Bashkëqytetarë të mi, korrupsioni i Drejtësisë po na vret

Postuar në 25 Dhjetor, 2014 18:17
Violeta Librazhdi-Kadzadej

Me këtë Letër të Hapur, mësuesja Violeta Librazhdi-Kadzadej, i drejtohet publikut të gjerë, përmes shembullit të kalvarit të saj, dhe në dijeni Ministrit të Drejtësisë dhe vetë kryeministrit, që të tregojë se deri ku ka arritur kalbëzimi i sistemit të drejtësisë...(Konstatoj se ankesat nuk u shkojnë titullarëve, ndaj po ju drejtohem publikisht), thotë ajo në shënimin e saj. Letrën po e botojmë veç respektit ndaj njërës prej edukatoreve të brezave të tërë dhe si apel ndaj zyrtarëve të përgjumur dhe dorëzuar të shtetit tonë...

 

Zotit Ministër të Drejtësisë

Për dijeni, zotit Kryeministër të ShqipërisëBashkështetas të mi. Qeveria e vetme nuk mund dot të luftojë kundër korrupsionit të një pjese të punonjësve të drejtësisë, duhet ne, që i kemi hequr në kurriz zvarritjet, korrupsionin, papërgjegjshmërinë me dashje etj.

Duhet ta denoncojmë këtë kalbësirë antishqiptare, që shkel me këpucë me baltë mbi ne. Këtë po nis të bëj unë.

I nderuar zoti Ministër,

Jam e keqardhur të pohoj se në shekullin XXI është më tepër se aktuale bejtja e Hasan Zyko Kamberit: “Kadiut t´i refeç paranë ters e vërtit sherihanë…”.

Po të doni të zbuloni vetëm një segment të këtij korrupsioni, merrni dosjen time të fryrë 14-vjeçare në gjykatat e Elbasanit dhe deri në Gjykatën e Lartë. Jam mësuar ta respektoj drejtësinë dhe të luftoj kur ajo më cenohet. (Jam vajzë gjykatësi-avokati).

Fabula është e thjeshtë. Që e vogël e dija se në regjistrin kadastnuer 164, fq. 167, viti 1917 Elbasan ekzistojnë pronat e gjyshit tim, midis të cilave një shtëpi, ku janë përcaktuar edhe tre trashëgimtarët e tij. I pari prej të cilëve është im atë. Shtëpia prej 632 m2 (edhe sipas regjistrimit turk).

Për këtë shtëpi mbas viteve `90, kisha biseduar disa herë më kushërinjtë se c´do të bëhej me këtë pronë të përbashkët. Në vitin 2000 papritur konstatova se një pjesë e shtëpisë ishte shitur fshehurazi nga gruaja e kushëririt tim Flutura Librazhdi. Me një gjyq fakti të vitit 1994 Elbasan me gjyqtare Pajtime Fetahu dhe me dy “jallan shahitë”, pa përcaktuar as truallin e vendndodhjes ata, mbasi i kishin vënë “sy e vetulla” shtëpisë e quajtën si të re dhe më 30 dhjetor 1998 u bë në Tiranë akti i dhurimit për gruan e tij, Flutura Librazhdi.

Në bashkëpunim me regjistruesen e Elbasanit, Rudina Plaka u bë mbivendosja e pronës në Elbasan dhe në nëntor të po atij viti, shtëpia iu shit një njeriu naiv që natyrisht u mashtrua.

Të gjitha këto i mësova mbas kërkesës që bëra pranë Zyrës së Noterisë në Tiranë e cila më dorëzoi praktikën e këtyre veprimeve. Dorëshkrimin mbi pronat që e kisha nga babai e dorëzova në këtë zyrë dhe çuditërisht ajo së bashku me të tjerë dokumente u zhduk nga nënkryetarja e asaj zyre (sot notere publike, qe njëherazi qe mbesa e shitëses së shtëpisë sime).

Me vështirësi të jashtëzakonshme prej një viti, munda të marr në ZRPP Elbasan vërtetimin e pronësisë së shtëpisë.

Janë zhvilluar disa seance gjyqësore, ekspertë nga gjykata të cilët vërtetuan se shtëpia e shitur qe pjesë e shtëpisë së tërë të gjyshit tim.

