Diskutojmë median, apo jemi të gjithë Sharli?

Postuar në 22 Janar, 2015 04:41
Arbër Zaimi

Ngjarja në Paris, atentati në zyrat e Sharlí Ebdósë, e pruri vëmendjen e mbarë Perëndimit, përfshi këtu edhe tonën, te një temë përnjëmend kyçe për zhvillimin demokratik të shoqërisë, siç është liria e fjalës dhe ajo e shtypit. Mëkat që një rast kaq i mirë për të çelur një diskutim të gjerë e të hapur shoqëror mbi këto tema, mbi cilësitë e shtrirjen e këtyre lirive te ne, nuk u shfrytëzua. E vetmja pyetje që u shtrua, anembanë sferës mediatike shqiptare ishte se “a jemi për lirinë e fjalës, apo jo?”.

Nëpër kolumna të opinioneve, apo në debate televizive e nëpër rrjete sociale shumëkush e shtroi këtë pyetje në formën “nëse jemi për lirinë e fjalës atëherë dhe ne jemi me Sharlí Ebdónë, e kush nuk është për lirinë e fjalës, do të duhej të shqyrtohej mirë, si një rrezik potencial për vokacionin tonë demokratik”. Problemi me këtë qëndrim nuk është thjesht te dedikimi jokritik ndaj lirisë së fjalës si vlerë themelore e demokracisë (n’daçim, dhe e perëndimit), por më shumë te fakti se kjo është një pyetje e vdekur, në kuptimin që gjithkush, në shoqëritë tona, i përgjigjet njësoj kësaj pyetje. Pra, nëse Bibi Netaniahu, shteti i të cilit vetëm pak muaj më parë pranoi se ka shënjestruar edhe rreth 15 gazetarë në sulmet tashmë të harruara të Gazës, apo nëse Ahmet Dautollu, shteti i të cilit arreston gazetarë e rrethon redaksi me një shpeshtësi për rekord Gines, apo nëse Sergej Llavrov, shteti i të cilit arreston edhe këngëtarët rock, kur i akuzon për blasfemi, pra nëse të tre këta i përgjigjen pyetjes njësoj duke thënë se “janë për fjalën e lirë” dhe se “janë Sharlí”, atëherë e kemi më lehtë ta kuptojmë se pse është pyetja e vdekur. Sepse nënkupton të jesh tërësisht i marrë dhe qesharak, pak a shumë si Kimi i Koresë apo si Ebu Beqiri i Bagdadit, që të përgjigjesh ndryshe.

Dikush mund të thotë se, fakti që tre-katër liderë tregohen hipokritë kur solidarizohen me gazetarët e vrarë dhe kur mbrojnë fjalën e lirë, nuk do të thotë që edhe ne të jemi hipokritë si ata. Ne vërtet jetojmë në shoqëri të reja, pa traditë të gjatë demokratike, por fjalën e lirë e respektojmë. A nuk jemi ne ata që përsërisim sa herë që mundemi atë thënien “mund të mos jem dakord me atë që thua, por jap jetën që ti të kesh mundësi ta thuash”, duke ia veshur edhe Volterit të cilin përgjithësisht nuk e kemi lexuar, se s’na lë kohë moderniteti (Volteri sigurisht që nuk ka qenë as autor e as shqiptues i këtij proverbi – e si do të mund të ishte…).

Por sërish, unë mendoj se edhe te ne, ajo çka ndihet kur flasim për dedikimin tonë ndaj fjalës së lirë e ndaj shtypit të lirë, është thjesht aroma e populizmit dhe e hipokrizisë. Në vend se të shtrohej pyetja se “a jemi për fjalën e lirë”, përgjigjen korrekte të së cilës e kemi gjithnjë të gatshme në xhep, ndoshta do të qe më me vlerë pyetja “si bëhet e mundur fjala e shtypi i lirë në median for profit?”.

