“Arti” i gënjimit të vetvetes

Të gjithëve na ka ndodhur të shohim veten duke u rrotulluar para pasqyrës derisa të ndalemi në atë pamje ku na duket vetja më i/e hijshme. Është kjo pamja që ruajmë zakonisht në perceptimin që kemi për veten tonë fizike. E njëjta gjë ndodh edhe kur shikojmë një numër fotografish tonat, veçanërisht tani që kemi aparatet dixhitale: i fshijmë ato ku “kemi dalë keq” dhe ruajmë ato ku dukemi më mirë. Më së shumti ato pamjet që fshijmë i neglizhojmë, ose nuk i quajmë tonat, ose i konsiderojmë aksidentale. Vendosim në facebook ato që na duken më të mirat; më tonat. Çfarë qëndron në bazë të këtij fenomeni selektiviteti? Nevoja që kemi të ndihemi mirë, të kemi sa më shumë vlerësim për vetveten. Sipas biopsikologëve, ka zona të trurit që punojnë enkas për këtë punë. Dhe jo vetëm në raport me pamjen tonë të jashtme, por edhe për perceptimin që kemi për veten tonë si tërësi. Është një fenomen individual ky, por që shtrihet edhe në psikologjinë e grupit, pasi perceptimi që kemi për veten ndikohet shumë nga grupi ku bëjmë pjesë. Është një fenomen normal dhe i shëndetshëm deri në një farë pike, pasi, po ta shohim veten si një qenie të shëmtuar dhe pa vlerë, humbasim deri motivin për të jetuar. Por, ama, kur vetëvlerësimi hipertrofizohet i pakontrolluar nga mendimi kritik, që bën edhe ai pjesë në aktivitete normale të trurit, mund të na çojë shumë larg në gabime. Sipas njërit prej psikologëve që e ka studiuar këtë fenomen, amerikanit Leon Festinger, nevoja për të mos u zhgënjyer me vetveten mund të na çojë deri në atë që ai e quan në anglisht “cognitive dissonance” disonancë konjitive (njohëse), që duke e shqipëruar në formë jo shkencore mund ta quaja edhe gënjim i vetvetes. Leon Festinger, krijuesi i termit disonancë konjitive, u bë i famshëm në vitet ‘50 në SHBA nëpërmjet studimit të një sekti që profetizonte fundin e botës. Një grua amerikane, që e quante veten priftëreshë, proklamonte në Winsconsin se një jashtëtokësor i kishte komunikuar asaj një mesazh të fshehtë, sipas të cilit do të ndodhte një përmbytje universale që do të zhdukte njerëzimin dhe se ajo vetë ishte e zgjedhura për t’u shpëtuar. Në vend që të vinte veten në dyshim, ajo krijoi një sekt që mblidhej e lutej në pritje të këtij apokalipsi. Kur u bë e qartë se ky nuk ndodhi, ta donte mendja që sekti të shkrihej. Por nuk ndodhi kështu. Anëtarët e sektit, në vend që të pranonin se ishin një tufë budallenjsh, nxorën teorinë se ishin pikërisht ata, me lutjet e tyre, që e kishin shpëtuar botën. Festingeri shtroi pyetjen se çfarë ndodhte në mendjen e këtyre të marrëve kur argumentonin kësisoj. Ai i vuri këtij procesi psikologjik emrin: disonancë konjitive (njohëse). Me dy fjalë shpjegimi është ky: ne kemi ide/njohje për diçka, për dikë, për veten tonë që shoqërohen me një lloj besimi në vërtetësinë e tyre dhe një lidhje shpirtërore që kemi me to. Në përgjithësi sipas