Kujt i fryn veriu?

Si bëhet që veriu vazhdon të jetë tema kryesore, për të cilën flasim dhe me të cilën preokupohemi, ani që po shihet me kilometra se institucionet tona nuk kanë asgjë në duar dhe se kjo temë nuk varet nga Kosova?
Teksa e përcillja seancën e Kuvendit, të enjten, gjatë gjithë kohës më mbante përshtypja thuajse po e shikoja ndonjërin nga episodet e “Muppet Show”. Përderisa folësit ndërroheshin te foltorja para Kryesisë së Kuvendit dhe kabinetit qeveritar, dy ishin kryeqeveritarët që e kaluan gjithë mbledhjen ose duke i folur njëri-tjetrit në vesh, ose duke qeshur, pavarësisht asaj që thuhej. Statleri dhe Waldorfi në versionin kosovar, marrë parasysh se kohëve të fundit na tregojnë, madje edhe barsoleta, me gjasë se fillimisht do t’i kenë përqeshur folësit, e më pas do të kenë qeshur me barsoletat e veta. Ndryshe, vështirë është të shpjegohet mbajtja e ritmit gazmor për tri orë varg.
Mbase mu paraqitja e këtillë shpërfillëse është ajo që tregon se me sa pak seriozitet merren përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore nga ana e krerëve të Qeverisë. Sepse, po të ishte ndryshe, do të duhej të brengoseshin për nga fakti se në Kuvend, sërish po kthehej në rend të ditës situata në veri; situata për të cilën as kjo qeveri, e të enjten u pa se as opozita (me një përjashtim), nuk e ka as më të voglin propozim, as më të voglën ide si t’i qaset, pos ta përmendë KFOR-in. Mbledhja u dëshmua të ishte një shaka e paparë – u kritikuan, e u akuzuan, e u ofenduan ndërmjet vete në një mbledhje ku fillimisht mungonte një e treta e deputetëve, dhe më pas e përfunduan duke mos e nxjerrë asnjë konkluzion të vetëm dhe duke ia refuzuar propozimin “Vetëvendosjes” – atë që qeveria ta merrte përgjegjësinë e plotë për heqjen e barrikadave në veri.
Deputetët u shpërndanë, dolën që të gjithë me deklarata pas mbledhjes – secili duke e ndier veten triumfues: Koalicioni qeveritar që i ka numrat, për shkak se s’ka kush çka i bën, posaçërisht nëse opozita nuk kundërshton; LDK-ja, për shkak se nuk bën asgjë dhe “Vetëvendosja”, e cila me më pak numra, megjithatë dëshmon aktivitet të vërtetë opozitar, edhe atëherë kur ia tepron (rrotullimi i kamionëve) e edhe atëherë kur akuzohet për fashizëm (kur i ndërpret fjalimet e ministrave në ligjërata nëpër universitete e institute private).
Kosova është shndërruar në arenë teatrore që i gjeneron që të gjitha temat kryesisht dytësore që më pas përtypen gjatë gjithë javës. Është sikur, do të mund të thuhej, të jetojmë në një komedi televizive, ku të gjithë aktorët kryesorë bëjnë gara se cili do ta thotë fjalinë më pa lidhje/qesharake/absurde/të pakuptimtë. Mirëpo, përderisa komeditë televizive shërbejnë për të na dëfryer, deklaratat e politikanëve tanë shërbejnë për të na bërë nervozë, ani që duhet konstatuar që këto dyja megjithatë kanë diçka të përbashkët – ikjen nga realiteti.
