Ja pse kundër toefl-ave!

Sipas nenit 26 të Ligjit për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë,”Studentët e këtij programi studimi duhet të japin në përfundim edhe provimin e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare.” Zbatimi i këtij ligji përfshin të gjithë studentët e programeve të ciklit të dytë (master) dhe të tretë (doktoraturë).
Në kuadër të (inte)grimit
Duket se ligji në fjalë është në koherencë të plotë me përpjekjet urgjente për t’u integruar sa më shpejt dhe me çdo kusht në komunitetet ndërkombëtare. Studentët do të certifikojnë njohuritë e tyre të gjuhës angleze – gjuha ndërkombëtare; përmes TOEFL-it apo ndonjë testi tjetër – të njohur ndërkombëtarisht; e për rrjedhojë administrata e nesërme do të flasë anglisht rrjedhshëm – njësoj si ndërkombëtarët; e ndoshta vjen një ditë, kur të gjithë shqiptarët do të flasin më mirë anglishten se shqipen – njësoj si ata, evropianët, dëshirë kjo e shprehur edhe nga zëvendës ministrja e arsimit, znj. Nora Malaj. Zelli i madh për t’u integruar me çdo kusht atje, në Evropë, duket se shprehet më së miri nga përpjekja për t’u integruar edhe gjuhësisht. Pra, do të vijë një ditë kur ne jo vetëm do të flasim, por edhe do të mendojmë si ata, evropianët. Qeveria jonë nuk është aq dritëshkurtër sa e kujtojmë shpesh! Drejtësia duhet të reformohet, jo për hir të drejtësisë, por për hir të integrimit; arsimi, ekonomia, infrastruktura, shëndetësia duhet të arrijnë standardet evropiane, jo për të rritur mirëqenien e njerëzve (kjo është rrjedhojë dytësore dhe rastësore), por që ne, më në fund, të hyjmë atje, në Evropë. E po të flasim edhe anglisht – ky do të ishte integrim maksimalisht i integruar. Projekt vizionar!
Detyrimi për t’u integruar, ose pamundësia për të mos u integruar
Mund të rendisim shumë argumente pse ky detyrim ligjor cenon haptas autonominë e universiteteve, publiken dhe të drejtën e çdo studenti për të vlerësuar vetë, sipas dëshirës dhe nevojës së tij, për të kryer studimet në këtë apo atë gjuhë, për ta certifikuar atë përmes këtij apo atij testi kombëtar/ndërkombëtar, për t’u integruar kështu apo ashtu në tregun e punës dhe mbi të gjitha të drejtën për të mos u integruar në të. Kushti për t’u certifikuar ekskluzivisht dhe përjashtimisht në gjuhën angleze cenon multilingualizmin, duke mos marrë parasysh se në aksh fushë mund të jetë më i dobishëm studimi i një tjetër gjuhe të huaj ose i asnjë gjuhe të huaj. Megjithatë, këto janë pasoja që derivojnë nga problematika e thelbit: detyrimi për t’u integruar medoemos; integrim me ligj.
Së pari, prirja për t’ua përshtatur politikat gjithnjë dhe sa më shumë kërkesave të tregut – ndërkohë që do të duhet të ishte e kundërta; politikat do të duhet të përcaktonin tregun - krijon një perspektivë aspak të qëndrueshme, duke qenë se tregu si i tillë nuk mund të jetë as i qëndrueshëm dhe as logjikisht koherent. Zhvendosja e logjikës së tregut në të gjitha përmasat (treg universitetesh, treg gjuhe, treg seksi) pamundëson çdo lloj përpjekjeje për të mos operuar me këtë logjikë, për t’iu shmangur asaj e mbi të gjitha për t’iu kundërvënë. Nëse pas disa vitesh, siç janë gjasat, Kina dominon tregun botëror, në inerci të dashamirësisë për gjithçka të jashtme/të huaj, nuk duhet të çuditemi nëse kërkohet certifikimi i gjuhës kineze me qëllim integrimin sa më të shpejtë në treg. Tregu nuk mund të konsiderohet si i aftë për të përcaktuar nevojat dhe hierarkinë e nevojave. Kjo sepse logjika mbi të cilën ai funksionon denatyron nevojat si të tilla, shpik nevoja dhe pastaj punon për t’i përmbushur ato; një qerthull që krijon realitete fantazmë.
Së dyti, kërkesa për t’u integruar me çdo kusht dhe me çdo mjet, e mëvetësuar tanimë nga çdo lidhje korresponduese me realitetin dhe e konsideruar si qëllim në vetvete – integrim për hir të integrimit – standardizon dhe komercializon përmes uniformitetit, qoftë ky ligjor, monetar dhe së fundi edhe gjuhësor. Ky lloj totaliteti, tinëzar dhe i shpërndarë, është shumë më i rrezikshëm se të ashtuquajturat totalitarizma historikë. Ndërsa totalitarizmi që ka njohur historia ka qenë i shpallur, sistemi i sotëm vepron duke proklamuar të kundërtën; ndërsa totalitarizmi i atëhershëm prezantohej si total, ky i sotmi vepron mbi partikularen, e cila mund të kontrollohet më efektivisht se sa e tëra, kontroll ndaj të cilit nuk mund të kundërvihesh, pasi opozita është gjithsesi e parashikuar nga dhe në funksion të pushtetit. Format e sotme të kontrollit janë të dhunshme, pikërisht sepse proklamohen si jo të tilla, akoma më tej si paqësore, racionale dhe të drejta. A nuk duket në pamje të parë krejt racional dhe i vlefshëm detyrimi për të certifikuar gjuhën angleze, e cila është gjuha që përdoret gjithandej? A nuk tingëllon si mendësi prapanike, naivitet patriotik apo përtaci/inat adoleshent kundërshtimi i këtij ligji?
