Fjala e vitit

Në fillim të vitit të ardhshëm, Shoqata Amerikane e Dialekteve do të shpallë “fjalën e vitit”: ngjarje me rëndësi jo aq për anglishten e Botës së Re, sesa për të kuptuar më mirë natyrën e viruseve (memeve) që kanë infektuar mendjet e amerikanëve gjatë 2011-ës.
Mes fjalëve kandidate për këtë titull të shquar, është edhe occupy, e cila e ka marrë shkëlqimin falë protestave të bujshme në New York City (Wall Street) dhe në qytete të tjera të mëdha anembanë Amerikës dhe botës.
Kur mora vesh për këtë fjalë, më shkoi mendja menjëherë në debatet tona për pushtimin osman dhe sundimin që i erdhi pas, edhe pse këto debate nuk kanë qenë të tilla, që ta bënin foljen pushtoj kandidate për fjalën shqipe të vitit.
Sa për këtë të fundit, po të më linin përnjëmend të zgjidhja, do ta kisha vënë gishtin te vjedhje: si në vjedhje e votës, vjedhje e parave, vjedhje e fondeve, vjedhje e ikonave, vjedhje e shtetit, vjedhje e doktoraturave, vjedhje e energjisë, vjedhje e eshtrave, vjedhje e ideve. Në fakt, po të gjykosh nga mediat, vjedhja është normalizuar tashmë si emërues i përbashkët i marrëdhënieve tona me hapësirën publike, duke fituar gjithnjë e më shumë respekt, në kontekstin antietik të suksesit bashkëkohor. Në fakt, sot po vidhet kaq masivisht edhe sepse mekanizmat e ligjshëm për shkëmbimin e parave, mallrave dhe informacionit janë sabotuar ose prishur tashmë nga “të fortët”.
Krahas vjedhjes, një tjetër kandidate për fjalën shqipe të vitit do të ishte kurban; fjalë që u bë e njohur falë librit best-seller të ish-kryebashkiakut të Tiranës E. Rama. Lexuesi standard ende nuk e ka shumë të qartë se çfarë shënjon pikërisht kjo fjalë me nota e jehona orientale në titullin e librit: kurbanin e përkrahësve folklorikë të L. Bashës me rastin e hyrjes së këtij në Bashki, apo vetë Ramën kryebashkiak dhe kryeopozitar të zgjedhjeve të fundit lokale, që u flijua në altarin e normalitetit dhe të stabilitetit politik të vendit. Shoqërimet mendore herë të vetëdijshme e herë të pavetëdijshme me Qengjin e Zotit (Krishtin), të përforcuara edhe nga fotoja e mrekullueshme e qengjit qerpikbardhë në kopertinë të vëllimit, e shtojnë edhe më pështjellimin ndërfetar – për të mirën e librit vetë.
Përtej festave dhe riteve pagane të kryeqytetit, një tjetër fjalë (ose më mirë togfjalësh) me shanse për protagonizëm do të ishte Rruga e Kombit: edhe për ata që e shohin si çlirim përfundimtar të shqiptarëve në Ballkan dhe katalizator të bashkimit kombëtar, edhe për ata të tjerët, që e shohin më shumë si monument të korrupsionit gjigant të qeverisë Berisha (vjedhje). Kjo vepër ambicioze dhe e rëndësishme ende nuk e ka të përcaktuar statusin e vet: Infrastrukturë apo përmendore? Aortë e shqiptarizmit apo katedrale në shkretëtirë? Ata që flasin për të, dhe që zihen për të, janë ku e ku më të shumtë se ata që ia kanë parë të mirën.
Një tjetër fjalë që i ka kartat në rregull për t’u marrë në shqyrtim është Piramida; ose ndërtesa e lënë pa zot, në qendër të kryeqytetit, dhe që tashmë shërben veç si shenjë paralajmëruese e një prishjeje iminente. Në imagjinatën kolektive, piramida u referohet strukturave autoritare të pushtetit dhe faraonëve të Egjiptit të lashtë; sikurse u referohet edhe skemave financiare të vjedhjes së parave, në vitet 1990. Mbështetjen kësaj fjale ia sjell, në fakt pak papritur, edhe përmendja e një piramide tjetër, këtë herë të butë, që do të ishte ngritur në sheshin Skënderbej sipas planit rregullues të miratuar, po të mos kishte ndërhyrë kryebashkiaku i tanishëm dhe ta kishte shndërruar sheshin në truall, me një operacion blitz, të cilit i kemi pasë thënë aksion me goditje të përqendruar dikur, e që e la qytetin gojëhapur si për nga shpejtësia e mobilizimi, ashtu edhe për nga mediokriteti i hatashëm i konceptit.
Edhe fjala ambasador ka marrë forcë dhe vlerë të paparë, në mediat dhe në kulturën politike të ditës; duke ia shpërthyer hekurat kafazit tradicional të kuptimit, për të fluturuar drejt kuptimesh dhe përdorimesh të reja. Nëse ambasadori tradicionalisht është përfaqësuesi zyrtar i një shteti të huaj i akredituar pranë shtetit tënd, ky i sotmi në Tiranë është shndërruar më tepër në një gjysmë-perëndi, ose një kimerë e babait imagjinar, mëkëmbësit perandorak, arbitrit të një ndeshjeje wrestling dhe garantit finok të paligjshmërisë së sanksionuar. Në atë masë që liderët politikë shqiptarë mbrojnë e shërbejnë interesa të ndryshme nga ato të zgjedhësve që i mbajnë në pushtet, ndonjëherë madje edhe të fuqive të huaja me interesa në Shqipëri, është afërmendsh që ambasadorët të fillojnë të trajtohen si përfaqësuesit e vërtetë të interesave të qytetarit shqiptar.
Do të ndalesha me kaq; edhe pse ka plot fjalë e shprehje të tjera, si votë, lipotimi, pallat, kapje, shkatërrim, krizë, shantazh, bleu, riciklim, sëmësë, aksident rrugor, euro, vizë, i fortë dhe malok që mund të vinin njëlloj në vështrim. Të gjitha së bashku, këto fjalë kandidate do të na vlenin jo aq për të përpiluar fjalorin e bashkëkohësisë shqiptare të sotme, sesa për të hartuar një tekst të thjeshtë dhe të kuptueshëm, që të na vlente si përmbledhje doracake e monologut të shqiptarëve me vetveten.
Comments
Nje koment te shpejte mbi