Në vitin 2001 gjykata e Elbasanit me kryetar Tomorr Kullollin dha vendimin: për pavlefshmërinë e aktit të dhurimit, të kontratës së shitblerjes. Kthimin e pronës tek të gjithë trashëgimtarët dhe prej këtej filloi kaluari i tmerrshëm i seancave gjyqësore 13-vjeçare.

Më 15 prill 2002 Apeli i Durrësit me kryetare Valentina Sadiraj, 4 korrik 2005 në Elbasan me kryetar Arben Vrioni, në Durrës më 23 mars 2006 me kryetar Petrit Cenon, u dhanë vendime të pabazuara në ligj.

Me këmbënguljen e avokatit tim, profesionist dhe korrekt më 16 nëntor 2009 Gjykata e Apelit në Durrës, e përbërë nga Besim Trezhneva, Abaz Buksi dhe Mehdi Bici me vendimin nr. 20 503 vendosi:

1. Pranimin e kërkesën.

2. Pavlefshmërinë e aktit të dhurimit.

3. Pavlefshmërinë e kontratës së shitblerjes.

4. Kthimin e palëve në gjendjen e mëparshme (prona në origjinë).

5. Një kopje iu dërgua ZRPP-së Elbasan.

Gjithashtu Gjykata e Apelit u shpreh që blerësit jo vetëm t´i shlyhej nga shitësja F. Librazhdi çmimi i shitjes por edhe shpenzimet e rregullimeve të mëvonshme. Rekursi i bërë nga pala kundërshtare nuk u pranua nga Gjykata e Lartë, 25 mars 2013, duke lënë në fuqi Vendimin e Formës së Prerë.

Iu drejtova ZRPP Elbasan, e cila nuk përfilli që në 2009 Vendimin e Apelit të Durrësit me dokumentet përkatëse.

- Aktin e trashëgimisë.

- Vendimin e Gjykatës së Apelit Durrës.

- Kartën e identitetit.

Pas 5 muajsh, më 29 gusht 2013 vjen përgjigjja negative nga Rudina Plaka, e cila nuk pranonte regjistrimin, duke argumentuar këtë se shtëpia nuk ekzistonte dhe se unë nuk kisha të drejtë, sepse nuk kisha titull pronësie. Sërish më humbën dokumentet dhe m´u kthye vetëm Karta e Identitetit. Pra që prej 2 vjetësh po merrem me ZRPP-të Elbasan, Tiranë.

Në tetor 2013, z. Ilirjan Muho udhëzonte dhe urdhëronte ZVRPP Elbasan që të zbatonte Vendimin e Formës së Prerë. Me një letërkëmbim të gjatë më së fundi m´u lejua të aplikoj për certifikatën e pronësisë, në emër të të gjithë trashëgimtarëve ligjorë, duke respektuar të gjitha kërkesat e VKM-së. Mbasi kisha plotësuar të gjitha kërkesat e aplikimit dhe mbasi ZVRPP Elbasan kishte quajtur të pavlefshme kontratën e shitblerjes dhe kishte hedhur në regjistrin hipotekor gjithë ndryshimet, regjistruesi i ri Altin Ago në Elbasan, në çastin përfundimtar, në prag të marrjes së certifikatës, më dërgon më 11 gusht 2014 një kthim përgjigje duke futur atje kontestimin e njërës prej vajzave të Fluturës, vetëkuptohet që në këtë mënyrë kërkonte të zgjaste detyrimet ndaj blerësit, pra mohoi dhe shpërfilli Vendimin e Formës së Prerë.

Jam takuar dy herë me z. Muho dhe m`u duk se ishte në anën time dhe në praninë time qortoi vartësit e tij dhe se ata nuk duhet të pranonin më kontestimet e palës humbëse. Siç duket as ata dhe as regjistruesi i Elbasanit, Ago nuk përfillën fjalët e tij. (?!).

Më 29 maj 2014, 25 tetor 2014 u jam drejtuar njëherazi Ministrisë së Drejtësisë dhe ZQRPP Tiranë. Një heshtje e gjatë dhe asnjë përgjigje. Dhe jo vetëm kaq por konstatova vetë se dosja e ankesës sime nuk ishte hapur fare.