psikologëve është e rëndësishme për shëndetin tonë mendor që idetë/njohjet tona të jenë konsonante d.m.th. në harmoni me njëra-tjetrën, p.sh. që një njeri që e njohim për të mirë (dhe e duam për këtë) bën mirë, që një njeri i keq bën keq. Por ç’ndodh kur përjetojmë njohje që janë disonante d.m.th. në mospërputhje me idenë/besimin tonë. Sipas psikologëve, kjo na shkakton një ndjenjë frustrimi, saqë mendja jonë ka nevojë të aktivizojë një lloj mbrojtjeje për të mos vuajtur. Mjaft që të mos përballojmë frustrimin dhe ndjenjat negative që na shkakton pranimi i faktit se besimi ynë ishte i gabuar, dhe ne preferojmë të mos e shohim disonancën dhe të sajojmë çfarëdo përralle për t’u justifikuar. Këtë kanë bërë edhe anëtarët e atij sektit që argumentonin se bota shpëtoi për shkak të lutjeve të tyre. Është pak a shumë ajo që na e thotë edhe Ezopi mbi 2000 vjet më parë: ngaqë nuk e arrin dot rrushin, në vend që të pranojë se nuk e arrin dot, dhelpra thotë se rrushi është i thartë. Nëse ka ndonjë grupim ku bie dukshëm në sy disonanca njohëse kjo është tifozeria. Si tifozë ne identifikohemi me grupin/skuadrën e zemrës tek e cila besojmë dhe fitorja ndaj kundërshtarit na bën të ndihemi mirë, kurse humbja na bën të ndihemi keq. Disonanca konjitive shpjegon se pse, për të lehtësuar ndjenjën e keqe pas një humbjeje, tifozët i gjen shpesh të gatshëm t’ia vënë shkakun e humbjes arbitrit, fushës, topit, fatit, shiut, shtyllës, por jo skuadrës së zemrës, apo aftësisë së kundërshtarit. Edhe më shumë se te tifozeria sportive disonancat konjitive bien në sy te militantët e sëmurë të partive. Këta militantët vazhdojnë ta duan në mënyrë të pakondicionuar një lider partie, edhe kur atij i zbulohen korrupsione apo bën punë të tjera të pista; këta e kanë shumë të vështirë të pranojnë humbjen në zgjedhje si rezultat i punës së tyre të dobët. Është fenomen që e gjen gjithandej, por në këtë vendin tonë është tejet i përhapur dhe shumë problematik. Nuk besoj se është nevoja të jap shembuj për këtë për të provuar se jemi kampionë të këtij fenomeni. I ka fajet Sali Berisha apo i ka fajet Edi Rama janë fjala e parë që nxjerrin militantët e sëmurë nga goja për çdo gjë që nuk shkon mirë. Besoj se lexuesit inteligjentë e kuptojnë se pse po i shkruaj këto radhë në këto ditë të nxehta tifozerie nacionaliste që kanë pasuar ndeshjen Serbi-Shqipëri. Paaftësia jonë kulturore për të parë në pasqyrë edhe përgjegjësitë tona, për të kërkuar ndjesë kur gabojmë, që përkthehet në aftësinë tonë spektakolare për të gënjyer veten, për t’u matur me hijen e mëngjesit, për të gjetur fajtorin gjithmonë jashtë vetes, u shfaq edhe në këto ditët e fundit në mënyrën më dramatike do të thosha – por (fatkeqësisht) pa u përjetuar si dramë pikërisht për shkak të disonancës konjitive. Për të gjithë ata që e kanë parë nga jashtë botës së emocioneve nacionaliste ballkanase atë që ndodhi në stadiumin e Beogradit, aty