Vite më parë, kam qenë i përfshirë në stafin drejtues editorial të një subjekti mediatik. Anekdotat që mund të tregoj nuk janë pak, pa rrezikuar të nxjerr ndonjë sekret zanati. P.sh. më kujtohet një moment kur gazetarët kishin zbuluar një shkelje, tip mashtrimi, që një korporatë e madhe private, e cila sapo kishte privatizuar një shërbim tepër të rëndësishëm për shumicën e qytetarëve. Gazetarët e përgatitën lajmin, shoqëruar me dokumente që provonin mashtrimin. Por, stafi menaxhues i medias vendosi veton për mosbotimin, meqë korporata në fjalë paguante reklama të përhershme në median tonë. Sipas menaxherëve “le ta botonin të parët lajmin mediat e tjera, e kur të bëhej e pashmangshme do ta botonim edhe ne”. Problemi është se korporata në fjalë paguante me rregullsi shuma të mëdha reklamash edhe në mediat e tjera. Kështu që lajmi mbetej “i pabotueshëm”, së paku derisa të plasnin protestat nëpër rrugë (të cilat nuk plasën kurrë…).

Në një rast tjetër, në një media tjetër, më kujtohet se si u bllokua prej drejtuesve dërgimi i një ekipi gazetarësh për të hulumtuar vdekjen e disa punëtorëve në një aksident automobilistik. Më vonë mora vesh se punëtorët dhe vetë automobili ishin të një kompanie nën pronësi të njëjtë me median në fjalë, dhe vetë kompania nuk kishte interes që të hulumtohej më tej ky rast, duke e vënë në dosje si aksident.

Raste të tilla ka plot. Një rast më i vonë ndodhi në Prishtinë para disa muajsh, kur administrata e Komunës zbuloi se kompania që kishte fituar tenderin për furnizim të shkollave me naftë për ngrohje, në vend të naftës të përshkruar në kontratë, përdorte një lloj vajguri me përqindje 30 deri në 80 herë më të lartë të papastërtisë nga ajo që lejohet me ligj. Sipas disa llogarive paraprake, nëse bëhet diferenca e çmimit mes dy lëndëve, del që kompania e cila ka bërë shkeljen mund të ketë përfituar rreth 15 milionë euro. Para të mjaftueshme për të blerë favore në gjyqësor e në politikë, e fatkeqësisht edhe në media. Ndërkohë që kryetari i Komunës së Prishtinës publikonte rezultatet e analizave, për të treguar se çfarë nuk po hetonte prokuroria e çfarë nuk po gjykonte gjykata, disa media nisën të shpërndajnë lajmin se kinse Prishtina nuk do të dekorohej për Krishtlindje. Arsyeja qe e thjeshtë, “gogoli islamik mbarëbotëror”. Pak rëndësi ka që Komuna nuk e vuri kurrë në diskutim faktin se Prishtina do të dekorohej për Krishtlindje, madje i siguroi qytetarët se do të dekorohej më mirë se për çdo vit tjetër, pak rëndësi ka se i akuzuari për islamizëm vendosi në sheshin kryesor kioska ku shpërndahej vera e nxehtë e Krishtlindjeve. Makina e përbaltjes ishte ndezur, dhe punonte me naftën e tjetërkujt.

Ndërkohë që ne “jemi të gjithë Sharlí”, jo pak gazetarë, opinionistë, redaktorë e drejtorë mediash këtu te ne kanë krijuar një lidhje varësie dhe frike me pushtetin ekonomik, me pushtetin politik e nganjëherë edhe me atë kriminal.

Shpesh thuhet se media është neutrale, se detyra e saj është thjesht që të përcjellë atë që ndodh, prej vendngjarjes e gjer te publiku. Por rrallëherë qëllon kështu. Media krijon vlerë dhe shkatërron vlerë. Një artist që del rregullisht në media, sigurisht që i shet më shtrenjtë punët e veta, krahasuar me një artist që për arsye të ndryshme, nuk i ka të hapura ato dyer. Lind pyetja “a i ka media kapacitetet të përzgjedhë artistin në bazë të vlerave të artit të tij”? Shpeshherë jo. Njësoj si me rastin e artistëve, media përmes produksionit të vet, i jep e i heq vlerë politikës, kulturës, qytetarisë, ekonomisë, dhe vetë shoqërisë. Për këtë arsye media quhet pushteti i katërt. Por nëse ndaj tre pushteteve klasike kërkojmë vazhdimisht transparencë e llogaridhënie, ndaj medias përgjithësisht kemi një tolerancë të pashpjegueshme, edhe pse ia njohim fuqinë e pushtetin që ka mbi ne.

