kuqezinjte :) BE nuk
<p>Mali i Kuqezinjte :)</p><p>BE nuk do kete deri ne ate vit, ose do jete bashkim ndryshe nga ai qe eshte sot.</p><p>Do zoti qe konfliktin e ardhshem ta fitoje aleanca e perbere edhe nga Anglosaksonet, qe te shtrihemi me ne veri dhe lindje kurse persa i perket jugut, me duket pak utopike, por kurre s'duhet thene kurre.</p><p> </p>
"E vërteta ish se në Shqipëri
<p>"E vërteta ish se në Shqipëri po afronin zgjedhjet e përgjithshme dhe çështja e emigracionit zinte një peshë të konsiderueshme në diskursin politik të kohës."Per kete motiv kryeministri 142-vjeçar Sali Berisha i pare, i madhnishmi , hyjnishmi, qe shpreson ne nje mandatim te 21 si kryeminister e ka mbeshtetur fushaten elektorale edhe nje here te mbjellja e arroreve dhe shegoreve. Kujtojme se pas futjes ne BE ne vitin 2024 te te gjitha vendeve te Ballakanit pati nje ndarje te BE-se ne BE e lindjes dhe BE-perendimit. Megjithate vemendja kryesore eshte te kodi zgjedhor, edhe kete vit si cdo vit elektoral pas protestave te socialisteve te drejtuar nga 115 Rama per vjedhje te votave, do te shohim hartimin e kodit te 48 zgjedhor(per kete pritet te merret dhe cmimi i 15 guiness si vendi me me shume kode zgjedhore ne historine e vet). Gjithashtu kane filluar dhe pregatitjet per te festuar korrikun e ardhshem 80 vjetorin Kryeministrise se te madhnishmit, hyjnishmin, hundkerraben, sypetritin,gojet'emblin Sali Berisha te Pare, mbret i Viçidolleve.</p>
Add new comment