kishim të bënim me një manifestim të shëmtuar nacionalist nga të dyja palët, për të qeshur e për të qarë. Mirëpo ne nuk gjetëm asgjë për të qeshur apo për të qarë në veten tonë, i gjithë shëmtimi u përkiste serbëve. Droni me Shqipërinë e madhe nuk ishte një provokim nacionalist, ishte diçka normale (një pjesë deri vonë e quanin “flamuri ynë” dhe pastaj nxorën teorinë se ishte shkruar “Autochtonus” jo “Shqipëri e madhe”; një pjesë tjetër thanë se na e kanë hedhur serbët qëllimisht, nuk e kemi hedhur ne); lojtarët tanë u treguan heronj që u vërsulën për t’ua marrë nga duart lojtarëve serbë; ata bënë mirë që nuk e vazhduan lojën, edhe pse komisionerët e UEFA-s dhe arbitri anglez u thanë se duhet të vazhdonin lojën. Fitorja na takonte ne 3-0 me të drejtë. Pra, në pasqyrën që ndërtuam për veten me ndihmën sigurisht të politikanëve e gazetarëve tanë të disonancës konjitive, ne dukeshim më të mirët dhe më të bukurit e botës në atë çast. Kur erdhi vendimi i UEFA-s, që ishte në disonancë me këtë vetëperceptim, shpjegimet qenë pak a shumë si ato të atij sektit të Festinger-it: Platini është një francez i fëlliqur, se francezët kanë qenë gjithnjë në krah të serbëve. Arbitri anglez dhe komisionerët e UEFA-s janë pjesë e Europës kurvë, e me radhë e me radhë. E njëjta gjë u përsërit me vizitën e Ramës në Beograd. Sipas pritshmërive të atyre që ishin edhe promovuesit e takimit, por edhe të njerëzve me vullnet të mirë brenda e jashtë vendit, Kryeministri kishte shkuar atje për të dialoguar në emër të uljes së tensioneve, bashkëpunimit, një të ardhmeje europiane të paqes midis dy vendeve. Ishte një takim i vështirë që kërkonte diplomaci të lartë, duke pasur parasysh sa historinë më të hershme, sa çështjen e Kosovës, aq edhe atë që kishte ndodhur së fundmi në stadiumin e Beogradit, për çka dhe u shty vizita. E vërteta është se Kryeministri u shty nga falangat nacionaliste dhe nevoja e tij për t’u duartrokitur nga sa më shumë njerëz që të mos shkonte me këtë mendje, por për të vazhduar pjesën e dytë të ndeshjes së ndërprerë. E përsëris: pyetja që shtrohet është: a shkoi për të hedhur ura bashkëpunimi dhe paqeje apo për të thelluar hendeqe urrejtjeje dhe ndarjeje. Shkoi për të rregulluar punët e hallet e njerëzve të të dy popujve, apo për të lënduar mburrjen nacionaliste të njërit dhe fryrë mburrjen nacionaliste të tjetrit? Apo për t’u shitur para të huajve sikur po bën të parat dhe në fakt duke bërë të dytat. E vërteta është kjo e fundit sipas meje, që do të thotë se hendeku është thelluar më shumë. Këtë e vërteton triumfalizmi nacionalist shqiptar i pas takimit më një anë, e vërteton fakti se pala tjetër e quajti rast i humbur (Vuçiç), kurse ministri i Jashtëm Daçiç tha se marrëdhëniet u bënë më të acaruara se ç’kanë qenë. Edhe nga të njohur serbë antinacionalistë, kundërshtarë të Vuçiç, na vijnë komente se pas kësaj fjala “shqiptar” është bërë edhe më e