Më 12 nëntor vjen përgjigjja e fundit dhe e përsëritur nga regjistruesi i Elbasanit Ago, që më theksonte përsëri për kontestimin e palës kundërshtare (humbëse e 14 vjetëve) dhe fatkeqes blerëse duke më dërguar sërish në gjyq për çështje konfliktesh midis trashëgimtarëve.

Zoti Ago nuk do ta kuptojë se konfliktet me palën humbëse janë eliminuar gjatë 13 viteve dhe me Vendim të Formës së Prerë dhe se me blerësen nuk më lidh asgjë dhe nuk kam asnjë detyrim ndaj saj.

Më 18 nëntor iu drejtova sërish personalisht z. Muho me dy ankesa me dorë dhe me postë, duke i përmendur edhe ligjin e Informimit Publik nr. 113, viti 2014 dhe kam shkuar 6 herë në ZQRPP Tiranë dhe përgjigje nuk kam!.

Më 3 dhjetor A. Ago në përgjigjen që u dërgon Ministrisë së Drejtësisë dhe ZRPP Tiranë, duke më vënë në dijeni përsërit shkurt pa përmendur asgjë, pa u mbështetur në veprimet dypalëshe duke shkelur Vendimin e Formës së Prerë dhe duke shpërdoruar detyrën na dërgon sërish në gjyq, për konfliktet tashmë të shlyera.

Shkruesja e këtyre rreshtave i ka kaluar të shtatëdhjetat (katërmbëdhjetë vitet e fundit në gjykata dhe ZRPP), me një diplomë ekselente për studimet universitare, autore programesh, tekstesh shkollore dhe librash artistikë që bashkë me kolegët e saj ka nxjerrë me dhjetëra breza: ministrash (3 në kabinetin aktual), pedagogësh dinjitozë, mësues të përkushtuar, deputetë, diplomatë, përkthyes etj, etj, sot ajo endet duke mbajtur dhimbshëm mbi shpinë Statusin e të Pastrehut.

Zoti Ministër, ankesat e bëra tek ju kishin qëllim që Ministria të pozicionohej ndaj shkeljes ligjore të punonjësit tuaj, I cili me veprimet që ka kryer ka shpërfillur katërcipërisht Vendimin e Formës së Prerë. N.q.s ju mendoni ndryshe do të thotë se mbështetet institucionalisht një shkelës i ligjit.

Shpresoj ta lexoni, sepse me keqardhja kam konstatuar, që ankesat nuk shkojnë tek titullarët madje mbeten të pahapura fare, siç ndodhi në ZQRPP-në e Tiranës. Kjo është edhe arsyeja që ju drejtohem me letër të hapur.

Ju lutem kërkoj sipas ligjit që mbron qytetarët, të më ktheni përgjigje me shkrim cilado qoftë ajo.

Gjithnjë me respekt dhe besim se dikush do të verë dorë mbi këtë drejtësi.

Violeta Librazhdi-Kadzadej

(Adresa nuk kam…)

Comments

Submitted by Populli (not verified) on

Ky eshte nje rast tipik ku gjykates dhe nepunes shteterore behen pjese e nje skeme tipike mashtrimi per te legjitimuar prona fallco, nga shitja e te cilave fitohen (vidhen legalisht) shuma te medha parash.
Ajo qe ben pershtypje eshte fakti qe edhe sot keta mashtrues mbeten te pandeshkuar. Per me teper, sic del qarte ne kete denoncim, edhe sot zyrtare te Ministrise se Drejtesise, ZVRPP dhe ZQRPP mundohen ti anashkalojne keto fakte duke mosvepruar edhe per zbatimin e nje vendimi gjykate te formes se prere. Ky solidaritet ne korrupsion I nepunesve tane pavaresisht prejardhjes partiake mbetet nje kancer shteteror.
Personalisht nuk besoj se Ministri Drejtesise do te bej ndonje levizje pasi eshte ne konflikt interesi ne kete ceshtje. Regjistruesi Elbasanit, Alton Ago dhe kryeregjistruesi Ilirjan Muho jane pjese e detashmentit te tij LSI-se se famshme.
Nuk e di nese K/ministri do mund te veproje. E ka te veshtire. Psh gjithe Tirana e di qe Muho merr leke por deri me sot eshte edhe ai nje nga te pandeshkueshmit, bile e vene te numeroje votat nr KQZ !!!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.