Historikisht - histerik!

I ngjajmë dhe për këtë edhe duhet të jemi një familje e madhe. E përçarë dhe e shpërndarë: në tre-katër shtete në Ballkan dhe gjithandej në kontinente e vende nga më të ndryshmet e botës. Kemi vendosur që ta shënojmë jubileun e madh, më të madhin dhe më të rëndësishmin: 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Datë dhe ditë e madhe. E rëndësishme po se po.
Për shumë shkaqe e arsye kur secili nga pjestarët e kësaj familjeje, pra të gjithë së bashku apo veç a veç, hedhim kokën prapa s’kemi si të mos konstatojmë që i ngjet një mrekullie sesi shpëtuam dhe mbijetuam: para fqinjëve të uritur për të na coptuar, fuqive të cilat herë na dënonin e herë shkelmonin, por para së gjithash vështirë na kuptonin dhe vetvetes, sidomos vetvetes për vullnetin vetëshkatërrues, iracionalitetin ideologjik, keqkuptimet kërcënuese kulturore e politike, gjuhësore e rajonale. Dhe shumë e shumë blloqe me bllofe dashamirësie të rrejshme.
Natyrisht që në këtë atmosferë në njërën euforike dhe në anën tjetër lehtësisht të manipulueshme nga kronistët e akterët e politikës ditore, nuk ka si të mos dalë në pah ajo që mund të quhet histeri. Për personalitete historike e politike, diplomatike, kulturore e kombëtare. Pse jo edhe ekonomike e financiare. Secili ka të drejtë ta ketë të përzgjedhurin e të përzgjedhurën e tij. Secili ka të drejtë të anojë nga “ajo” apo “kjo” kohë e figurë kombëtare. Por para së gjithash secili provon të vulosë dhe të ngjyrosë herë me njolla tradhtie e herë dashamirësie e adhurimi, për hir të së vërtetës, në të dy rastet me tone të forta naiviteti fatal, këto figura kombëtare a gjetje gjeografike.
Marrë në tërësi, para kësaj feste të madhe dhe të rëndësishme në pah del, për të mos thënë, kulminon mungesa e madhe e bazamentit dhe me këtë edhe paprekshmërisë së vijave të trasha të shenjtërisë së historisë dhe gjeografisë shpirëtore të kombit shqiptar. Kësaj i kemi ndihmuar më së shumti ne vetë. Si historianë, politikanë, shoqëri dhe shtete shqiptarësh në Ballkan. Tendencat për vetëcelebrime nevojash të politikës ditore, si sot e mot, janë fatale. Prandaj kemi këtë histori- me histeri. Si edhe gjithmonë. Dhe tashti me këtë shpërthim gati banal, i cili i ngjet më shumë një dehjeje para se ajo të fillojë të ngjajë mirëfilli.
Tërë këto suada (keq)përdorimesh për ta bërë sa më mirë këtë festë duhet parë paksa edhe me humorin e ditës dhe kohës që jetojmë. Së paku vegjëlia ime i sheh ashtu. Për shumë shkaqe por ndoshta më së shumti me argumentimin që një provim as një piramidë, një studim ose një libër, një parti ose një parlament, një investim ose shkëmbim (tregtar, financiar?), nuk mund të bëhen as brenda 24 orësh e as brenda 24 ditësh. Nëse doni as brenda 24 vitesh.
Prandaj mund të themi lirisht mund të shtrihemi prapa dhe të vëzhgojmë me kënaqësi e tone humori sesi vazhdojmë të shërbehemi me të gjitha- pa thyer ndonjë traditë dhe lakuar për të kaluar në shtegun e tabanit të të qenmit normalë: shajmë njëri-tjetrin dhe duam njëri-tjetrin. Vetëmashtrohemi dhe krenohemi. Akuzohemi dhe mallkohemi. Dhe fare në fund festojmë me të gjitha dallimet që s’ka si të jenë logjike para gjakut e luftërave shekullore, shtigjeve e maleve të pakalueshme, robërisë dhe me këtë edhe tendencave për synime e stigmatizime tradhtish...
Le të shërbehemi pra me të gjitha ngapak: kush si të dojë e si të mundet. Nga të gjitha shtresat e shoqërisë e shteteve shqiptare. Sepse jemi si jemi dhe duket që ende s’jemi vetëdijësuar të mësojmë të nxjerrim edhe leksionin kryesor: kjo shumësi dallimesh na bën edhe kaq të pathyeshëm dhe për këtë edhe me përparësi para fqinjëve, miqve dhe nëse duam edhe vetvetes. Leksioni i dytë: edhe këta që i kemi në pushtetet politike e shpirtërore, përkundër zaptimit të madh që i bëjnë jetës sonë me frymë teknokratike (të parët) e parazite (të dytët), edhe këta janë si ne! Me preferenca personale e histori- me histeri.
Në këtë frymë, sa më qetë që merret tërë kjo atmosferë parafestive aq më shumë do të mund ta festojmë 28 Nëntorin. Pa harruar që pas kësaj date vjen menjëherë 29 Nëntori- i cili këso radhe këso viti do të festohet dyfish!
Marrë nga Zëri
Comments
(DELETED) Beqe Cufaj. Ne
<p>(DELETED) Beqe Cufaj. Ne fillim e mbrojshe Hashim Thacin, pastaj e shajshe, tash e mbron perseri. Je i perfshire ne histeri me cdo shkrim tendin. Pse kerkon qe te tjeret te veprojne ndryshe? Para se ta ndryshosh boten ndryshoje veten.</p>
hahahaha ai qe kritikon te
<p>hahahaha ai qe kritikon te tjeret, e ben per te mos pare gabimet e veta.</p>
Add new comment