urryer në Serbi. Dhe kjo është e dëmshme për shqiptarët, pasi përmirësimi i marrëdhënieve me fqinjët është vital qoftë për ekonominë, qoftë për demokratizimin e mëtejshëm të jetës në vend, qoftë për integrimin në Europë. E prandaj kemi më së shumti një dështim diplomatik, paçka toneve të vakëta inkurajuese të perëndimorëve. Mirëpo përsëri, me artin e gënjimit të vetvetes, tifozeria shqiptare nuk do ta shohë kështu këtë ngjarje, si një dështim të parapërgatitur. Vizita ishte një sukses. Thyem akujt akullnajat me Serbinë, na thotë Kryeministri dhe zëdhënësit dhe këshilltarët e tij. Pati një problem të vogël, që Vuçiç e quajti provokim, por kjo që qe për faj të serbëve. Ajo që bëri Kryeministri duke u thënë serbëve atë që edhe fuqitë e mëdha nuk ua thonë publikisht, por privatisht, nuk ishte provokim, por një gjë normale. Pse provokim është kur ti i thua Berishës apo Ramës disa të vërteta në sy?- më drejtohej në replikën e tij Andi Bushati, pasi e kritikoja për ekzaltimin e tij nacionalist, kur na e paraqiti liderin tonë si një europian të vërtetë përpara serbit primitiv. Krahasim i gabuar, sepse detyra e Kryeministrit nuk ishte të bënte gazetarin, që përplas të vërtetë edhe duke provokuar (sepse e vërteta dhe provokimi nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën), por të bënte politikanin, kryediplomatin, që për hir të bashkëpunimit dhe interesave të njerëzve të dy vendeve duhet t’u mëshonte gjërave që na bashkojnë, jo atyre që na ndajnë. Kurse detyra e gazetarit ishte të na informonte se takimi ishte një dështim në këtë aspekt dhe jo të na jepte një shembull më shumë të disonancës konjitive. Por ka edhe një disonancë tjetër, që po na servir kopeja e atyre nacionalistëve të cilët, në një kohë kur po na mbyt korrupsioni, konfliktet, papunësia, varfëria, krimi, plehrat dhe pasiguria e jetës në vendin tonë (por ndoshta edhe pikërisht për këtë), po na japin të hamë barin e krenarisë kombëtare; të cilët nxituan ta quajnë Ramën baba mbrojtës të të gjithë shqiptarëve duke na kujtuar Enver Hoxhën kur qante për atdheun abstrakt (teksa dëgjonte këngën “Për ty Atdhe”), por që shqiptarët konkretë i katandisi në gjendje mjerimi. Ata nuk po na lënë të shohim të vërtetën e madhe që thotë publicisti dhe autori i njohur anglez, Victor Gollancz, në autobiografinë e tij kur flet për nacionalizmin: “Nga të gjitha të këqijat, nacionalizmi është ai që urrej më shumë. Nacionalizmi, d.m.th. egoizmi nacional, të menduarit në termat e një kombi e jo në termat e humanizmit, është i keq, sepse ai përqendrohet në gjëra jo thelbësore (ku jeton një njeri, çfarë lloj gjuhe flet, cilës kulturë i përket, çfarë gjaku ka etj.) duke injoruar atë që është thelbësorja, faktin që ai është njeri. Nacionalizmi e bën një popull ta urrejë një popull tjetër sapo t’i shfaqet rasti më i vogël për të urryer; ai të çon në xhelozi, ekspansionizëm, shtypje, grindje dhe deri në luftë.