Dikush mund të thotë se vetë ne si publik e kemi në dorë median, pasi ne jemi klientët apo konsumatorët, dhe në kapitalizëm klienti apo konsumatori vendos nëse një produkt ka apo nuk ka sukses. Problemi është se media është një nga ato tregje atipike, që nuk i binden kësaj “ligjësie”, siç kanë dëshmuar secili në mënyra të ndryshme Debord, Bourdieu, Virilio etj. Në radhë të parë, publiku nuk është klient, por produkt i medias. Asnjë media, gazetë, televizion apo portal, nuk mbijeton ekonomikisht sajë parave që paguajmë ne, si klientë. Dihet botërisht se këto media, kur janë të suksesshme, mbijetojnë prej parave që marrin nga ata që duan të ndikojnë opinionin publik, pra ligjërisht nga reklamat (fshehurazi edhe nga burime të tjera). Pra, klienti i vërtetë i mediave, me të cilat ato kanë raportin e shitjes së produktit të tyre dhe nxjerrjes së përfitimit që i mban në treg, është porositësi i reklamës apo i ndikimit të opinionit publik. E ne, që jemi publiku apo vetë opinioni që duhet ndikuar, jemi thjesht produkti i medias. Për këtë arsye, është vështirë ta ndikojmë median tonë si konsumatorë të saj. Median e ndikon shumë më lehtë subjekti që paguan për të na konsumuar ne, si produkt mediatik.

Një shoqëri demokratike do të duhet ta hapte këtë diskutim, pasi liria e fjalës dhe e shtypit është me të vërtetë tepër e rëndësishme, dhe si çdo liri ka nevojë që të rregullohet me infrastrukturën e duhur, në mënyrë që të mos jetë thjesht liri e papërgjegjshme e më të pasurve. A ka një gazetar i thjeshtë të njëjtën liri fjale me pronarin e ndonjë korporate kombëtare? A e kanë një milion qytetarë të thjeshtë të njëjtën liri fjale me pronarin e të njëjtës korporatë? Si mund ta demokratizojmë median tonë, dhe si mund ta bëjmë atë më të lirë? Si mund të vijnë çështjet me interes publik, komunitar, kombëtar, qytetar, si të barabarta në forumet publike? Si mund të gjejë hapësirë periferia në këtë sferë të mbytur prej spektaklit të krijuar ekskluzivisht në qendër? Si mund të krijohet një terren më i balancuar për përplasjen e të vërtetave të gjithsecilit, e jo vetëm për ato të të fortëve? Si mund të bëhet me të vërtetë publike, media publike? Apo nuk do t’i shtrojmë këto pyetje, nuk do ta hapim këtë bisedë, dhe “do të jemi Sharlí”, pavarësisht faktit se dy javë më vonë as do na bjerë më ndërmend për fletushkën javore pariziene, të cilën ashtu-kështu pakkush e ka lexuar me të vërtetë.