Së treti, sistemi jo vetëm ndërhyn deri në palcë, në gjuhë (lexo: mendim), por përcakton edhe kufirin ndarës në raportin e mundur - e pamundur. Të gjithë duhet të mësojnë anglisht, parakupton që të gjithë munden të mësojnë anglisht. Nuk lejohet “të mos mundesh të...”, e mbi të gjitha “të mundesh të mos...”. I referohem këtu Giorgo Agamben-it, sipas të cilit “ i ndarë nga pafuqia e vet, i privuar nga përvoja e mundësisë për të mos bërë, njeriu bashkëkohor e mendon veten të aftë për gjithçka dhe përsërit pambarimisht një «s’ka problem» të hareshëm, apo një «gjë që bëhet» të papërgjegjshëm, ndërkohë kur do të duhej të kuptonte, në fakt, se është bërë pré, në një masë të paparë, e forcave dhe proceseve mbi të cilat i ka humbur çdofarë kontrolli. Është bërë krejt i verbër, jo më ndaj aftësive të tij, porse ndaj paaftësive, jo ndaj asaj çka mundet të bëjë, por ndaj asaj çka nuk mundet ose mundet të mos e bëjë.” Njeriu privohet nga pafuqia e tij. Pra, çdokush mund të mësojë anglisht, por sidomos askush nuk mund të mos mësojë anglisht. Pas kësaj apriorie, kalimi nga “mund” në “duhet” nuk është i vështirë. Pushteti përcakton pamundësinë e njeriut; pushteti shpik post-njeriun.
Paaftësia ligjore e shqipes, ose detyrimi ligjor për t’u aftësuar
Gjuha e huaj nuk është vetëm gjuhë e huaj; është trajtë (historike) ligjërimore. Historikisht realiteti i ligjërimit është zhbërë, duke u kufizuar së tepërmi në raportin gjuhë-mendim, a thua kahja është e njëanshme: ose strukturat gjuhësore, si fakultete të dhëna, kanë formësuar një lloj të caktuar mendimi, ose mendimi si i tillë ka krijuar blloqe gjuhësore, përmes të cilave ka mundur të artikulojë vetveten. Njohja shihet kësisoj si e një rendi paraligjërimor, a thua njohja sigurohet përmes leximit të botës, shkrimit të saj ose shkëmbimit me të; e thënë në terma foucault-iane përmes subjektit themeltar, njohjes zanafillore ose ndërmjetësimit universal. Ndërsa, po sipas Foucault, njohja-ligjërim është dhunim i ushtruar ndaj gjërave, varësisht trajtës pushtetore të vullnetit për vërtetësi. Do të ishte tepër naive që detyrimi ligjor për të certifikuar gjuhën angleze si kusht diplomimi të konsiderohej si vetëm mësimi i një fjalori, gramatike, sintakse dhe morfologjie të caktuar dhe që pasojat e kësaj janë vetëm efekte lehtësuese në komunikim dhe në procesin e integrimit. Tërësia kuptimore e këtyre fjalëve dhe gramatikave mbart pashmangshmërisht një ligjërim të caktuar pushtetor, i cili ka marrë trajtën e vet, të ndryshueshme po, por gjithsesi jo pafundësisht elastike, përgjatë historisë. Shkolla anglo-saksone për shembull e bazuar gjerësisht në përvojën empirike, parimet e testimit, verifikueshmërisë, faktimit etje. propozon një lloj të caktuar ligjërimi, pak a shumë të qëndrueshëm. Nuk po shpreh qëndrimin tim normativ ndaj kësaj, vetëm po konstatoj; e njëjta gjë mund të konstatohet edhe për shkollën gjermane, franceze etje., të cilat kanë krijuar një farë identiteti dhe karakteri me tipare pak a shumë të përcaktuara. Gjuha shqipe, duke qenë se nuk është materializuar ndonjëherë-ende në një shkollë mendimi, ka mundësi të papara për t’u formësuar në një lloj ligjërimi krejtësisht të veçantë, me mundësi të panumërta konfigurimi. Por mbi të gjitha, gjuha shqipe mundet (ende) të mos i nënshtrohet asnjë trajte ligjërimore të përcaktuar. Që nuk e ka krijuar ende këtë ligjërim pushtetor tregon mosdisiplinimin (dot) të saj, çka do të thotë se ajo nuk i është nënshtruar vijës së regjimit ligjërimor të organizuar nga pushteti, i cili legjitimohet nga instanca e të ashtuquajturës njohje shkencore. Gjuha shqipe i jep mundësi kryengritjeje dijeve të maskuara dhe atyre të nënshtruara; kësisoj, ajo mund të jetë fare mirë strumbullar rezistence, opozite dhe kritike. Gjuha shqipe ka mundësi që nga e paintegruar të jetë edhe e paintegrueshme.
Comments
Te lumte, Jona!