"Panorama"
Comments
Une nuk mund te te quaj
<p>Une nuk mund te te quaj genjeshtar po me plot gojen mund te quaj manipulues. Manipulues ishte dhe Platini dhe argumentat e tij nuk ishin dinjitoz. ashtu sic nuk jane argumentat tuaja me dinjitet. Fjala seshte gje tjeter vecse ilustrim i fakteve dhe te vertetave per te pasqyruar shpirtin dhe te qenesishmen njerzore, per te vizatuar me realizem karakterin e profilin e se vertetes si komunikim e bazuar ne fakte. Po e ben Fatos lubonja kete? Jo! Ben finte, sofizma e kendveshtrime manipuluese duke mos genjyer, por duke manipuluar. Fatosi nuk genjen po e mban gjuhen e te shkruarit ne kufijte e manipulimit duke ndricuar faktet e deformuar realitetin me ndryshimin e planeve e fokusimeve e duke vene detaje rrethanore ne plan te para si detaje kapitale. Po kjo nuk eshte e dinjitetshme dhe per mua eshte fare ordinere qe Fatosi kerkon ta shesi per fusnote. Funksionon si instrument qe manipulime te ilustruar me fakte pa peshe kthehet ne fuqi manipuluese kur faktet i vizaton plot fuqi grafike e i ilustron plot sofizma me autore kopetente. I gjithe shkrimi i fatosit nuk eshte gje tjeter vecse nje Plaidoyer e pa dinjitetshme per te mbrojtur egon e unit. Po mo, i ke mbushur vetes para pasqyres si puna e fotove qe ilustron e te eshte kalcifikuar mendimi se ke monopolin e se vertetes! Mua me duket kjo pune me e thene me fjale te tjera: Ti ke te drejte me te verteten qe thua, po ka dhe te verteta te tjera. Je bere si zyre imobiliare qe cmimin se vertetes ja ve vete. Ose ndryshe je si ai artisti qe ka modelin perpara dhe i intereson detaji e godet fuqishem aty ku don ai. Dhe modeli eshte po ai qe vizatojne e bejne dhe te tjeret po jo, Ti e ke ndryshe ne koke dhe sfumon e lene ne plan te dyte e te trete apo nuk i vizaton fare ato qe bejne karakterin e vertete te modelit, profilin e shpirtin e tij. Je novator dhe fton per ilustrim pothuajse gjithmone autore e kritike kalibri e gjen kendveshtrime te tjera. ne rregull, po karakteri i vertete i modelit edhe pse i ngjason atij nuk eshte ai. Ti miresh me volume te madhaja kur don te sfumosh detajin grafik qe del ne plan te pare e ben muu..u. Urrejtja e serbeve vritni shqiptaret nuk te thote gje fare dhe e sfumon me ndergjegje te plote dhe ketu humbet dinjiteti i fjales e i shkrimit dhe ashtu sic thashe je si ato zyrat imobiliare qe kur i do bytha nuk nxjerrin detaje po miren me masen e madhe e ne plan te pare fotografojne lule e livadh e shtepia ne sfond vetem per te manipuluar e shitur mallin a thua se do jetoj robi ne livadh. Dhe kopshti e livadhi ka rendesi po njeriu ble shtepine dhe jo livadhin. Dhe ne te kundert kur shtepia eshte karrikatine ne planin e madh Ti mirren me detaje e me arredimin e brendshem modern ( sigurisht me fakte) edhe pse catia po thyhet e po shembet. Eshte vetem ceshtje kendveshtrimi e ndricimi te fakteve qe rren veten e nuk te le kurre kurre egoja jote te shohesh vullkanin e urrejtjes se serbeve e miresh me zizellimen naive te shqiptareve qe vetem flake nacinaliste nuk ndezin e per kete ka nje milion prova ashtu sic ka prova te fqinjeve qe djegin e pjekin shqiptaret. Eshte tamam disonance konjuktive dhe arti i mashtrimit te vetevetes te thuash e te mos shikosh apo ta sfumosh me ndergjegje modelin e perdhosjes e te abuzimit e te poshterimit ku Greqia e sali Berisha shet detin dhe Fatos lubonja ne menyre manipuluese e pa dinjitet deformon faktin e modelin e tradhetise se shqiptareve me moton: cna duhet deti ne fund te tij ka vetem peshq te ngordhur. Por jo nuk ka vetem peshq dhe nuk jane te ngordhur po ka dhe thesare. Puna eshte se zotnia jotte i ben me ndergjegje ...e vetem genjen veteveten...po kjo nuk eshte e hijshme dhe me dinjitet. ...</p>
si ka mundesi, ke shkruajtur
<p>si ka mundesi, ke shkruajtur kaq shume dhe nuk ke sjell nje shembull ilustrues, por vetem retorike. Si nuk e kupton qe i gjithe argumentimi i Lubonjes merr kuptim vetem me faktin qe serbet na urrejne aq shume sa thua ti. </p>
Duhet lexouar edhe nje here
<p>Duhet lexouar edhe nje here komenti i Lubonjes, mbase nje lexim i dyte apo i trete ndihmon te kuptohet ajo qe thote ai.</p>
Duhen dhjetera si ti ... per
<p>Duhen dhjetera si ti ... per te mos thene qindra, qe te imponojne dicka pozitive tek ky popull! Te lumte ty Fatos Lubonja, por nuk mjafton per fat te keq ... </p>
Lubonja, mese realist. E
Lubonja, mese realist.
