Gërshërë dhe borxhe

Qeveria ka detyrimin të shprehet për disa fakte dhe shifra shqetësuese që janë bërë tashmë publike. Përmbledhim: 5 për qind e depozituesve në banka zotërojnë me shumë se 50 për qind të depozitave; sot, për çdo 100 vetë në moshë pune punojnë 52 vetë, ndërkohë që dhjetë vjet më parë punonin 60 vetë; monopolet sundojnë furnizimin dhe tregtimin e disa mallrave të domosdoshme si gruri, orizi, sheqeri, vaji, barnat , karburantet, çimento, hekuri. Shqipëria eksporton 9 herë më pak prodhime bujqësore në krahasim me importin.
Shifra dhe fakte të tilla, tregojnë një deformim të plotë të modelit ekonomik të votuar të qeverisë. Por shifrat me alarmante janë ato që flasin për borxhin. Zyrtarisht, borxhi përfaqëson rreth 60 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Por nuk janë llogaritur detyrimet e pashlyera ndaj kontraktorëve, një borxh i akumuluar që ka arritur në më shumë se 100 milionë dollarë.
Nuk janë llogaritur as detyrimet e tjera të njohura me ligj ndaj shtresave të ndryshme si ish të përndjekurit politikë dhe pronarët e shpronësuar nga regjimi komunist. Sipas PS-së borxhet në Shqipëri e kalojnë 80 përqind të PBB.
Aventura e qeverisë nuk përfundon këtu. Tenderë të tjerë janë bërë dhe kontrata të tjera janë lidhur pa mbështetje financiare, duke i shtyrë fituesit të ecin me paratë e tyre, duke e rritur edhe më tej borxhin publik. Nën 30 përqind të PBB e ka borxhin Maqedonia. Si në një familje, nje qeveri e përgjegjshme merr borxh aq sa mund të shlyejë. Vetëm një qeveri aventuerire i bie me top me parimin “pas meje kiameti”. Gërshërët dhe shiritat elektoralë që vezullijnë në vështrimin e kryeministrit mund të rezultojnë armët vrasëse dhe mbytëse të ekonomisë kombëtare neser.
Borxhi i madh është një gur ne qafë për brezat, është një minë me sahat për qeverinë e ardhshme. Greqia e dribloi me rrotacion të parakohshëm politik goditjen e parë të krizës. Shqipëria nuk e ka ketë mençuri. Shqipëria politike ecën me hile. Prandaj opozita pozitiviste duhet të ketë që tani një strategji të saktë për menaxhimin e borxheve dhe sigurimin e një fluksi likuiditetesh. Për të mos u mbytur nesër nga i mbyturi.
Shekulli
Comments
A e di preçi kuptimin e
<p>A e di preçi kuptimin e fjales "opozite pozitiviste", qe perdor?</p>
Add new comment