E shkuara jonë është kuqezi

Nuk dua të hyj në simbolikën e ngjyrave, por në qoftë se ka një flamur që e shënjon më mirë se gjithçka tjetër të shkuarën apo historinë e një vendi, ky është flamuri ynë. Nëse e kuqja shënjon pasionin, triumfin, ngadhënjimin dhe e zeza trishtimin, dhembjen, humbjen, tragjizmin, atëherë duhet të mendojmë se fati ka dashur që flamuri ynë të bëhet shenjë e historisë sonë që ka qenë gjithmonë ngadhënjyese dhe tragjike, që ka qenë një fat i ndarë më dysh. Ajo që po ndodh tash sa muaj me narrativën e Luftës Nacionalçlirimtare e përvijon më së miri këtë që sapo thashë. Flamuri ynë, nga pikëpamja figurative, është ndoshta ndër më të bukurit. Mbaj mend që miku im dhe kolegu i televizionit francez Canal+, Sebastian Perez Pezzani, me origjinë nga Uruguai, më thoshte para disa vjetësh se lidhjen e parë me Shqipërinë e kishte përmes flamurit. I pasionuar pas tyre, ai e kishte vendosur flamurin tonë në vend të parë sa i përket bukurisë. Mirëpo, kjo tërheqje ndaj flamurit, ndaj së shkuarës po na bëhet makth ne shqiptarëve dhe po na mban akoma në stadin folklorik të zhvillimit. Prej disa kohësh qarkullon në rrjetet sociale një video e një imami nga Kosova që u drejtohet besimtarëve me një ligjërim të hidhët dhe u thotë se krimi që bëmë ne shqiptarët, duke mohuar flamurin e Turqisë në vitin 1912, po na lë edhe sot në këtë gjendje. Ky flamur me ngjyrat kuqezi është haram sipas këtij imami. Tashmë identifikimi me flamurin e Turqisë dhe mohimi i identitetit shqiptar dhe zëvendësimi me identitetin mysliman nuk është më një tabu për disa grupe shqiptarësh. Ndërsa pjesa më e madhe e shqiptarëve të Kosovës nuk e pranon flamurin e shtetit të ri të Kosovës, por joshet nga e kaluara dhe identifikohet me flamurin kuqezi. Mirëpo edhe kështu siç paraqitet, identifikimi me flamurin nuk është gjithmonë një shenjë e qartë. Shqiptarët brenda tyre ende nuk i kanë larë llogaritë me të shkuarën dhe duke mos ditur ta tregojnë atë ose duke mos pasur një elitë shkencëtarësh që ta rrëfejë të shkuarën si një histori që është shënjuar me të dyja ngjyrat, edhe me të kuqen edhe me të zezën, preferojnë që të identifikohen vetëm me njërën nga ngjyrat, duke zgjedhur për këtë ndarjen e thellë klasore që kishte ideuar me mjeshtëri diktatori Enver Hoxha. 70-vjetori i Çlirimit do të duhej të ishte dita e pajtimit dhe dita e ndarjes me të shkuarën. Për fat të keq, ajo mbeti dita e keqkuptimit. Triumfatorët nuk lëshuan asnjë centimetër nga territoret e tyre dhe e ruajtën thuajse të paprekur marzhin e ngadhënjimit. Ndërkaq, krahas glorifikimit të Enver Hoxhës si Komandant i Luftës, lexoja këto ditë një shënim të gjatë të Uran Butkës për masakrat e kryera nga partizanët, sidomos nga tetori deri në nëntor 1944. Ai numëronte me emër e mbiemër të vrarët pa gjyq në Tiranë, që i kalonin të njëqindtët. Kjo anë e errët, e zezë, e triumfit komunist natyrisht që nuk ka të bëjë me ëndrrën e atyre mijëra të rinjve që u vranë për lirinë e Shqipërisë, por ka të bëjë me terrorin jakobin të diktaturës që po instalohej. Ndaj, dita e çlirimit ishte vërtet një ditë e madhe e shënjuar nga ngjyra e kuqe e flamurit tonë, por ajo ishte dhe një ditë e zezë, sepse po e instalonte triumfin me gjak të pafajshëm shqiptarësh. Në ditën e 70-vjetorit të