E verteta dhemb.
Per mendime e shkrime te mira
<p><br />Per mendime e shkrime te mira nuk ka nevoje per ilustrime e llogje. shkrimi e arrin direkt mesazhin me pak fjale por ama per shkrime te keqija apo mendime te keqija ka nevoje qe shkrimi te zgjatet e te behet terkuze ku e verteta te notoje ne nje oqean manipulimi dhe kete ke bere Fatos Lubonja. Ne shikimin e pare duket cdo gje e zakonshme dhe per Lubonjen eshte e zakonshme, eshte vazhda e konjuktures se tij duke vjelle kunder shqiptarizmes duke bere mobing si nje autoporlant satanik, duke manipuluar me pretendime te pabazuara, me teknika e zemreke agresive te arsyetimit. Njihen praktikat e manipulimit: kendveshtrim apo prespektiva te njeanshme ku negativja tonohet e theksohet ne frontal. Meresh me fakte te dores se trete duke i kther ne qender si te dores se pare, mos jep pergjigje per fakte kapitale, genje me kendveshtrime iluzive por te deformuar fokusimin e per te rritur apo zvogluar dimensionin e se vertetes, rreshqiti te vertetes, bllokoje te verteten, emocionet profilizoje e kanalizoje ne drejtimin e manipulimit, injorim i argumentave themelore, ndryshim planesh bardhe e zi dhe alternativa te vetme duke mos pranuar asnje lloj opsioni tjeter. Pozicioni kundeshtarit/viktimes, pikturoje frikshem/horror e plot djallezi. Apele diskriminuese ne lexues intiligjente, thirrje e ilustrime me autore plot autoritet per te iluzionuar e ndryshuar peshen e shkrimit. Sofizma e vetem sofizma po dhe sofistet thone qe e verteta eshte individuale dhe relative dhe projektohet sipas antenave te cdo individi si subjekt i te menduarit dhe ne qofte se kjo e vertete kthehet ne shumice atehere kemi te bejme me nje te vertete te madhe dhe jo me nje budallallek kolektiv apo militantizem sic e quan Lubonja ne kete rast. Lubonja ne te gjithe shkrimet e tij eshte ekselent, eshte orgjinal, po ama kur vjen puna ne fusha e tema kombtariste eshte legen sic eshte te ky shkrim. Qe te mos bie ne banalitet<br />e kam mbyllur me fakt: ...“ Fatos lubonja ne menyre manipuluese e pa dinjitet deformon faktin e modelin e tradhetise se shqiptareve me moton: cna duhet deti ne fund te tij ka vetem peshq te ngordhur.“... Dhe kjo eshte nje prove e Lubonjes kunder shqiptarizmes. Ka bere tradhti sali berisha dhe ka Fatosin nga mbrapa per ta mbuluar tradhtine. Kjo eshte lapidar qe ne nuk jemi nacionaliste jo qe jo, po dhe patriote per vendin tone dhe, manipuluesi me i madh qe kerkon ta shohe shqiptarin e poshteruar ne raport me fqinjet dhe gjithe boten eshte lubonja. Ne sheshin e shkupit shqiptar cirret, shqyhet e uleret dhunshem nacionalizmi maqedonas me simbole monumente e fatosi nuk ka shkruar as dhe nje germe per poshterimin maqedonas ndaj shqiptareve. Greket na heqin emrin e fene dhe na tjetersojne dhe ne menyre sistematike zbatojne politika e projekte te tilla ku gatuajne e ushqehen me urrejtje qe nga berthama e