Të ikur nga realiteti duket të jenë zyrtarët e Ekzekutivit, prej të cilëve rrodhi komenti më skandaloz i javës. Në mbledhjen e vet të rregullt, Qeveria e kritikoi KFOR-in se po vepronte ngadalë në procesin e heqjes së barrikadave në veri, duke i kërkuar dinamikë të shtuar: “Dinamika është – sa më shpejt që është e mundur të hiqen barrikadat anekënd Kosovës. Kjo është kërkesë e ditur, është e njohur dhe e përsërisim me këdo”, tha zëvendëskryeministri Kuçi. Të ulesh në kolltuk e të gjuash komente nga korneri është puna më e lehtë e mundshme. Por të komentosh e të kritikosh një punë, për të cilën ke përgjegjësi e t’ia veshësh fajin dikujt tjetër është absolutisht joetike dhe jokorrekte. Në rastin konkret, siç u tha më lart, është dëshmi e mungesës së seriozitetit dhe e mungesës së vizionit si të dilet nga qorrsokaku. Për më tepër, është ofendim ndaj trupave të KFOR-it, falë të cilave Kosova frymon e sigurt dhe, megjithatë, e qetë, me gjithë potencialin e shpërthimit social që po akumulohet dita më ditë.
Mbase duhet kujtuar edhe njëherë se barrikadat u shfaqën si pasojë e “desantit” të 25 korrikut – për të cilin tashmë u konstatua disa herë se ka qenë i papërgatitur, i pakoordinuar dhe, sipas deklaratës së kryeparlamentarit, edhe “befasi”. Barrikadat u shfaqën posa u ngre zhurmë e madhe dhe porsa u tërhoqën njësitë ROSU nga veriu -- kjo për shkak se Qeveria nisi një aksion, në të cilin u ngul dhe nga e cila situatë e nxori komandanti i kaluar i KFOR-it. Në këto rrethana, është e turpshme të kërkohet çfarëdo veprimi më i shpejtuar nga KFOR-i, i cili po merret me “pataten e nxehtë”, kur me këtë punë do të duhej të merrej Qeveria. Në fakt, Qeveria nuk do të duhej t’i bënte kërkesa askujt, e as t’i përsëriste ato te kushdo e kudo. Qeveria do të duhej të vepronte – por jo vetëm me fjalë.
Duket se institucionet e Kosovës nuk e kanë as idenë minimale se çfarë duhet bërë dhe çfarë qasjeje duhet pasur në lidhje me veriun. Qeveria thotë se problemi do të zgjidhet së bashku nga institucionet, KFOR-i dhe EULEX-i (këto dy të fundit me status neutral karshi Kosovës) dhe se nuk do të ketë negociata për veriun. Për qeverinë, e cila ka thënë se nuk do të ketë gjashtëpikësh (e kjo që po ndodh në veri tash është pasojë edhe e gjashtëpikëshit), a është për t’i besuar se nuk do të ketë bisedime politike pas këtyre të dështuarave teknike (që sërish janë politike)? Kryetarja thotë se nuk do të ketë Ahtisaari plus – që tashmë është një qëndrim politik që ka kuptim, por të cilës i mungon pjesa e dytë e fjalisë: nëse s’ka “plus”, si do të zbatohet Ahtisaari “tamam” dhe a ka kryetarja ndonjë propozim për këtë? Për kryeparlamentarin, duket se nuk ka dilemë. Kur u pyet javën e shkuar se pse nuk janë përfaqësuesit e institucioneve Kosovës në veri, u përgjigj me: “Për shkak se atje është KFOR-i”. Sipas kësaj deklarate del se, kudo që ka KFOR, nuk do të duhej të kishte as autoritete civile e as policore kosovare. Kjo do të thotë se meqë Shtabi i përgjithshëm i KFOR-it është në Prishtinë, nuk do të duhej të kishim as Qeveri.
Pra, situata është mjaft frustruese, sepse institucionet e Kosovës janë përjashtuar plotësisht nga çfarëdo vendimesh për veriun. Po shihet qartazi se penjtë tërhiqen nga Beogradi, se vendimin përfundimtar mund ta marrë Tadiqi, përderisa Daçiqi na kërcënohet se “Serbia nuk do të rrijë duarkryq, po qe se shqiptarët e sulmojnë popullin duarthatë serb në veri, që i mbron vatrat e veta”, dhe përderisa pritet vendimi i Evropës për statusin e kandidatit për Serbinë. Rivendosja e prezencës së institucioneve kosovare në veri më së paku do të varet nga institucionet e Kosovës, e më së shumti nga trysnia politike, e Evropës në këtë rast, dhe nga fuqia e KFOR-it për të dëshmuar autoritetin ushtarak.
