INSTAT-i dhe Ministria e Financave kundërshtojnë vetveten

Një ndër faktorët më të rëndësishëm të krizës së borxhit grek ishte manipulimi që Instituti i Statistikave të shtetit grek i bëri vlerësimit të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto (PBB) në vitin 1999, para se Greqia të futej në zonën e euros. Ishte e rëndësishme që ai vlerësim të qe i saktë, sepse kushti i futjes në eurozonë kërkonte që borxhi vjetor të mos kalonte 3% të PBB-së. Kështu, në qoftë se borxhi vjetor ishte 3 dhrami, për shembull, dhe PBB-ja ishte realisht 89 dhrami, e jo 100 dhrami, pesha e borxhit vjetor nuk i binte të ishte sa 3% e PBB-së, siç kërkohej, por sa 3.37% e PBB-së. Dhe vite më vonë, rezultoi se borxhi vjetor i Greqisë në vitin 1999, në fakt, kishte qenë pikërisht sa 3.37% e PBB-së, e jo sa 3% e PBB-së. Vetëm nga marifeti i fryrjes në letër të vlerës së PBB-së me 11 pikë përqindje, Greqia i lejoi vetes të merrte mesatarisht çdo vit rreth 1.5 miliardë euro borxh më shumë se sa i lejohej. Sepse PBB-ja bartte fryrjen artificiale fillestare të saj, e cila rritej nga viti në vit. (Përveç këtij marifeti, Greqia ka përdorur edhe marifete të tjera bankare për të fshehur se sa borxh kishte akumuluar realisht gjatë dekadave, por ato nuk kanë lidhje me fenomenin që do të analizoj më poshtë.)
E solla shembullin e Greqisë për të ilustruar se sa e rëndësishme është që instituti ynë i statistikave, i njohur me akronimin INSTAT, të bëjë një vlerësim sa më të saktë të vlerës së PBB-së. Kështu, në qoftë se themi se, për çdo 100 lekë PBB, kemi 60 lekë borxh shtetëror të akumuluar në vite, është shumë e rëndësishme që kështu të mos jetë vetëm në letër, por edhe në realitet. Sepse, një ditë, borxhet e akumuluara do duhen shlyer. Dhe borxhet nuk shlyhen me rrena INSTAT-i…
Por a na ka gënjyer INSTAT-i deri më sot rreth PBB-së? Le të analizojmë shifrën e fundit që ai ka publikuar -- atë për tremujorin e parë të këtij viti.
Sipas INSTAT-it, rritja reale e PBB-së në tremujorin e parë ka qenë 3.4%, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Thënë ndryshe, INSTAT-i ka llogaritur që vlera e produkteve dhe shërbimeve të prodhuara në Shqipëri, e zhveshur nga rritja e çmimeve, është rritur 3.4%, krahasuar me një vit më parë.
Por po INSTAT-i ka publikuar disa shifra për të njëjtin tremujor, që na çojnë në një konkluzion të kundërt.
Kështu, sipas INSTAT-it, volumi i shitjes me pakicë të mallrave ushqimore e industriale (të vendit dhe të importit) ka rënë 3% në tremujorin e parë, krahasuar me një vit më parë, ndërkohë që volumi i tregtisë me pakicë të automjeteve dhe karburanteve është rritur vetëm 0.2%. Bazuar në këto të dhëna, dhe duke ditur se konsumi i mallrave është sa 86% e PBB-së (http://data.worldbank.org/sites/default/files/section4.pdf ), i bie që rënia e tij të ketë qenë në nivelin 7.5 miliardë lekë (rreth 75 milionë dollarë), ose sa 2.5% e PBB-së së krijuar në një tremujor.
Dikush që merr pak vesh nga ekonomia do të thoshte se ndoshta rënia e konsumit mund të ketë ardhur nga pakësimi i blerjeve të mallrave të importit dhe jo të atyre që janë prodhuar në vend; pra, që rënia e konsumit nuk reflekton një ulje të Produktit të Brendshëm Bruto, por të importeve.
Por edhe për të zgjidhur këtë nyje ka statistika. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, në tremujorin e parë të këtij viti, importet e mallrave për konsum janë rritur rreth 11 miliardë lekë në vlerë reale (zhveshur nga inflacioni). Pra, jo vetëm që nuk është pakësuar blerja e mallrave të importit, por ajo është shtuar ndjeshëm në kurriz të mallrave të pakësuara shqiptare, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Thënë ndryshe, rënia e konsumit të mallrave të brendshme ka qenë shumë më e madhe se sa 2.5% e PBB-së; konkretisht rënia e tyre ka qenë sa 6% e PBB-së së krijuar gjatë një tremujori.
Dikushi që përmendëm më lart (ai/ajo që merr pak vesh nga ekonomia) mund të ndërhynte përsëri këtu e të thoshte se vërtet konsumi i mallrave të prodhuara në Shqipëri mund të ketë patur një ulje të fortë, por kjo mund të shpjegohet me faktin se ato, në vend që të konsumohen këtu, mund të kenë marrë rrugën e eksportit. Dhe në fakt, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, eksportet, në tremujorin e parë të këtij viti, u rritën me rreth 16 miliardë lekë në vlerë reale (zhveshur nga inflacioni). E përkthyer në vlerë relative, rritja e eksporteve nga tremujori i parë i 2010-ës në të parin e 2011-ës, ka qenë sa 5.5% e PBB-së së krijuar gjatë një tremujori.