Nje koment te shpejte mbi kuptimin e dyte te fjales kurban propozuar nga autori. Autori le te nenkuptohet qe Edi Rama u be kurban ne emer te stabilitetiti politik te Shqiperise. Do te kishte qene mire ta sqaronte pak me shume per te evituar ngaterresa ne lidhje me kete teme kaq te rendesishme per Shqiperine. Per mendimin tim Edi Rama nuk u be aspak kurban per te miren tone. Ne fakt eshte e vertete e kunderta: populli shqiptar (minus ata qe jane te lumtur sepse po vjedhin bashke me Salen+Edin) u be kurban ne emer te mbijeteses politike te Edi Rames, dhe ne emer te paaftesise politike te tij si dhe te tere klases politike te perfaqesuar nga Parti Socialiste. U krye nje vjedhje ne mes te dites dhe duhej vepruar per ta ndaluar. U zgjodh te behej sehir. Ne kurrizin tone.

E propozoni fjalën kurban

E propozoni fjalën kurban sepse ju jeni recensenti i librit të Ed Ramës dhe doni t'i bëni pak reklamë. Oh ç' pështirësi o Zot! Si nuk mund e ndalni veten sëpakut një çikëz. Edhe ju jeni si ato plehrat e Tiranës, pa çka që jetoni në Amerikë.

mund te jene edhe fjalet

mund te jene edhe fjalet varre greke,fazllic,shitje deti,percarje,sali berisha.

Them se fjala KURBAN eshte

Them se fjala KURBAN eshte kandidati me i mire per titullin "fjala e vitit" jo vetem per shkak te librit te Rames qe koincidoi me festen e Kurban Bajramit e u percoll me batuten "kurban-kongres" nga Topalli (batutue krejt pa shije e leshuar pikerisht ne dalje nga vizita zyrtare ne KMSH me rastin e Bajramit) por me teper per faktin se kjo fjale e kap kaq mire ate qe po i ndodh popullit shqiptar: ne po behemi kurban per hir te interesave te politikaneve qe na drejtojne. Kurban po behet shendeti yne, arsimi i femijeve tane, e ardhmja jone, vota jone, aspiratat e endrrat tona, dhe cdo gje e mire qe ne kemi menduar ndonje here te arrijme ne Shqiperi.

Por shpresoj qe ata politikane qe po na bejne kurban per hir te pushtetit e interesave te tyre vetjake, ta kene parasysh se ashtu sic e ilustruan arabet kete vit, tehu u thikes mund te kthehet nje dite dhe mund te jete populli ai qe ben kurban politikanet e vet te korruptuar e te felliqur...

fjala e vitit perzgjidhet jo

fjala e vitit perzgjidhet jo sipas preferencave ideologjike te opinionisteve por nga gjuhetaret, pasi keta nepermjet programeve speciale kane shoshuar gjithe mediat e shtypura (elektronike) dhe kane perzgjedhur fjalen qe eshte perdorur me shume. Kurban nuk mund te jete kjo fjale. Vete ne librin kurban fjala me e shpeshte nuk eshte kurban por Saliu. E cuditshme qe nej gjuhetar qe jeton ne Amerike, eshte kapur kaq keq ne konstruktet e provinces shqiptare e ne klanet e politkes shqiptare. Si te thuash, me shume mesojme per autorin sesa per fjalen e vitit.

Sa per fjalen e vitit, ate do vazhdojme ta gjejme me opinione, keto jane te lehta per t'u shkruar, terheqin njerezit, krijojne polemika dhe i rrisin vleren ne tregun e opinionisteve opinionistit. Per te gjetur fjalen e vitit duhet te perdorej programi i permendur ne fillim, nga gjuhetare te specializuar. Por kjo do te thote pune, e puna sot duket gjeja me pavlere: nuk te jep nje vend ne skenen e projektoreve.

Opinionist ( !) - shtojeni

Opinionist ( !) - shtojeni dhe kete fjale ne at'liste.

... fjala me e tmerrshme qe

... fjala me e tmerrshme qe po i gerryen trurin shqiptaret eshte "rritje rrogash %"...

Add new comment