Te lumte, Jona!

Nuk dua ti zbeh argumentet

Nuk dua ti zbeh argumentet shume te mire te artikullit me 'vecimin' qe po bej, por " (inte)grimi " mu duk nje loje fjalesh e perkryer

-" politikat do të duhet të

-" politikat do të duhet të përcaktonin tregun"-

Nuk jemi akoma aq te zotit qe ti percaktojme tregut të Europes gjuhen tone.

Kete vere isha ne Gjermani, Greqi, dhe Turqi per pushime dhe di te them qe Anglishtja ishte gjuhe qe perdora kudo, ne aeroperte dhe hotele po e po, por edhe taksistet ne keto vende flisnin Anglisht.

Nuk ka asgje te keqe kur shteti, per te miren e kombit, merr nje vendim te tille.

Vetem dembelët nuk do e pranonin kete vendim.

Per mua eshte si shkelje te

Per mua eshte si shkelje te drejtash te njeriut (kush eshte qeveritari te diskriminoje nje njeri mbi bazen qe ai nuk flet anglisht por gjermanisht? asnje gjykate e Europes se Bashkuar nuk do ta pranonte nje argument te tille!) ashtu edhe antikushtetuese (ne baze te kushtetutes Shqipja eshte gjuha zyrtare e vendit dhe asnje gjuhe tjeter nuk duhet te marre status te preferuar ne administrate. Neser mund te na vendosi dikush greqishten) te krijohet nje detyrim i tille absurd per tu mesuar njerezve me zor anglisht. Jo vetem absurd si vendim por edhe komplet amoral.

Zgjedhja eshte individuale,

Zgjedhja eshte individuale, eshte "gur themeli" demokratik. C'do cenim i saj ne cfaredo menyre eshte fashizem. Ne bote cfare do jemi, turist apo udhetar ?...Te sigurt te jemi se cdo gje ne kete bote ka afat skadence.

Ky eshte nje artikull me

Ky eshte nje artikull me argumenta te forta teorike dhe ka dicka per t'u admiruar ne qasjen e shkrueses. P. sh. autonomia e mendimit qe ky artikull promovon eshte gje e deshirueshme.

Por realiteti i sotem i globalizmit dikton disa prirje praktike, sic eshte zoterimi i anglishtes, te cilat, pavaresisht nese jemi apo s'jemi ne dakord, do te duhet t'i ndjekim. Patjeter qe inkorporimi i anglishtes ne diskursin tone studimor, social, ekonomik, e deri ne administrate do te sjelle nje transformim te "mendim-ligjerimit," sic nenkuptohet ne kete artikull, por nuk do te thote se ky evoluim do te jete domosdoshmerisht nje gje e keqe apo se do te sjelle fundin e autonomise se mendimit shqiptar, si te tille, apo me keq humbjen e identitetit tone. Te mos harrojme se neve na u imponua turqishtja per rreth peseqind vjet dhe, per mire apo per keq, ne evoluam si mendim dhe si identitet, por kemi mundur te ruajme vecorite tona gjuhesore dhe etnike.

Ka disa zhvillime nderkombetare e boterore te cilave nuk mund t'i shmangemi. Kam pershtypjen qe artikulli ka nje prirje utopike pasi ndjell nje lloj frike (ndaj se panjohures apo te huajes) per zhvillimet sot qe kane te bejne me anglishten dhe me sistemin "anglo sakson," nje lloj alarmi qe pritet me pas te pasohet nga nje "rezitence." Une do te propozoja nje gershetim te ligjerimeve qe rrejdhin nga gjuhe dhe mendesi te ndryshme, me teper se sa rezistencen si qellim ne vete.

Add new comment