Një rrugë tjetër nga mund të vijë rritja ekonomike është rritja e investimeve publike e private. Sepse pothuaj çereku i PBB-së shkon drejt investimeve. Dhe në qoftë se investimet rriten ndjeshëm, mund të mbulojnë gropën e krijuar nga konsumi. Por përsëri, shifrat e Ministrisë së Financave na tregojnë se vlera reale e investimeve (e zhveshur nga inflacioni) nuk ka patur rritje gjatë tremujorit të parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë.
Duke përmbledhur shifrat e mësipërme, rezulton se ka patur një ulje të konsumit të mallrave “Made in Albania ” sa 6% e PBB-së, e cila është balancuar deri diku me rritjen e eksporteve në masën 5.5% të PBB-së. Kështu, i bie që të kemi patur tkurrje ekonomike prej 0.5% dhe jo rritje 3.4%, siç raporton INSTAT-i. Ose thënë ndryshe, INSTAT-i e ka fryrë PBB-në e tremujorit të parë me rreth 12 miliardë lekë (rreth 120 milionë dollarë).
Deri këtu analizuam se sa e saktë ka qenë llogaritja e realizimit të PBB-së, por ndoshta më e rëndësishme është të analizojmë se sa i saktë bëhet parashikimi i PBB-së për vitin e ardhshëm. Sepse historia na ka treguar që, kur Ministria e Financave parashikon një rritje iks të PBB-së, INSTAT-i, pak a shumë, e ka konfirmuar më vonë realizimin e atij parashikimi…
Ministria e Financave, kur paraqiti projekt-buxhetin për vitin 2012, u bazua në një parashikim të rritjes reale të PBB-së prej 4.3%. Sipas saj, rritja nominale e PBB-së do të jetë 5.4% në 2012-ën. Kjo do të thotë se, në qoftë se vlera e mallrave dhe shërbimeve të realizuara në vend këtë vit është 100 lekë, në vitin 2012 do të jetë 105.4 lekë. Për të ardhur te vlera reale e rritjes së PBB-së, duhet zbritur rritja mesatare e çmimeve të të gjithë produkteve dhe shërbimeve (jo vetëm të atyre që shkojnë për konsum, por edhe atyre që shkojnë për investime). Kjo rritje, në gjuhë teknike quhet deflator ose “çfryrës” i PBB-së. Ministria e Financave e parashikon këtë deflator në nivelin 1.1%. Pra, mbërrijmë kështu tek rritja reale e PBB-së prej 4.3% (5.4 – 1.1=4.3), e cila është përdorur për të parashikuar të ardhurat buxhetore të 2012-ës dhe borxhin që do të merret gjatë vitit.
Por po Ministria e Financave na tregon se deflatori i PBB-së ka qenë rreth 3% në vitet e mëparshme. Pra, çfarë do ta bëjë atë të zbresë në nivelin 1.1%??? Për më tepër, deflatori i PBB-së ka ndjekur zakonisht nivelin e inflacionit të çmimeve të konsumit (si në Shqipëri edhe gjetkë). Dhe sipas Ministrisë së Financave, inflacioni i çmimeve të konsumit, nga 3.5%, do të zbresë vetëm në 3%. Pra, përvoja empirike (por edhe logjika ekonomike) na tregon se deflatori i PBB-së duhet të jetë diku te 3 përqindëshi dhe jo te 1.1 përqindëshi, siç e ka parashikuar Ministria e Financave. Dhe në këtë rast, rritja reale e PBB-së nuk do të jetë 4.3% por 2.4% (ose 235 milionë dollarë më pak).
Kuptohet, kjo shifra e fundit do të jetë e saktë vetëm në qoftë se, në vitet e mëparshme, INSTAT-i nuk ka akumuluar marifete si ato të Greqisë me PBB-në…
Comments
86% mallra konsumi dhe 25%
<p>86% mallra konsumi dhe 25% investime?! Gjithashtu, burimi qe iu keni cituar nga BB nuk ka zbatueshmeri pasi cdo vend ka raportin e tij konsum/PBB ndaj nuk mund te perdoret nje mesatare. S`jam shume i sigurte per perllogaritjet tuaja zoti Zaloshnja por iu pergezoj per perpjekjen e admirueshme ekonomiko-statistikore. </p>
1. Atehere ketu na lind nje
<p>1. Atehere ketu na lind nje problem tjeter. Te dhenat aty jane te vitit 2008, nderkohe qe gjate analizes tuaj keni perdorur te dhena te vitit 2010 dhe atij aktual. Eshte e nevojshme nje baze koherente statistikash per te arritur ne krahasime kuptimplota.</p><p>2. Nqs nuk po flasim per konsumin si pjese e PBB-se, atehere fare mire kjo diference mund te jete pjese e konsumit (jo investimeve) publike , duke marre ketu parasysh rritjen e befte te borxhit publik i cili turbullohet dhe nga fakti qe shume investime publike nga kompani private jane kryer me fonde ende te padisbursuara (ende) nga Ministria e Financave. Pra ne vend qe ta shikojme si manipulim shifrash se rritjes ekonomike, mund ta shikojme ne fakt si manipulim te totalit te borxhit. Ka dhe shpjegime te tjera alternative megjithate ne parim jam dakord me ju, ne nje nga keto zera ka patjeter parregullsi.</p><p>3. Ju komplimentoj gjithashtu per venien ne dukje te deflatorit . Ishte nje pike qe deri me tani e kam anashkaluar. </p>
Add new comment