 

SHQIP

Comments

Submitted by Fillestari (not verified) on

<p>Nje pyetje si &quot;a jemi ne vertete Charlie&quot; nuk mund te kete vdekur vec sepse pergjigjes se bindur pozitive te nje numri te madh prej nesh, anetareve te shoqerise ju bashkohen edhe njerez jo te ndershem ne solidarizimin e tyre. Pyetja qe shtron gzetari, autor i ketij shkrimi eshte edrejte ne&nbsp;parim. Ne rradhe te pare, a eshte autori i keij shkrimi dhe kleget e tij te ngushnte &quot;Charlie&quot;? Pergjigja eshte nje &quot;Jo&quot; kumbuese! Te jesh Chalie nuk do me thene te ndjekesh martirizimin, por te ndjekesh rrugen e drejtete integritetit profesional dhe te pranosh qe prej tij, humbja e jetes, eshte nje rrezik i kalkuluar por i pa-eleminueshem profesional. Nje gazetar duht te pranoje se mund te vritet nga Mafia (ajo klasike apo kjo e hereshmja &#39;islamike&#39;) kur nxjerr nje fjale, nje polic kur&nbsp;vullnetarisht hyn ne polici e di se mund te vritet ne aksion dhe nje mjek e di se mund te vdese nga Ebola. Nje gazetar duhet te kujdeset per mbijetesen e tij, por nese eshte anetar i vlefshem i shoqerise qe&nbsp;shlyen me ndergjegje detyrimet etij profsionale, mbijetesa nuk ka per te qene 100% e garantuar. Une vet-pergjigjen e gazetarit per pyetjen e drejte qe ai vete e shtroi e marr si nje mea culpa te&nbsp;mirepritur. Jo Gazetari ne fjale nuk ka qene &quot;Charlie&quot; sepse ai nuk rrezikoi as rrogen jo me koken per te bere detyren. Jo gazetari nuk k qene Charlie sepse ka bere nje krim shume te denueshem kur ka fshehur nje krim sa nga publiku e sa nga organet e rendit. Gazetari ka sidoqofte mundesine e madhe per te qene&nbsp;Charlie ne te ardhmen. Vrasja e gazetareve te pafajshem ne France (apo Israel&nbsp;dhe Turqi, kudoqofte!) ndokend nga ne duhet ta beje te reflektoje se sa e shemtuar eshte jeta nese te tere ne nuk do te benim detyren tone por do te futeshim poshte tavolines kur jahte ka stuhi. Shpresoj&nbsp;qe gazetari autor i ketij shkrimi dhe te tjere&nbsp;profesioniste te kene patur mundesi te reflektojne mbi temen se&nbsp;cfare bote duan, te zvarriten nen orekset e korporatave, mafies a terroristeve apo te ruajne nje minimum dinjiteti. Gazetaret e Charlie,&nbsp;me humbejn tragjike te jetes se tyre na japin nje rast te reflektojme. Sic ka thene&nbsp;nje&nbsp;nje i famshem ne Amerike ne nje kontekst tjeter:&quot;per te paditurin qe nuk kupton, Ata&nbsp;vdiqen kot...&quot;&nbsp;&nbsp;</p>

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

<p>Per mendimin tim, robi nuk vdes as kot, as plot. Vdes dhe pike. Ceshtja eshte cfare bejne me vdekjen e ketyre te gjoreve ata qe mbeten gjalle? Organizojne parada, ndryshojne ligjet, behen me te mire, te tjere nxiten qe te vrasin te tjere Charlies, politikanet mundohen te shtojne kredite, klerike kapen dore per dore kinse nuk u prish pune po t&#39;u shash Krishtin a Muhametin, ndonjeri fut tre lapsa me ngjyra ne xhep dhe e le miletin me goje hapur etj. etj.</p><p>Kur njerezit sot varin ne qafe tabelen &quot;Je suis Charlie&quot; cfare duan te thone, qe jane gati te bejne humor packa se ky humor mund te ofendoje dike tjeter, qe pavaresisht se duken sikur jane ne mbrojtje te lirise se shprehjes, edhe ata dikujt i sherbejne qofte edhe duke varur tabelen ne qafe, qe jane gati te vriten per idealet, packa se mund te mos e kene shume te qarte se per cfare idealesh, qe jane ne krize identiteti dhe me kete rast o burra edhe ata per nje moment kane nje emer, e mund te vazhdoj pa fund.</p><p>Sic thoshim ne Shqiperi kur shkonim ne ndonje vaki: &quot;Mjere ai qe iku, se ata qe mbeten nje derman do e bejne&quot;.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.