Çlirimit, do të duhej që të respektoheshin edhe ata martirë që u vranë pa gjyq, do të duhej që në këtë rrëfim të mbahej parasysh teksti i komunistit të moderuar, Sejfulla Malëshova, që dha alarmin dhe e akuzoi drejtpërdrejt Enver Hoxhën për terrorizëm në Plenumin e famshëm të Beratit. Po ashtu, diskreditimi pa asnjë skrupull i shtresës tradicionale të Shqipërisë, që nuk bashkëpunoi me komunistët, duhet të marrë fund, sepse argumenti i tyre që ata kërkonin të bashkëpunonin me armiqtë e Shqipërisë, me fqinjët shovinistë apo me alienët që kërkonin ta mbysnin Shqipërinë, rrëzohet nga një argument tjetër. Vetë Enver Hoxha bëri zgjidhjen më të gabuar, duke refuzuar SHBA-në dhe Britaninë e Madhe dhe e lidhi fatin e vendit tonë me Jugosllavinë. Tani kur shkruajmë historinë duhet të kemi parasysh ngjarjet, personazhet dhe kohën. Nëse do të mbajmë në vështrim atë kohë, pra mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, të gjitha palët mund të justifikohen. Komunistët i besonin internacionalizmit proletar dhe besonin se çështja nacionale mund të zgjidhej kur të triumfonte komunizmi në shkallë botërore në një botë pa kufij. Nacionalistët besonin te fuqitë perëndimore dhe meqenëse kishin lidhje të drejtpërdrejta me të shkuarën e afërt, nuk besonin te sllavët komunistë. Në platformën e tyre parashikohej aleancë me cilindo, por jo me sllavo-komunistët, sepse ata kishin qenë shkaktarët e masakrave mbi shqiptarët dhe shkaktarë gjithashtu për copëtimin e trojeve shqiptare. Pra, të dyja palët, kishin të drejtë. Natyrisht bashkëpunimi me nazifashizmin ishte një veprim penal që duhej ndëshkuar, por në Shqipëri ai u krye në mënyrë të shproporcionalizuar dhe u kthye më pas në ligjin famëkeq të luftës së klasave. Po ashtu, edhe mbytja me gjak e mendimit ndryshe duhet dënuar. Pra, nëse do ta shkruanim historinë si një story, pra ta rrëfenim atë pa e gjykuar, do të duhej që t’i justifikonim të gjitha palët. Mirëpo, për fat të keq, ne nuk e rrëfejmë historinë, por e gjykojmë atë dhe këndi i gjykimit është ai nacionalromantik e komunist. Ne e diskreditojmë njërën palë dhe e glorifikojmë tjetrën. Por në bazë të cilit kriter? Nëse do të ndiqnim kriterin perëndimor, liberal dhe demokratik, do të duhej që të respektonim pluralizmin e ideve dhe të qëndrimeve. Nisur nga ky këndvështrim, ajo palë që e mbyti këtë princip duhet të thirret diktaturë dhe terror. Po e vërteta? Në histori askush nuk e ka monopolin e së vërtetës, aq më pak komunistët e pasluftës. Në qoftë se ne i justifikojmë komunistët me argumentin e fitimtarit dhe të rreshtimit në anën e forcave progresive, përse të mos i justifikojmë edhe tradicionalistët apo nacionalistët që refuzuan njërën palë të fituesve, pikërisht sllavokomunistët? Nëse do ta vështrojmë nga pikëshikimi i sotëm, kriteri ideologjik që zgjodhën komunistët për të mbrothësuar Shqipërinë rezultoi fatal. Krimet që ata kryen në emër të botës së re, nuk e bënë më të mirë Shqipërinë, përkundrazi. Ndaj në ditën e 70-vjetorit të Çlirimit do të duhej që krahas triumfit të mbahej një minutë heshtje edhe për viktimat e terrorit komunist që shpërtheu në muajt tetor-nëntor 1944, pra të respektohej simbolika kuqezi e flamurit tonë, që vërtet nga ana figurative është shumë i bukur.
"Gazeta Shqip"
Add new comment