Më mirë djali pa patentë, se sa patenta pa djalë!

Para disa ditësh isha i shtruar në Spitalin Ushtarak, nga një frakturë në këmbë, shkaktuar nga pakujdesia. Nuk dua të flas këtu për vështirësitë e mëdha që hasa duke ndjekur shkallët hieirarkike të sistemit shëndetësor dhe që mbërrita në spital me plagë të avancuar, por për diçka tjetër që më bëri përshtypje gjatë ditëve të qëndrimit atje.
Përveç meje, dy pacientët e tjerë të dhomës ishin shtruar nga aksidenti në rrugë. Gati e njëjta situatë ishte edhe në disa dhoma të tjera. Dominonin aksidentet në rrugë e më pas ato në punë, shqetësim ky edhe për mjekët. Të dy pacientëve të dhomës sime u ishte rrezikuar jeta seriozisht, gjë që dukej nga kohëzgjatja në spital prej më shumë se një muaji dhe plagët ende të pambyllura. Fatmirësisht dukej se nuk do kishin probleme fizike në të ardhmen. Dëshira për të drejtuar automejet nuk u mungonte edhe pse ishin puthur me vdekjen mëse njëherë. Duke patur parasysh moshën e tyre të re, kam frikë se do të rreken përsëri drejt shpejtësisë, e cila kish qënë shkaku i aksidentit. Por jo gjithmonë fati është bujar me ne.
Më së shumti më çuditi një tjetër rast. Ishte një djalë rreth të tridhjetave, i shëndoshë e muskuloz, gjë dukej nga kraharori zbuluar në krevatin me rrota, të cilin e shtynte e ëma e moshuar (të paktën këtë përshtypje krijova nga rrudhat e thella të fytyrës së saj). Ndoshta hallet e kishin plakur para kohe. Kur nxorri krahët nga çarçafi pashë se i kishte të cunguara, njëra deri në parakrah, ndërsa tjetrën poshtë bërrylit. Këtë pjesë të shkurtër e lëvizte me mjeshtëri duke zëvendësuar duart e humbura. Jeta e kish detyruar të bënte punët më të domosdoshme vetiake. Ai vishej e ushqehej pa ndihmën e një personi tjetër, madje ishte në gjëndje të përdorte elektronikën, deri dhe të shkruante mesazhe në telefon. Ishte nga ata persona të veçantë që i shohim tek emisioni televiziv "Mos e beso po deshe", apo dhe emisione të tjera të ngjashme.
Deri këtu ishte ok. Përderisa me krahët e cunguara bënte punë kaq intime, nuk u çuditëm aspak kur mësuam se dinte t'i jepte mirë edhe makinës. Por kur dëgjova se ecte në rrugët nacionale dhe me shpejtësi marramendëse deri 180 km/orë, kjo më tromaksi fare. Mania për të bërë gjëra të pamundura, ndoshta dëshira për të çuditur të tjerët e shtynte drejt ekstremeve. Nga kjo pandalshmëri kish marrë fatkeqësinë e dytë gati të pariparueshme. Tek ecte me shpejtësi – dhe këtë episod e tregonte me krenari – kish pësuar aksident të rëndë duke mbetur i paralizuar për tërë jetën. Tashmë, jo vetëm pa krahë, por edhe pa këmbë. Nuk di të them nëse ishte i pajisur me patentë ose jo, por fakti që ai lëvizte me makinë në rrugët nacionale tregonte se ose policia rrugore e toleronte duke parë "fatkeqësinë" e tij, ose patentën e kish marrë në mënyrë korruptive. Gjithsesi, nëse nuk do ta toleronin, do e kishin shpëtuar nga fatkeqësia fatale.
Për të marrë patentën e klasit A, sot ka dy mënyra. Njëra rrugë është ajo normalja, të regjistrohesh në kurs e ta ndekësh rregullisht deri në marrjen e provave, megjithëse nuk di ndonjë rast që të mos e ketë marrë njeri patentën. Po kjo nuk ndodh, se s'është në interesin e drejtuesve të autoshkollave, ndaj dhe bëjnë përpjekje të mëdha për t'i ndihmuar në prova. Mënyra tjetër më e lehtë është ajo e pagesës së dyfishit të vlerës, pa qënë nevoja e frekuentimit të kursit. Nuk është se këtë klauzolë e shfrytëzojnë vetëm ata që janë të ngarkuar me punë e dinë të drejtojnë mirë automjetin, por edhe ata që e kanë të vështirë të kalojnë provat. Dhe këta janë më shumë të rinj, që patentën e marrin jo vetëm si domosdoshmëri, por edhe për modë. Tabuja tashmë ka kohë që është thyer edhe nga femrat. Por për to ekziston ideja se janë më të kujdesshme se burrat, në drejtimin e automjetit.
Gjithsesi rreziku është i pranishëm për këdo në rrugë. Sipas statistikave, aksidentet më të shumta ndodhin nga konsumimi i tepërt i alkoolit dhe ecja me shpejtësi mbi normat e lejuara, por shkaqet janë të gjithanshme e të shumta dhe secila ka rëndësinë e vet e që nuk duhen neglizhuar. Nëse mjeku që lëshon raportin mjekësor do të jetë më korrekt, drejtuesit e autoshkollave nuk do të japin pantenta të pamerituara, polici i trafikut nuk do të tolerojë shkelejet e qarkullimit rrugor, shteti do të të bëjë më shumë investime në rrugë e sinjalistikë, nëse bëhet një punë edukative më e mirë në shkolla, me siguri do të kemi më pak aksidente. Si rezultat edhe më pak pacientë në spital, më pak invalidë e më pak jetë të humbura. Vetëm kur na ndodh e keqja themi se "më mirë të na kthehet djali pa patentë në shtëpi, se sa të vijë patenta pa djalë”. Para se jetën të na e mbrojnë të tjerët, duhet ta mbrojmë vetë.
Comments
Falemnderit autori per
<p>Falemnderit autori per shkrimin. Ne fakt me ka bere gjithnje pershtypje moskokecarja llahtarisese e shume e shume drejtuesve te makinave ndaj jetes se te tjereve dhe jetes se vet...dhe policia hesht...</p>
Ka disa pasaktesira ky
Ka disa pasaktesira ky shkrim.
se Pari nje 30 vjecar nuk quhet me djale por burre (man).
Se dyti edhe personat me handicap trupor, pa kembe o dore Kane te drejte tu japan makinave qe Jane te pershtatura per ta.
Se fundi titulli do te kishte me teper vlere nese do te ishte per femijet dhe te nenkuptonte djalin apo vajzen. Nese femija e kesaj nene te gjore nga ana tjeter do te ishte vajze/grua do te kishte fare pak mundesi qe te perfundonte ne spiral I paralizuar nga idiotesia e tij
Add new comment