Nuk e di nëse kjo analizë do t’i ketë shkuar në mend shefit të grupit parlamentar të PDK-së, kur u bë autori i deklaratës më patetike të javës: “KFOR-i jemi vetë ne”. Nuk e di se si i doli hesapi se ne jemi KFOR-i... po të ishte ashtu, atëherë nuk do të kishim nevojë për KFOR-in, sepse ne, kosovarët, jemi shumë më shumë në numra se KFOR-i dhe do të duhej të ishim në gjendje ta kontrollonim territorin tonë pa ndihmën e ndërkombëtarëve. Por fakti është se nuk jemi treguar të aftë që ta nxjerrim asmacen prej përsheshit – dhe, meqë jemi të tillë, kemi zgjedhur formën më të lehtë për ta zgjidhur situatën: me blla-blla-blla.
Veriu përfundimisht, ishte shkasi i një “incidenti” që e hidhëroi ambasadorin francez pa masë, aq sa veprimin e aktivistit të Vetëvendosjes që i ndërhyri në fjalë ministrit të Brendshëm, e quajti fashist. Assesi nuk do të mund të pajtohesha me diplomatin francez – shpalosjen e pankartës ku shkruante “Fiu, fiu t’fryn veriu” madje do të mund ta quaja kreative, të cilën gjë nuk do të mund të thosha për fjalimin e aktivistit. Duke pësuar nga sindroma “juve-neve”, nga e cila vuajnë të rinjtë kosovarë, që nuk dinë të dallojnë se kur duhet t’i drejtohen dikujt me “ti” e kur me “ju”, edhe ky djaloshi i fliste ministrit (që për nga mosha do të mund të ishte babai i tij), thuajse ishin havera prej kohësh. As ky, e as shumë të tjerë nuk e kanë kuptuar se edhe kur do që ta kritikosh dikë, duhet mbajtur nivelin, sharmin dhe kulturën. Por ja që edhe ky shembull tregon se shumëkujt në Kosovë i mungon kultura e përgjithshme e komunikimit, e cila, pos që mësohet në shtëpi, do të duhej të përsosej në shkollë.
Ambasadori francez e kuptoi reagimin e aktivistit si ofendim personal ndaj Ministrit dhe nuk i pëlqeu që fjalimi t’i jetë ndërprerë – prandaj në afekt do të ketë thënë se ky është një veprim fashist, deklaratë të cilën do ta përsëriste edhe dy herë më pas. Me keqardhje duhet shpjeguar mikut tonë francez se fashizëm është kur nuk të lënë të flasësh e të shprehësh një mendim në lidhje për përgjegjësinë politike që e ka ai të cilit i drejtohesh. Fashizëm është kur ta mohojnë ekzistimin dhe të drejtën për të qenë ndryshe. Fashizëm është kur me dhunë ta imponojnë ideologjinë që ti nuk e do. Dhe përderisa nuk ka dhunë dhe shkatërrim, protestat e këtij lloji nuk do të duhej ndaluar dhe assesi nuk do të duhej lejuar që të përfundojnë në formën siç ka përfunduar në ISPE – me arrestimin e nëntë vetave dhe, sipas raporteve të “Vetëvendosjes”, me rrahjen e tyre nga pjesëtarët e policisë. Po asaj policie e cila nuk merr pjesë në heqjen e barrikadave në veri, por e cila merr pjesë me dhunë, në aksionin për largimin e bllokuesve të rrugës së katundit në Polac të Skenderajt.
Kujt i fryn veriu?
Add new comment