shtetit e deri te vertikale te tjera. nuk e di se si me kerkon fakte ku dreqin jeton, ne cfar planeti jeton dhe si si ke degjuar ndonje here makabritet e urrejtjes greke koraleve te ushtareve se me lekuren e shiptarit do bejne cizme. Mire ne kete bote, po te tmerron fakti qe dhe ne boten tjeter do te keme fqinje nje shqiptar, shkrujne letraret Serbe. fatosi prap nuk e shikon kete fakt diskriminues, poshterues. Apo termetin e zerave vrisni shqiptaret. Une nuk di te kete nje himn a marsh ku ne me lekuren e fqinjve do bejme cizme. Apo vargje qe dhe ne boten tjeter te na tmerroje mendimi qe kemi keto fqinje. Kete fakt dhe njemilion fakte qe serbet i kane trajtuar shqiptaret si zezaket. Ne Mal te zi nuk lejohet qe i pari i fese te jete shqiptar. Ne shqiperi i pari fese eshte grek. Dhe ku e sheh ky njeri nacinalizmin e shqiptareve!!! Kur je mes ujqerish duhet te ulerish thote nje proverb latin. Dhe ne jemi ne mes ujqerish dhe duhet te ulerijme ne qofte se duam te ekzistojme. Nuk po mirrem me fakte e artefakte se nuk do shkruaj liber por koment. Lubonja “harron“ se si filloj poshterimi e diskriminimi e komunikimi me Serbine : jo po na bini emrat e tifozeve, jo po asnje me flamur jo po nuk duhet te vije asnje shqiptar e ilustruar me pengmarrjen e vizites se kryeministrit. Cdo gje ishte poshteruese po fatosi eshte i verber dhe nuk shikon kembanat e serbise, po shikon zilen miut te shqiperise dhe ky eshte manipulim dhe shkrim pa dinjitet. Pa dinjitet nuk eshte fjale e gjetur po shkrim satanik e i shpifur. Greqi shqiperi dhe greket e dogjen dhe e poqen shqiptarin vetem se doli me flamur ne rruge. Serbet vijne e dalin me flamur mu ne zemer te tiranes ne celebrimin e kishes dhe ne nuk shqetesohemi ku e shef mor Qorr nacionalizmin e shqiptareve....<br />Aha don fakte si Lubonja nuk mirret me faktin e vertete po me fakte te dores se trete. Ok.<br />po ta ilustroj vetem me nje shembull qe fatosi miret jo me berthamen, zemren e shpirtin po me fakte te dores se trete dhe keto kerkon ti ktheje ne simbol e art. Po nuk shkon se nuk kane peshen dhe dimensionin e faktit e artefaktit dhe te shpirtit. Fatosi ka bere nje instalacion me nje beton. Bukur fort. Po kjo nuk eshte fuqia qe arti trasmeton te njerzit: nje bunker betoni, nje pjese te murit po prej betoni dhe ca rreshtna betoni. Kalon aty brezi i ri dhe nuk ndjen asgje. Vetem beton, beton sa qe dhe rrugicat qe lidhin njera tjetren jane beton. Per te kthyer e pershkruar ne art ate periudhe te diktatures aty . Aty mungon njeriu, aty mungon shpirti, aty mungon dhimbja. Periudha e diktatures aq me shume jeta e lubonjs dhe mbijetsa ne burgje mungon. Mungon oksidimi e bakri i jetes, mungon tretja e shkaterrimi i njeriut; mungon artefakti njeri dhe i gjithe instalacioni eshte pa shpirt dhe da da si nje naivitet feminor.<br />Edi rama shkelqeu ne beograd dhe kjo eshte e verteta e madhe.</p>
Add new comment