A e meriton media grushtin e Papës?

Mesa duket, atentati ndaj gazetarëve të revistës satirike “Charlie Hebdo” nuk do të mbetet një në radhën e veprave të terroristëve, apo ekstremistëve që vrasin e presin në emër të fesë. Në fakt, pati zëra që kritikuan Europën, e cila u vu në rresht në bulevardin e Parisit për 17 të vrarë dhe as që ka denjuar të numërojë se sa njerëz e fise shfarosen në ditë nga barbarët e “Boko Haram” në Nigeri apo vende të tjera të Afrikës, apo sa njerëz kryqëzohen si në epokën e perandorisë romake, fshatrave dhe qyteteve të Irakut e Sirisë nga barbarët e ISIS-it. Peshuar në kandarin e Perëndisë dhe humanizmit, një afrikan është njësoj si një europian dhe po ashtu si një kurd, sirian apo iraken. Ndërsa peshuar në kandarin e politikës, një europian është “më i rëndë”, aq më shumë një parisien, e aq më shumë një gazetar. Për pasojë, sulmi dhe djegia e kasolleve të një fisi në Nigeri apo shpërthimi i një autobombe që vret qindra njerëz në Irak nuk është e njëjta gjë me sulmin ndaj një redaksie gazete në Paris. Për këtë arsye, atentati i Parisit mendoj se do të jetë një pikë kthese në betejën, tashmë të shpallur zyrtarisht, mes botës së qytetëruar dhe barbarëve që përdorin si mburojë, apo vrasin në emër të fesë. Për këtë arsye, ngjarja e Parisit vazhdon ende të jetë dhe do të jetë një temë e debatuar, duke përfshirë në vorbull edhe vetë Papën Françesk, i cili, si Papa i parë që e “zbriti” Zotin në tokë, s’e kishte për gjë të thoshte pak ditë më parë se “nëse miku im më i mirë do të më shante nënën, do ta qëlloja me grusht”. Papa foli hapur duke thënë se nuk ka pse dhe nuk duhet të shahen dhe tallemi me simbolet e besimit fetar. Ndërsa mendimdhënësit dhe shoqëria ishin ndarë në dy pjesë lidhur me faktin nëse është apo jo e drejtë publikimi karikaturave të Muhamedit apo humori deri në ekstrem me simbole të tjera fetare, Papa e zgjodhi pozicionin e tij. Ata që iu bashkuan korit “Je suis Charlie” ishin dhe janë të prerë se liria e medias është e shenjtë dhe para saj zbehet çdo arsye për të vrarë, sulmuar, akuzuar apo anatemuar median, apo atë që bën media. Unë personalisht nuk besoj në një fe të caktuar, edhe pse teorikisht i përkas besimin mysliman. Si një nga gazetarët që i ka kapërcyer 20 vjet në këtë profesion, mosbesimin apo mospraktikimin e fesë e kam plotësuar me besimin që kam në rolin dhe rëndësinë e medias së lirë. Si një gazetar që ka provuar në kurriz si dhunën e shtetit, ashtu edhe shfrytëzimin dhe dhunën verbale të pronarit, mendoj se ia di vërtet kuptimin dhe rëndësinë fjalës liri. Si një ndër ata që median nuk e kanë thjesht vend pune për të jetuar, por në një farë mënyre institucion kulti, aforfe më duhet të rreshtohem në krah të atyre që thonë “Je suis Charlie”. Dhe unë jam vërtet një nga ata. Por dua të ndahem paksa nga ata që po aforfe mendojnë se “Ne të gjithë jemi Sharlie” sepse duhet të jemi të lirë, edhe pavarësisht se çfarë shkruajmë. Në këtë pikë, edhe pse teorikisht mysliman, unë preferoj të jem me Papën. Media është një pushtet dhe jo një fasadë ku gjithkush të shkruajë parulla si ata që pikturojnë grafite. Për pasojë, ajo ka ligje që i sigurojnë lirinë, paanësinë dhe marrëdhëniet me pushtetet e tjera, pavarësisht luftës me politikën që bëhet dhe do të bëhet derisa media të ekzistojë. Por ne të gjithë e dimë se media duhet të ketë disa kufizime, që nuk cenojnë lirinë dhe misionin e saj, të cilat edhe aty ku nuk vendosen me ligj, vendosen nga kodi i etikës dhe morali profesional. Por jo vetëm kaq. “Kufizimet” e medias përcaktohen edhe nga misioni i saj. Gazetat apo revistat satirike mund të bëjnë humor apo të bëjnë “lolo” publikisht një politikan, i cili, i suksesshëm ose jo, është një njeri i zgjedhur prej shoqërisë të qeverisë. Dhe Europa ka kaq shumë probleme tashmë sa mund të tallesh me ta natë e ditë e në të gjitha format. Por mund ta bëjnë një gjë të tillë edhe me një futbollist, një këngëtar, aktor… Por përse u dashka që në menunë e karikaturistëve të përfshihen edhe simbolet fetare, kur dihet ndjeshmëria e grupeve të caktuara shoqërore ndaj tyre? Në fund të fundit, sa i shërben një konflikt i tillë shoqërisë, përveçse i shërben medias që të jetë në qendër të vëmendjes e të rrisë tirazhet, qoftë edhe me kosto si ajo që pagoi “Charlie Hebdo”, e cila shiti 5 milionë kopje pas sulmit terrorist? Për t’i dalë përpara ndonjë kritike që mund të thotë se sërish kjo bëhet në emër të lirisë pa kufi që duhet të ketë media, unë po pyes: nëse ne jemi të sigurtë se publikimi i një fotografie apo artikulli do të fusë shoqërinë në një përplasje sociale, koston e të cilës nuk e parashikon askush, a duhet publikuar ajo? Unë them jo, nëse fotoja dhe artikulli janë thjeshtë për gallatë dhe nuk lidhen me një skandal që gazeta ka zbuluar. Të këtij mendimi ishin edhe 42% e francezëve që iu përgjigjën një sondazhi lidhur me publikimin e karikaturave. Ne në Shqipëri vuajmë ose nga dhuna mbi median, ose nga liria e shfrenuar, apo ajo lloj lirie që të lejon të shkruash ç’të duash, të shash kë të duash dhe si të duash. Për mua janë të dyja njësoj të dëmshme në shërbim të kauzës dhe misionit të medias. Padyshim që këto radhë nuk janë një mbështetje për format e dhunshme të reagimit të të ofenduarve prej karikaturës së Muhamedit, apo të të gjitha formave të krimit që bazohen mbi radikalizmin e çfarëdolloji, por ishte vetëm një reflektim mbi rolin, misionin dhe lirinë e medias edhe në këtë këndvështrim.
GSH
Add new comment